Falenderimi/Edona Bilali:Gjatë dy viteve si Ministër Shteti, pata kënaqësinë të shërbej për sipërmarrjet e vendit tonë, të cilat janë udhëheqëse të ekonomisë.

0
220
Të dashur qytetarë,
Për rreth dy vite pata nderin dhe privilegjin të mbaja detyrën e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, të besuar nga Kryeministri i Shqipërisë. Gjatë dy viteve si Ministër Shteti, pata kënaqësinë të shërbej për sipërmarrjet e vendit tonë, të cilat janë udhëheqëse të ekonomisë.Mund të jetë një imazh i 1 person dhe duke buzëqeshur
Me bindjen e palëkundur që administrata publike duhet të ndjekë ritmin e sipërmarrjes, si Ministër Shteti sot gjej pas jo pak arritje, për të cilat jam krenare.
Shqipëria ka tashmë një ligj të dedikuar për ekosistemin më dinamik të ekonomisë, për të rinjtë, që falë mbështetjes së qeverisë qëndrojnë në vendin tonë, krijojnë vende të reja pune, bëjnë inovacion dhe promovohen e vlerësohen ndërkombëtarisht.
Kemi tashmë agjencinë “STARTUP ALBANIA”, si njësi menaxhimi të granteve nga fondet publike dhe ndërkombëtare për ekosistemin e startup-eve, por edhe si njësi shërbimi koordinuese dhe ndërlidhëse e nismave në ekosistem.
Ritëm tejet pozitiv gjatë ushtrimit të detyrës kishte sektori automotiv. Një sektor i incentivuar nga qeveria, i cili e ka kthyer disa herë vlerën në ekonominë vendase, me “know-how” të fituar, investime me standarde ndërkombëtare dhe vende pune. Për herë të parë, këtij sektori iu dedikua një panair ndërkombëtar me pjesëmarrje nga 15 vende, 100 ekspozues dhe më shumë se 17,000 vizitorë. Ky gur kilomentrik u realizua me një partner si DPSHTRR, ku vlerësimet shkojnë me bujari. Në datat 26-29 tetor, Edicioni i Dytë i “Automotive Fair Albania” do të tejkalojë edhe Edicionin e Parë.
Krijuam kuadrin ligjor për të tërhequr një target grup, të cilin po e synon e gjithë Europa: “nomadët digjitalë” që po sjellin në Shqipëri 10-fishin e të ardhurave që sjellin turistët. E bindur që projeksionet tona do të tejkalohen në vitin e ardhshëm, pasi për lehtësitë e ofruara dhe preferencën e këtij target grupi për Shqipërinë po shkruajnë revistat më prestigjioze të sektorit.
Hartuam raportin e parë kombëtar kundër korrupsionit, një raport i bazuar ekskluzivisht në shifra dhe jo në perceptime. Raporti i dytë, i cili do të publikohet së shpejti konfirmon që qeveria po ndërmerr hapat e duhur për çrrënjosjen e këtij fenomeni nëpërmjet digjitalizimit, automatizimit të proceseve të punës dhe derregullimit.
Përpos arritjeve që kanë shënuar gurë kilometrikë, angazhim dhe energji të shumta kanë marrë procese që sot janë ende të pazëshme, por që frytet pritet në të ardhmen e afërt. Sfida për të tërhequr më shumë investitorë “akullthyes” në kategorinë e emrave të mirënjohur botërisht, kërkon akoma më shumë punë drejt përmirësimit të klimës së biznesit dhe ofertës së Shqipërisë. Për këto dhe për detyrën e marrë, shpreh mbështetjen e plotë dhe urimet më të mira për Ministren Ibrahimaj.Mund të jetë një imazh i 7 persona dhe ndriçimi
Të qenurit funksionar publik dhe akoma më shumë të qenurit pjesë e Këshillit të Ministrave, përveç nderit, privilegjit dhe kënaqësisë për impaktin e krijuar në vendin tënd vjen me kosto oportune. Kosto që nga sakrifikimi i orëve pranë familjes deri tek të pavërtetat si pjellë e keqdashësisë apo e batareve politike. Një mendje e bukur e politikës ndërkombëtare teksa konsultohesha për stuhinë e radhës së krijuar në gotë, më tha një shprehje që e kam mësim: “vjen me punën, nuk duhet të presësh aspak më pak”.
Faleminderit Kryeministrit për besimin e dhënë dhe nderin e jashtëzakonshëm për të shërbyer në këtë detyrë kaq të lartë në vendin tim!
Faleminderit skuadrës së Kryeministrit për mbështetjen e pakufizuar nga dita e parë e punës!
Faleminderit atyre kolegëve që panë qëllimin e përbashkët për një impakt të konsiderueshëm në vend dhe u bënë pjesë e bashkëpunimit të shpejtë larg burokracisë!
Faleminderit skuadës së Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, një skuadër që çdo sipërmarrje private në vend e jo vetëm do ta kishte vlerë të shtuar. Motivimi për të shërbyer në këto pozicione pak të dukshme, kur alternativat kanë qenë vazhdimisht tejet konkurruese, meriton mirënjohje edhe publike!
Faleminderit familjes, pa mbështetjen e saj asgjë s’do të ishte e mundur! Ndjesë që zgjedhja ime personale për t’u përfshirë në politikë i dha kosto të pamerituar të dy familjeve!
Faleminderit Eden, ke bërë që ta shoh botën krejt ndryshe dhe që ta bëj punën akoma më mirë!
Sfida e radhës është arsyeja pse iu bashkova politikës. Do të më dëgjoni me zë akoma më të shpeshtë e më të fortë për lobimin e rikthimit të Shkodrës, qytetit më të bukur në botë në majën që i takon dhe gjithë qarkut në një pol me rëndësi ekonomike strategjike.
E juaja,
Përzemërsisht,
Edona

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.