Namik Selmani – Boston , USA
Kënga labe , fyell mali
Kur nis labi të këndojë, heshtin zogjtë nëpër çerdhe
Dallgë e lartë atje në Jon kërkon busull të gjejë dete.
E zgjon gjethe, lulon lule, trëndëlina çel në dimër
Kënga labe, na ngroh supe, gaz e fllad ai zë i virgjër.
Sup më sup si lisa mali, zë më zë si dritë ylberi.
Udhë pa ferra te livadhi, mollë e ëmbël te sepeti.
Një kurorë në duar vajze, stërrall e zjarr në gjokse trimash
Shatërvan me manushaqe, hark i zjarrtë vetëtimash.
Kur ia marr te lesë e stanit, shkëmbi bëhet si petale
Kënga labe, fyell mali, është melhem, flori për halle
Dorë që merrka forcë te dora, hap që bëhet më i fortë
Kënga labe, është kurora që në zemra mbretëron.
Është gjëmim i historisë, është baruti i një pushke
Përqafim i dashurisë, na e bën natën fushë me lule.
Është majë e ëndërruar, psherëtijnë fusha, brigje.
Për kurbetin e mallkuar, thurin nënat këngë me ligje.
I hap krahët si shqiponja qelqëron në deje zemre.
Pasaportë që s’njeh dogana, sokëlllimë që shkon në breza.