JANI MALO
Mes turistëve të shumtë që kaluan pushimet këtë verë në Shqipëri erdhi edhe një buf. Ishte nga ata që vijnë e ikin me mjetet e tyre dhe nuk harxhojnë para as për hotel e as për ushqim. Në një nga plazhet e Jugut qëlloi të takohet me një gomar vendës.
Nuk provohet që bufi të ketë qenë pjesë e ndonjë agjenture të huaj spiunazhi, por as gomari nuk ishte nga ata që i zbrazen të parit që takojnë. Megjithatë një kamerë e fshehtë e vendosur nga një emision investigativ regjistroi këtë bisedë mes tyre:
– A mund të më thuash, i dashur mik, si është gjendja në Shqipëri sipas qeverisë dhe opozitës?
– Posi, – tha gomari, tepër i gatshëm. – Sipas qeverisë, më mirë prishet, sipas opozitës, më keq ndreqet.
Bufin e befasoi inteligjenca e gomarit dhe e shtyu më tej:
– Po mendimi juaj cili është?
– Kjo pyetje më fyen dhe ju nuk ju nderon, – tha gomari.
– Ndjesë, zotëri, po nuk kisha qëllim t’ju fyeja, – foli bufi. – Një mijë herë ju kërkoj ndjesë, po nuk më thoni pse nuk më nderon mua pyetja që bëra?
Gomari u bë serioz dhe tha:
– Në Shqipëri ne gomarët jemi vetëm për punë e jo për mendime. Pastaj, për gjërat që duken, populli shqiptar ka shprehjen: “Këtë e di edhe Bufi”.