Po e mundonte rruga dhe koha, prapshtas njëra–tjetrës qenë mbërthyer pakuptueshëm. A thua u ndërtua kësisoj mekanizmi me vetëm ca shkronja, si fjala fat, grua, breg, ujë…Si të orientohej?
Meqë kishte humbur busullën, i ra fushës trup e tërthor, pa mundur të gjente një drejtim që do ta qonte në një anë të caktuar. Një kahe të gjatë eci, ashtu kot, me duar të futura në xhepa. Nata ishte e kthjellët dhe mbi kokën e saj digjeshin me mijera yje, si një qytet milionësh xixillonja. Asnjë mendim nuk e definonte dot. Duke ia ngulur sytë qiellit, ndjeu një nevojë të tmerrshme sikur të mund t’i çasej ndonjërit prej yjeve; iu duk si një mundësi lehtësimi, duke marr parasysh gjendjen nëpër të cilën po kalonte.
– Ku mund të çojë mendja, – i foli ajo vetes. Kishte parasysh shqetësimin që të duket bulevardi i ngushtë për mendjen e efekteve që bën ndërrime të mëdha. Hap sytë, sikur prek qiellin me duar.
Duke u sjellur vërdallë, porsi kafshë e lodhur nga tërheqja e qerres nëpër një ditë me diell, po niste të mendonte për atë shtëpinë botë të Borgesit, nga Utopia e një burri të lodhur, dhe për metaforën e borës si dicka që më në fund mbulonte të gjitha ndotësitë. Por, megjithatë ndotja ekzistonte, ashtu si ekzistonin kampet e krematoriumet, ashtu si ekzistonin depërtimet e akujve në pjesët pasive, shumë pasive të trurit. Më e keqja.
Ndotja ekzistonte, ashtu si ekzistonte vetmia; gjasonte me një lloj grope të pafundme dhe po gëlltiste çdo çast e prapë nuk mbushej me asgjë, por vetëm kërkonte e kërkonte momente të tjera.
Çdo gjë ishte e pafund, nata, universi, fusha dhe vetmia. Po ia thithnin shputat, po ia shtypnin majën e kokës. Dhe teksa sillej vërdallë, nëpër të gjitha nga pak, pa ndonjë orientim të caktuar, u ndje si një mi brenda një qarku të mbyllur. Shpresa e gënjeshtërt e shtynte të ecte, ndonëse intimisht e dinte se dalja nuk ekzistonte. Daljet ishin të mbylluara me nga një qark që ruante një minotaur. Qarqet ndërroheshin vazhdimisht, sapo të ndoteshin. I ndërronte paaftësia për me i kuptuar impulset, pjesët, të cilat e përbënin mozaikun, substancën, përkufizimin. Minotauri shprehte shenjën e caktuar. Prapa tij ishte ajo piramida që në secilin mes krijohet nga imtësirat, faljet, injorimet, pikërisht insektet dhe natyra e demonstronte më së miri pse ishte mjegulla, prishja e mendjes, përpikmëria që i shkohet pas të fuqishmit që nuk fal, nuk bën dallim, nuk hedh në peshore asgjë.
Dikur ajo mund të kishte zgjedhur të kultivonte lula. I dukej delikatesë. Ky kujdes, nga ana tjetër, kjo sjellje e hollë, po bënte që demoni brenda qenies të nxirrte krye. Në të vërtetë ajo dikur edhe kultivonte lula në dritaren e saj, ndërsa tashmë ato ishin tharë, aq sa prej tyre kishin mbetur vetëm disa kërcenj të zi, si kongjij zjarri, dhe një shtresë e hollë pluhuri mbulonte hapësirën rreth tyre. Ashtu si mbulon kronikat e shtypësit masa pa tru, pa kërkuar shpjegime, pse ju bëhen katran duart, pa ditur çka të bëjnë me ato, kurse nuk mësohen fshehtësitë, të cilat kthehen në ca festa tmerri. A nuk mendohej shpesh pikërisht pse mjegulla është ingjeniose, derë e hapur nga përshatshmëria, por dritare e mbajtur mbyllur nga mprehtësia. Dëshiroj t’i frynte lehtë atij pluhuri, i cili tregonte mungesën e përkufizimit dhe ishte bërë gulç në fyt e nuk po e kalonte kurrsesi, por ngritja e tij gjer te organet e saj të frymarrjes e ndaloj. Ia bëri shkrumb shikimin dhe ndjesinë. Më në fund, krejt ajo që mund të bënte ishte të vështronte së kujtuari kohën kur mbillte lula.
FJALA PER JU …LETERSI – ARTE
Ajo që erdhi më vonë ishte kjo lëvizje pa busullë natën nëpër një fushë të humbur. Përse sillej nëpër këtë fushë? Ndoshta, ngase ishte e saj, edhe pse fushë e humbur – ishte e saj, ashtu siç ishte edhe fusha e humbur e Pedro Paramos – e tij. Fusha nëpër të cilën ai sillej pa pra, duke kërkuar atë që nuk e gjente dot, d.m.th. të humburën e tij të pagjetun. I bëhej që i humbi me saktësi vetë eshtrat e trupit, ndërsa mishi nuk kishte ku t’i rrinte i mbërthyer. I pagjetun ajri për mendimet që e bën copa. U hodh fushës, duke çapitur një rruge rrethi të tretë, më të madh, se ai më parë dhe më të madh, edhe se tjetri i bërë ende më heret, duke gjakuar edhe më shumë të humburën…