Nga: Zana Tako
Situata aktuale nuk prodhon marrëveshje, por diktim mendimesh dhe veprimesh, të cilat pasojnë ato përfitime që nuk ndahen për nevoja riprodhimi të mirëqenies sociale, por akumulohen për të zmadhuar fuqinë ngrënëse të Superfuqive që nuk ndiejnë ngopje në të ngrënë.Jemi në startin ku nevojat ndahen nga dëshirat, ku e ardhmja shkëputet nga e tashmja, ku fjala zëvendësohet me kod në të shprehur, ku marrëdhënia ndërmjetësore, shkëput efektet e saj drejt normalitetit, ku njohja mbetet dilemë, ku bashkëbisedimi njihet si organikë e mirëformuluar në bazë të kodeve të shprehjes së kalimeve dhe mbikalimeve të ndjenjave, që nuk prodhojnë forcë imuniteti mendimesh, por fuqizojnë ato membrana, të cilat prodhojnë shkëputjen e dëgjimit të tingullit njerëzor, nëpërmjet prodhimit të valëve elektromagnetike të formulave që ende nuk njihen nga të paditur. Kjo fazë e re e mbijetesës së popullsisë, përkon me atë çfarë na është parathënë nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, ku njeriu do të përballet me të vërteta të mëdha të cilat nuk ka fuqi t’i kundërshtojë, e një prej tyre është lufta e shpirtit. Mendimi i njeriut nuk përfillet nga ata që e sundojnë njeriun. Sundimi është fjalë me kuptim të gjerë. Zoti nuk sundon, por bashkëpunon me krijesën, duke i siguruar lirinë dhe të drejtat e saj, duke prodhuar me bollëk mirëqenie nëpërmjet dhuratës dashuri. Sundimi është një tjetër formë që bashkudhëton me njeriun, lind nga zilia, nga ambicja dhe lakmia. Kjo e vërtetë është kundërshtuar nga ata sundimtarë, që interesin e kanë shitur tek varfëria e shpirtit e cila nuk e njeh mëshirën, nuk e njeh vlerën e dashurisë, por i lufton në mënyrë të vazhdueshme për të realizuar atë ego të fuqishme, e cila sa vjen dhe e shton zullumin e saj, duke luftuar shpirtin njerëzor deri në dhimbje, e cila është fryt i pabarazisë në të kuptuar.Lufta kundër shpirtit njerëzor sot është temë e ditës, ku caktohen plane dhe objektiva duke u përhapur në të gjitha drejtimet. Realizimi i qëllimeve të cunguara, shitet si objektiv i së ardhmes. Qëllime të mbrapshta, shiten si fati i së ardhmes së shpirtit njerëzor. Varfëria e jetës, shitet si lumturia e ardhmërisë së jetës njerëzore. Bollëku i varfërisë, na shitet si superpasuri ku njeriu do ngopet me boshllëk, i cili ngjan me detin ku njeriu do notojë pa e gjetur kurrë bregun e shpëtimit. Të kuptosh këtë të vërtetë, duhet të ndalesh në atë stacion ku nuk mund të ngatërrosh ngjyrat e semaforit. Por ne kemi ndalur kur duhet të vazhdojmë të jetojmë, kemi ndalur kur duhet të bashkëpunojmë, kemi ndalur se duan të na ndalin për të na tjetërsuar shikimin, dëgjimin, perceptimin, e kjo ndalesë është këmbana ulëritëse për të kuptuar të vërtetën e madhe, që ndriçon krijimin jo në periudhë kohore, por në përjetësinë e kohërave. Këta të mangët që duan t’i thonë “NDAL” njerëzimit për të ndryshuar ligjet e krijimit, duke i kthyer në ligje drejt përfitimit të vetvetes, do të përballen me vetë Forcën Hyjnore, e cila është Udhërrëfyese për gjithkënd që ka ndalur në këtë semafor jo me dëshirën e tij, jo për të ardhmen e tij, por për atë qëllim, të cilin duhet ta luftojë me forcën shpirtërore, nën Udhëheqjen e Dritës së të Vërtetës!