Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Nga Korea e Jugut, në Kazakistan, nga Rumania në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shumë vende të tjera të botës, njihet emri, ndihet zëri, përkthehen dhe lexohen veprat dhe sidomos poezitë e poetit, shkrimtarit, përkthyesit dhe kritikut letrar shqiptaro-amerikanit të shquar nga Malësia e Madhe, Z. Gjekë Marinaj.


Dr. Gjekë Marinaj ka lindur në fshatin Brrut të Kastratit në Malësi të Madhe në vitin 1965. Është larguar nga Shqipëria në qershor të vitit 1991 për të emigruar në Shtetet e Bashkuara. Është i njohur, botërisht, tanimë si poet, shkrimtar, përkthyes, kritik letrar dhe themelues i Teorisë së Protonizmit – një formë kjo e kritikës letrare që ka për qëllim të promovojë paqën dhe të menduarit pozitiv. Ndër të tjera detyra, Dr. Marinaj, është drejtor i Shtëpisë Botuese “ Mundus Artium Press” dhe Redaktor i revistës “Mundus Artium”. Aktualisht, Dr. Marinaj jep mësim në Richland College të shtetit Teksas. Është autorë i dyzina librave në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Gjekë Marinaj është gjithashtu themelues dhe ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Dr. Gjekë Marinaj vazhdon të jetë afër komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilën ai ka themeluar dy dekada më parë, siç ishte rasti i festimit të 20-vjetorit të themelimit të saj në Nju Jork, fund vitin e kaluar. Frank Shkreli/ Kronikë nga komuniteti shqiptaro-amerikan: 20-vite krijimtari letrare në Amerikë | Gazeta Telegraf – Zoti Marinaj mban gjithashtu titullin e lartë, “Ambasador i Kombit”, nga Republika e Shqipërisë.

Duke marrë parasysh veprat dhe punën e palodhëshme të poetit e shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Gjekë Marinaj, është gjithmonë një kohë e përshtatëshme dhe plot arsye për të shkruar për arritjet e tij si poet, shkrimtar, edukator, aktivist i komunitetit, e tjera. Por, po përdor sot rastin që të njoftoj lexuesit shqiptarë në diasporë, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve tona, për dy dekorata ndërkombëtare, dorëzuar kohët e fundit, Dr. Gjekë Marinajt: Njëra nga Rumania e tjetra nga Kazakistani. Në një njoftim për media e datës 7 gusht, 2022 (Press release), botuar në një numër portalesh anglisht në internet Aëards in Kazakhstan, Romania Celebrate Gjekë Marinaj’s Literary Achievements – Digital Journal thuhet se: “Si pjesë e misionit të vazhdueshëm të zhvillimit të diplomacisë kulturore nëpërmjet letërsisë, Dr. Gjekë Marinaj PHD, është dekoruar me dy çmime të rëndësishme: një në Azinë Qendrore dhe tjetrin në Evropën Lindore. Në maj të 2022, Dr Gjekë Marinaj, një poet, shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar Shqiptaro-Amerikan banues në rrethinën e qytetit Dallas të Shteteve të Bashkuara është dekoruar nga ente letrare dhe kulturore në Republikën e Kazakistanit dhe Rumanisë.”
V.O, ky shkrim është botuar në gazeten “Telegraf”