Bushati: Po përjetojmë krizë vlerash, mpirja ka sjellë mungesën e shpresës

0
294

Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha nga Parlamenti se Shqipëria po përjeton një krizë vlerash e cila vjen nga mpirja që ka sjellë mungesën e shpresës.

Duke folur për punën e shtetit shqiptar për mbrojtjen e diasporës, Bushati u ndal edhe tek situata aktuale.

“30 vite më pas mund të themi se jemi në gjendje më të mirë ekonomike. Por jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë temë. Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për çfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 550 të tjera. Para se ti drejtojmë gishtin njëri tjetrit duhet ti bëjmë pyetje vetes ku isha unë dy-tre javë para se BE të merrte vendimin për ne, ne do t’ja falim vetes? Çfarë do të thonë fëmijët tanë?“ tha Bushati.

Ai nënvizoi ndër të tjera se shteti ka për detyrë ti garantojë diasporës të drejtën e votës si edhe një numër vendesh në Kuvend. Në raport me këtë cështje ai theksoi se është bërë pak dhe kjo vjen pasi kemi dobësi si shtet dhe si shoqëri.

“Jemi në vendet e fundit në Europë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar ata kërkojnë njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të dedikuar për ta ekskluzivisht. Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revulocionizuar shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atdheut, duhet të mbështesim financiarisht edhe këtë si prioritet. 30 vjet nga rënia e komunizmit jemi në një dilemë si të mbrojmë shqiptarët jashtë atdheut dhe si t’ja bëjmë jetën më të lehtë atyre që jetojnë këtu..”- tha Bushati.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.