Gabriela Mistral – Fjalën dhe shpirtin kemi në këtë botë

0

Nga Gladiola Jorbus

Gabriela Mistral, një nga poetet më të shquara në letërsinë kiliane dhe në krejt Amerikën Latine. Ajo konsiderohet si një pikë e rëndësishme referimi për poezinë femërore. Është hispano – amerikania e parë e vlerësuar me çmimin Nobel në letërsi në vitin 1945.Lucila de María del Perpetuo Socorro Godoy Alcayaga, e njohur artistikisht si Gabriela Mistral, vendosi këtë pseudonim, në nder të poetëve të saj të preferuar; italiani Gabriele D’Annunzio dhe francezi Frederic Mistral.Ajo konsiderohet si një nga krijueset më të rëndësishme të letërsisë së shekullit XX. Gabriela Mistral mbetet e vetmja penë femërore latino-amerikane e vlerësuar me Çmimin Nobel në Letërsi me motivimin: “Për lirikën e saj, të frymëzuar nga emocione të forta, të cilat e bënë emrin e saj një simbol të aspiratave idealiste të të gjithë botës Amerikano Latine”.Vepra e Gabriela Mistral pasqyron temperamentin e saj të sinqertë, rebel dhe të ndjeshëm. Ajo luftoi kundër paragjykimeve shoqërore dhe mendonte se ishte detyrë e intelektualëve të kontribuonin në formimin e një shoqërie më të mirë dhe dinjitoze.Nga pikëpamja fetare, ajo pranonte karmën budiste, fatalizmin e Islamit (fati është i pandryshueshëm), shpresën dhe vëllazërinë universale të krishtërimit, traditat indo-amerikane dhe disiplinën morale.Mistral e konsideronte veten qytetare të botës, pa bërë asnjë dallim ndërmjet racave, feve, gjuhëve, besimeve, dallimeve gjeografike apo kufijve. Libri që shenjoi fëmijërinë e poetes ishte Bibla, të cilin e lexoi dhe e mësoi, aq sa konsiderohet si origjinë frymëzimi për shumë poezi të saj.Gabriela besonte fort te rinia dhe tek ideja se e ardhmja e shoqërisë, një ditë do t’u përkiste pikërisht të rinjve. Nuk përdorte stoli dekorative, pasi mendonte se pasuria e vërtetë përbëhej nga vlerat etike, shpirtërore dhe intelektuale të personit.Mistral luajti një rol të rëndësishëm në sistemet arsimore të Meksikës dhe të Kilit, mbante diploma nderi nga Universitetet e Firences e të Guatemalës dhe ishte shpallur anëtare nderi, në disa shoqëri kulturore në Kili, në Shtetet e Bashkuara, në Spanjë dhe në Kubë.Nobeli i fituar nga Gabriela Mistral nënkuptonte jo vetëm njohjen në nivel botëror me veprën e saj poetike, por më gjerë, perceptimin mbi krijimtarinë artistike dhe shoqërore të gruas amerikano-latine.Kjo e fundit ia kishte kushtuar jetën e saj, kulturës dhe luftës për të drejtat e njeriut. Në vitin 1932 nisi karrierën si konsulle. Ajo ishte gruaja e parë kiliane që shërbeu në këtë detyrë, fillimisht në Napoli, Itali; ndonëse nuk e ushtroi dot funksionin sepse u deklarua antifashiste. Për më tepër, Musolini nuk pranonte diplomate femra. Në Evropën e shkatërruar nga dy luftëra botërore, poezia e Gabriela Mistral përfaqësonte perspektivën empatike, nga e cila problemet njerëzore mund të shiheshin si personale dhe zërin e gjallë të gruas që nuk hesht. Ndër temat qendrore të poezisë së saj renditen: natyra, tradhtia, dashuria, pikëllimi, udhëtimet dhe identiteti i Amerikës Latine, i formuar nga një përzierje e ndikimeve të amerikanëve autoktonë dhe evropianëve.Poezitë e Gabriela Mistral karakterizohen nga emocione të forta dhe gjuha e drejtpërdrejtë. Ata gjithashtu ndikohen nga lëvizjet moderniste. Gabriela Mistral ishte e përfshirë dhe në çështjet socio-politike, ndaj emri i saj jehonte në gazetat kryesore të Kilit.Ajo nuk u martua kurrë, por arriti të përmbushte pjesërisht dëshirën e saj për të qenë nënë, duke rritur nipin, Juan Miguel Godoy. Ai (Yin Yin, siç e quante ajo) u rrit pranë saj, duke e konsideruar si nënën e tij të vërtetë.Ata jetuan rreth vitit 1940 në Brazil, ku ajo mbante pozicionin e konsulles, fillimisht në Niteroi dhe më vonë në Petropolis. Ishte një periudhë e lumtur, në të cilën Gabriela gëzonte shoqërinë e miqve të mirë, si Stefan Cvajg i cili asokohe, gjithashtu jetonte në Brazil. Poezia ishte zbulimi më i rëndësishëm në jetën e Gabriela Mistral. Përmes këtij zhanri, ajo arriti të pushtonte botën, të prekte zemrat, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën e Amerikës Latine. Gabriela Mistral mbetet një autore e cila jo vetëm që shkroi poezi plot intensitet dhe kuptim njerëzor, por dinte të shprehej përmes mendimit dhe veprimit.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.