Ishulli i Lezhës, mrekullia natyrore në “100 fshatrat”

0

Shënimi ynë: Në  ishullin Lezhë, jetojnë dhe banojnë prej më shumë se një  Shekull  mjaftë  familje  me Origjinë  nga M.Madhe. Kësisoj  shumë  prej tyre  janë fise  nga Zagora  , Xhaj , Vrithi  i Shkrelit  Apo dhe Reçi, por  edhe nga  fshatrat e Kastratit , dhe veçanarisht të Këlmëndit.Këto familje kanë ruajtur të pastër identitetin e tyre Malësor.

Nga: Sebastjana Leci dhe Erjona Smaçi

Është quajtur ‘ishull’ për shkak të sistemit lagunor që afrohet deri pranë qytetit të Lezhës.Janë sisteme ujore që kanë ndërprerë komunikimin e kënetës me Lezhën dhe tokat e saj duke formuar një ishull, por në të vërtetë, sot ai lidhet normalisht me superstradën. Kjo zonë përmbledh një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe toka nën nivelin e detit, me pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota. Është një fshat që ushtron dhe aktivitetin bujqësor, por kryesisht prioritet ka aktivitetin turistik.

Ky fshat përmendet që prej shekullit të XV, pasi ishte streha e banorëve të Lezhës ndërsa qyteti u pushtua nga osmanët në 1478. Ishte edhe një formë porti në këtë fshat, pasi pikërisht këtu zbriti me trupat e tij Skenderbeu i Ri, nipi i Gjergj Kastrioti, me 5 mars 1501. Për 23 vite me radhë, Ishull Lezha ishte i vetmi vend në bregdetin e Shqipërisë së veriut që ishte i lirë dhe i vetëadministruar.

Njihet si një nga destinacionet turistike më të vizitueshme në veriun e Shqipërisë për natyrën e bukur, për turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë, për gastronomin, por edhe për kuriozitetin kulturor që mbart. Një rezidencë e ndërtuar si një shtëpizë gjuetie gjatë pushtimit Italian nga Kont Galeazzo Ciano, Ministri Italian i Punëve të Jashtme dhe dhendri i Benito Mussolini që u vizitua nga elita e kohës dhe më pas si një rezidencë për udhëheqjen komuniste ku flitet për histori të ndryshme, janë elementë që shoqërojnë vizitën dhe kuriozitetin tuaj në zonë.

Ky fshat ka një hapsirë të zgjeruar dhe vizitorët e kureshtarët kanë mundësi ta vizitojnë atë deri në bregdet. Është një hapësirë e gjerë me bukuri të rrallë, ku laguna ujore gërshetohet me mjedisin përreth me shkurre e drurë të lartë.

Fshati i vogël me 300 banorë është i njohur për restorantet dhe numrin e lartë të këtyre restoranteve, rreth 30, dhe ku sherbehet kryesisht produkte deti por nuk mungojnë prodhimet e ndryshme lokale. Ky është quajtur ndryshe edhe “Ishulli i Restoranteve” dhe vijon të tërheqë shumë vizitorë.

Ku ndodhet?

Ndodhet 1 km nga superstrada dhe 3 km larg qytetit të Lezhës në anën e majtë të lumit Drin. Një zonë shumë pranë kryeqytetit, rrugëve kombëtare dhe pikave doganore, me pak fjalë e arritshme lehtësisht nga të gjithë. Kjo është një zonë me histori të lashtë që vjen që prej ilirisë, kulturë të hershme, një sistem lagunor shumë interesant dhe destinacion turistik.

Çfarë të shohësh?

Hotelin e Gjuetisë: Hoteli i Gjuetisë në Ishull – Lezhë i ndërtuar në vitit 1936 në një peizazh magjepsës natyror, një objekt me vlera të veçanta historike i është rikthyer aktivitetit turistik. Kjo ndërtesë ndër më të bukurat për kohën u shndërrua në një hotel qeveritar gjatë periudhës komuniste. Ajo do të hapej për vizitorët e huaj vetëm pas vdekjes së diktatorit në vitin 1985 dhe dhomat e gjumit u vunë në dispozicion të vizitorëve që ishin të shumtë në këtë zonë si rrallë në ndonjë vend tjetër të vendit.

Hoteli i Gjuetisë është një vend ku mund të shijohet edhe kuzhina vendase ndërsa pjata e fazanit është tipikja e një tradite të krijuar kryesisht gjatë periudhës komuniste. Restoranti dhe dhomat e saj janë të veshura në dru ndërsa rrugicat e brendshme që shkojnë përgjatë hotelit janë stë shtruar më qilima dhe në muret e saj janë vendosur piktura të ndryshme dhe trofe gjuetie. Zona është e rrethuar me pemë të shumta dhe në ccdo cep të saj mund të dëgjosh një histori të ndodhur e të rrëfyer pas rënies së komunizmit nga punëtorët e hotelit.

Zonat e mbrojtura: Laguna e Kune-Vainit është një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe bregdet, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota. Ishulli i Kunes është një zonë e mbrojtur e veçantë, shumë i rëndësishëm për zogjtë IBA (Zonë e rëndësishme zogjsh) në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Speciet kryesore që i japin këtë status janë Ardeidet and Phalocrocoridet.

Gjithashtu dhe speciet e kërcënuara globalisht si rosat e egra (Phalacrocorax carbo), breshkat e detit (Caretta caretta), dhe foka mesdhetare (Monachus monachus) janë parë më rrallë në këto zonë. Kurse pelikani (Pelecanus crispus), në këtë zonë, konsiderohet fare i rastit ose “i zhdukur”. Prova e fundit e shfaqjes së tij është viti 1993. Laguna ka qenë një zonë e veçantë apo rezervë gjuetie ndër më të pasurat në vend, me rosa të egra uji, me fazanë, disa lloje kafshësh, disa lloje peshqish. Në Vain, ka vegjetuar fuqishëm flora dhe është rritur një faunë shumë e pasur. Veçohen grumbujt pyjorë me vidh, frashër, rrënjë, etj.

Ndër kafshët veçohen vjedulla, dhelpra, lepuri, disa brejtës, lundërza, etj. Po ashtu, laguna ka qenë e rëndësishme për peshkim, si veprimtari e organizuar, thuajse tërësisht shtetërore. Në vitin 1978, afër repartit ushtarak u ndërtua një fazaneri moderne për kohën, ku rriteshin për eksport dhe për vend raca të caktuara fazanësh. Këta lloj zogjsh u sollën nga Kina. Përveçse për eksport, fazanët u përdorën për popullimin e lirë në pyjet e zonës për gjueti ose ushqim në restorante.

Në Vain u eksperimentua në vitin 1980 shumimi dhe rritja e rosës egër, si objekt gjuetie dhe për eksport, çka nuk i pati ato rezultate të fazanit.

Plazhi Vain: Ky plazh gjendet pranë lagunës së Vainit dhe rruga kalon ndërmjet lagunës dhe lumit Drin. Zona ofron mundësi për të eksploruar natyrën, pastërtinë e ujit dhe rërës dhe të qëndrosh në qetësinë e saj duke dëgjuar vetëm zhurmën e dallgëve dhe këngën e zogjve.

Në Ishull-Lezhë do të kesh edhe disa element mjaft interesantë për tu vëzhguar dhe parë si Flora dhe fauna e pasur, shpellën e Ujit në Lujs, Kënetën e Kashtës dhe Rivat e Drinit.

Peshkimi sportive me grep, vrojtimi përmes kullave të ngritura në lagunë, potenciali i bimëve medicionale, ecje në natyrë duke eksploruar krej zonën apo shëtitjet me varkë përvec asaj më biccikletë, janë një mundësi e mirë për argëtim ndërsa do të vizitoni fshatin turistik të Ishull – Lezhës.

Evente, Zonat e Mbrojtura: 2 Shkurt, Dita Ndërkombëtare e Ligatinave (Tokave të Lagura). Dita Ndërkombëtare e Ligatinave është përkujtuar për herë të parë në vitin 1997, me synim rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi vlerat e ligatinave dhe përfitimet prej tyre, si dhe mbi Konventën e Ramsar-it.

21 Mars –Dita Botërore e Pylltarisë promovon tre aspektet kryesore të pyjeve : mbrojtjen, prodhimin dhe argëtimin.

22 Prill – Dita e Tokës ka si synim të nxisë ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e mjedisit natyror të Tokës.

14 Maj – Dita botërore e Shpendëve Migratorë ka si synim për të nxitur njerëzit të ndërmarrin veprime për ruajtjen e shpendëve migratorë.

5 Qershor-Dita Botërore e Mjedisit qëllimi I saj është thellimi I ndërgjejgjes publike mbi nevojën për ruajtjen e mjedisit dhe për fuqizimin e vëmendjes dhe të veprimeve politike në mbrojtje të tij.

17 Shtator – Dita Ndërkombëtare e Pastrimit të Bregdetit përkujtohet cdo vit në mbarë botën.

5 Dhjetor- Dita Botërore e Tokës ka si synim tërheqjen e vemendjes për burimet natyrore , nga të cilat varet jetesa në tokë dhe rritja e ndërgjegjes ndaj kërcinemeve , me të cilat përballet toka.

ITINERARI

✔ Vizitë te Hoteli i Gjuetisë: Peisazhi i mrekullueshem dhe ndërtesa e vecantë

✔ Vizitë në Zonat e mbrojtura ADZM: Informacion i detajuar në pikën e turistëve nga specialistët e zyrës.

✔ Vizitë te laguna Vain: Ecje në natyrë, shëtitje me biccikleta, vrojtim zogjsh

✔ Takim me peshkatarë tradicionalë dhe bashkbisedim me ta.

✔ Vizitë në plazhin Vain

✔ Ushqime tipike: Pjata e fazanit, supa e peshkatarit, tave ngjale, byreku i pulës.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.