Të shtunë duke u gdhirë e dielë, pra data 30 mars duke u gdhirë e diela e 31 marsit, do te kemi ndryshimin e akrepave të orës dhe këtë vit përkon me festën e Pashkës për besimtarët Katolikë. Ndryshimi i orës bëhet në orën 2 të mëngjesit të datës 31 mars dhe hyn në fuqi nga ai moment ora e verës. Gjatë ndryshimit do të jemi në gjendje të shijojmë një orë më shumë dritë, por të humbasim gjashtëdhjetë minuta gjumë, gjë që mund të na mungojë në ditët e para.
Objektivi i kursimit të energjisë, do të sjellë disa shqetësime, të cilat janë të pashmangshme derisa të mësohemi me “orën e re”. Ora diellore do të rikthehet në fuqi në fundjavën e fundit të tetorit, kur natën ndërmjet të shtunës 26 dhe të dielës 27 tetor do të kthejmë orët pas, duke rikuperuar orën që na ishte hequr në fillim të verës.