DRITA BALLO Mysafire sonte në “Fjala” poetja zëmëborë që shkrinë akujt e diellit me poezit e saj mjaft brilante.Ndaj sonte për ju lexues për të “frskuar” mëndjen e shpirtit tuaj po botojmë këtë cikël me poezi; “Jam grua zëmërborë…Por ne do thonim me rrëze djelli….
DILEMË NJERËZORE 

Njeri i mesnatës dukesh,
kur eglendisesh nëpër ëndrra
i mallëngjyer
të gjesh një shteg drite te zbehtë.
I mëkatit je,
kur dashurohesh me heshtjen,
e si shungullimë dëgjon
jehonën e pafajshme të “misterit”
në terr.
I pashpresë,
kur gulçon me tinguj te rënkuar
shashtisur nga rrokopuja e mbrapshtë e kohës së mlleftë.
I dëshiruar
në dashurinë për jetën,
vizatuar me ngjyra hëne,
bulëzash e fjalësh,
“të jesh a të mos jesh”.
I dashuruar
me vrunduj shprese,
nën bekimin e Diellit rrezeartë.
Ajrit të paqtë mbi çatinë e botës Tibet.
Yjeve që krahëhapur presin,
vallëzimin tënd mahnitës me retë.
HËNË E PLOTË 

E plota Hënë si ogur qëndron mbi selishtë,
e unë me drithërimë pres fjalë përmallimi.
Si krismë e nëmur më vjen britma e asgjësë,
shpirti pezmatuar e kapitur nga pendimi.
Mallëngjimin mëkuar nga kjo lule vjeshte,
e zbeha, e degdisa ku e ku….
Akullimë më mbeti e brishta nënqeshje
ndaj vërshimit të delirjes, kuturu.
Me sytë në galaktikë kërkova heshtjen e nisur,
thellë, gjithë kërshëri të pashë imagjinare.
Zbulova që nga vetja ishe arratisur,
nuk ngjaje aspak me Hënën ledhatare.
Eca me magjinë e Hënës mbi bahçen beharore,
me ëndje mbolla krizantemë dhe trëndafil.
Në mejdan kuvendova, zënë dorë për dore,
mallëngjimin e mpakur e lashë në harrim.
JAM GRUA 

Jam grua zemërborë,
se borës di t’i marr bardhësinë
e përsosur.
Orteqet e akujve ia lashë dimrit
të kahershëm,
amanete të zemrës e shpirtit
të përdhosur.
Jam grua, nuri i gjithësisë,
poezia e jetës gjer
në madhështi.
Me vargje, lule shumëngjyrëshe
e thur mozaikun,
për të humbur e përthyer shëmbëlltyrat gri.
Jam grua, emri i jetës,
kumbimi i zërit të nënës që hyjnitë
rrëzëllen.
Trokitja e stinëve ardhur
ditë pas ditësh,
bekuar me urtësi, ngazëllim dhe shpresë.
ZOGU I QIEJVE 

Sa çel agimi dhe hëna
shuhet,
një puhizë t’i përkëdhel sytë
e vagëlluar.
Përtej anijeve hija e ndritur
duket,
si koral i palëvizshëm anës detit
ngujuar.
Arratisur nga foleja përtej
në zabel,
prej murlanit e dridhjeve
në cingërimë.
Cicërimat si dënesë
dëgjohen pezull mbi tel.
Mbi bistakun e njomë deh
me psherëtimë.
Kur qiellit të kaltër mbi
oborr vërtiten,
cullufet shpupurisur,
çakërdisur si marrokë.
S’të tremb vetmia, as frika
mes drurësh.
Të çmallesh me veten
me ngulm kërkon shok.
Ti zog fluturues, që mbi
xham troket.
Kur mbrëmjeve ulesh lehtë
si meteor,
nanurisjet e radhës me
dëshirë i pret,
t’i kthesh
në kulm të ekstazit shpirtëror.
BUZËQESH
Buzëqesh dhe rend…
ngre një përmendore
të shpirtit tënd,
në një qoshe të ngrohtë,
pa mendime të fshehta
radhë e pa radhë ngatërruar.
Buzëqesh
me buzët e harkuara hijshëm.
Ndieji ethet e shqisave
dhe flakërimin e gjakut tënd.
Shuaje etjen e botës së dështuar
nga fantazmat përgjuese të jetës, kthyer në zhguaj të mbetur
nëpër honet e ligësisë,
vend e pa vend.
Largo 

shikimet e zbrazura,
hijet dhe dritat që rrëshqasin.
Përkundu në ëndrra të vërteta,
se pëlhura e Penelopës është një klishe…
Mos lejo që zgjatja e kohës
të bëjë natën të pushtetshme
me fragmente të përsëritura
pa emrin tënd.
Bëhu
pulëbardhë shprese
drejt qiellit të ëndrrës.
Puthe tokën
me mëngjeset plot dritë,
me dashurinë e dhembshur të zemrës.
Bëhu
violinë e pare,
mos lejo të tunden themelet
e vargmalet e largëta të besimit
dhe shpresës.
Buzëqesh
të të lulëzojë zemra.
Me ujë trëndafili spërkate
emblemën e dashurisë.
Me çelësin e artë krijo vetëtima
me gjerdanë vezullues.
Me zemrat e galaktikave
qëndro triumfues drejt lirisë.
Buzëqesh me shpresë…
Drita Ballo