Nga: Drita Ballo
Është në natyrën time të eci duke u menduar. Me këtë rast “kursej kohën” për të shkruar ndonjë gjë të hajrit…
Sot mu kujtua një fundmbrëmje vjeshte, kur u ula diku dhe përfundova me një frymë poezinë time. Atë mbrëmje kisha zgjedhur Diogjenin timonier, e së bashku me drita të ndezura vazhduam rrugën në kërkim të njeriut.
Po sot, në këtë ditë të nxehtë korriku, vetëdijes po i përsërit në heshtje ngjarjet e mia paradoksale. Mu kujtua kur çelja derën e shtëpisë dhe përballesha me prindër të përkushtuar të cilët më pyesnin qetësisht: – Ti je ajo mësuesja që nuk u bërtet fëmijëve?
Një punë e vështirë por dhe aq e bukur sa të jep më shumë se kënaqësi. Asnjëherë nuk do t’i harroj gjyshërit e Erlit që sa hyja në oborrin e tyre më ngriheshin në këmbë. Rrugës lutesha t’i gjeja duke u kujdesur për lulet, sesa ulur. Kur u kërkova të mos e bënin më pasi isha vajza e tyre në moshë, gjysh Elezi 80 vjeç nisi të më fliste për vlerat njerëzore. Në shtëpinë e tij përherë janë mirëpritur njerëz të ditur, të ndershëm e bujarë.
Koncepti im për hierarkinë ka qenë përgjegjësi dhe shkallë rëndësie administrative, sigurisht nëpërmjet vlerave. Këtu ndërtova një tjetër lloj, atë të urtësisë e cila mbart në vetvete të gjitha vlerat qytetare, etike dhe morale të lidhura ngushtë me njohuritë nga përvoja e tyre shumëvjeçare.
Paradoksalja tjetër është se dhe unë “bërtas”. E pse të mos? Në fund të fundit jemi të lirë dhe të ndryshëm, mjafton të mos dalësh nga e vërteta, nga integriteti që gjithësecili kërkon të ruajë vlerat e tij.
Dikur një punëdhënësi im në debate të ashpra (jo me atë), më këshilloi duke ngritur supet:
– Nuk kemi ç’të bëjmë, duhet respektuar hierarkia!
Nuk po kuptoja cila hierarki, e paaftësisë, e së pavërtetës, e egoizmit apo e ligësisë? Dhe kalova nëpër mend punët e mia të ndershme për të cilat jam shumë krenare, ku baza e suksesit kanë qenë aftësitë komunikuese.
Ne udhëhiqemi nga arsyeja, ky kapacitet mendor me plot ide dhe kuptim. Duhet respektuar hierarkia e urtësisë sepse ajo është dhe administrative nëse kjo e fundit udhëhiqet nga vlerat intelektuale, morale dhe shoqërore, që padyshim përbëjne fisnikërinë. Në këtë rrjedhë kemi të bëjmë me pasuri kombëtare që në ditët e sotme rrallë gjendet.
Globalizmi po krijon vlera të reja…
Dikush mund të “zbulojë” dhe hierarkinë e bukurisë, por kjo shkallë kategorie do të ishte lart nëse do të ishte e shpirtit, mirësisë, thjeshtësisë…