DOSJA E HAPUR HETIMORE E MARTIRIT GJELOSH LUSHI (SHOSH) – Kush ishte Gjelosh Lushi

0
1503

Prele Milani

Patriot burrë me vlera e virtytet më të spikatura te kohës së tij birë I një dere te vjetër atdhetare, stërnipi Lulash Bales së vrare ne Kerr Torobullus nga Turqit. Kushëri i atdhetarit e martirit të shquar të bese Mark Milanit bashkëpunëtore kryesore i Prof Kolë Prelës, antifashist i vjetër përkrah Gjon Marshit Bal Markut ,Market Pjetrit, Martin Gjonit, Ndue Sokolit, Prelë Binakut. Ish Kryetare i Fronit të Rrethit të Dukagjinit Antikomunist me bindje të pa tunduara demokratike mik i Lekë Vojvodes, Prelë Çungelit, Zef Nikës, Prelë Markut, Mark Malës. etj

AKT AKUZA Nr 402. Shkodër, me 20.07.1945

Pas arrestimit Prokuroria Ushtarake e Rrethit Shkodër me Letër –rreshtimi nr 359, kundra Gjelosh Lushit, i biri i Lushit dhe i Soses, vjeç 32, nga Katundi Pepsumaj, Shosh akuzohet si Armik i Popullit në bazë te Nenit Nr .1.të Ligjës nr 21 datë 15.12.1944.
Unë Prokurori (Armit Çela nenvizimi im P.M ) në bazë të nenit 20 paragrafi 4 i ligjës mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatës Ushtarake urdheroj:

Reshtimin për një kohë të caktuar në burgun e armiqve të popullit Shkodër.
Organet e M.P.Policisë dhe çdo fuqi e armatosur ngarkohet për zbatimin e këtij letër rreshtimi” . Gjelosh Lushi qëndroi në hetuesi plot 18 muaj, duke përballuar në menyrën më dinitoze të gjitha llojet më ekstreme të gjinisë së torturës. Në dosjën e tij gjyqësore ishte përpiluar kjo akt akuzë nga Prokuroria Ushtarake.

“I pandehuri i rreshtuem Gjelosh Lushi nga Katundi Pepsumaj akuzohet se:
Duke qënë në sherbim të pushtetit tonë Popullor si Antarë i Gjyqit në Dukagjin, tu përfitue nga kjo pozitë, ka sabotuar punën q’i i ka besuar populli dhe ka hedhur parulla helmatonjëse kundra pushtetit të sotëm me qellim që të krijonte pakënaqësira në popull ta përçante dhe ta largonte nga pushteti i tij.Në lidhje dhe në bashkpunim me të arratisur kriminel lufte dhe armiq të popullit Gjergj Vatën dhe Mark Malën është munduar dhe përpjekur që të përgadisë banda rreaksionare që të jenë gati për t’i rënë pas shpine Qeverisë.Është përpjekur që të grumbullojë sa me tepër popull rreth vetit për t’a pasë gati për çdo eveniment.I pandehuri nihet si element i rrezikshëm pasi ka tradhëtuar interesat e popullit .

DEPONIMI NË HETUESI

Me datën 22 qershor 1946, një ditë pas arrestimit në Komandën e Rrethit Dukagjin ish Kryetari i Frontit të këtij rrethi Gjelosh Lushi, tashmë në cilësinë e të pandehurit, merret në pyetje nga Shefi i Seksionit Sigurimit Shtetit Major Zoj Themeli dhe N/Toger Xhemal Selimi ku në prezencë të tyre u përpilua ky proçes verbal.Është perpjekur në bashkpunim me Prof. Kolë Prelën, Zef Nikën dhe Lekë Vojvodën që të grumbullojnë sa me teper popull rreth vetes që të jenë gati për çdo eventualitet.Mbasi u pyet me vullnetin e tij deklaroi:

-Gjatë rregjimit të Zogut, nga që kisha ushqyer të arratisurit politik me bukë, jam burgosë nga qeveria dy herë, por nga miqësia që kam me bajraktarin e Shalës, Kolë Ndoun më kanë pasë nxjerrë nga burgu duke mos më lënë më gjatë se 3-4 ditë. Burgosë jam një herë në vitin 1937 dhe një herë në vitin 1939.
-Pas ardhjes së Italisë jam takue me Prof Kolë Prelën dhe Mark Ndojën dhe kam punue me ta deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë
Kolë Prelën e kam mbajtur në shtepi me bukë gjatë kohës së luftës, po ashtu Mark Ndojën e shumë të tjerë.- Mbas çlirimit jam emëruar Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës Dukagjin.- Unë Kolën e kam dashtë ma shumë se çdo njeri tjetër dhe për të unë bajsha çdo send, sikur Kola të më thoshte të vras edhe një njeri.d.m.th e deshta pa masë dhe bëja çfarë të më thoshte ai., për këtë arsye u lidha me të dhe fillova të punoja si më thoshte ky.
– Në kohën kur do të rrezonin Prof Kolë Prelën ( Është koha fill pas deklaratës së bujshme 14.02. 1946 që bëri profesori në mbrojtje të Pater Gjon Shllakut dhe grupimit të ashtu quajtur të klerikëve rreaksionar të Bashkimit Demokristjan nenvizimi im P.M), unë punova me gjithë fuqitë e mija dhe jam përpjekur në çdo anë me miqtë e fisit tem duke i thanë popullit të mos lëshonte deklarata që rrëzonin Kolë Prelën por të thoshin që e duam Kolën, më gjithë përpjekjet e mija Kolën e rrëzoi populli mbasi ky kishte mbrojtur ata që u denua nga gjyqi si tradhëtar e kriminel lufte.
-Pasi rrezuan Prof Kolë Prelën mu prish qefi mjaft dhe mbeta as këndej as andej.
-Në këtë kohë kisha frikë me fol me këdo prandaj flisja vetëm me Prelë Markun, Zef Nikën dhe Lekë Vojvoden, mbi pakënaqësitë që kisha.
-Kam bisedue me Zef Nikën dhe Lekë Vuksanin (Vojvoden),të cilët më patën thënë; Komunistat dhe nacionalistat nuk po shkojnë mirë ndër veti. Komunistat janë ba me Rusin, kurse politika ma e mirë është me inglizin dhe për këtë ne jemi ba me inglizin.
-Ne jemi mjaft nacionalist që nuk jemi në qeveri (unë, Dom Luigj Pici, Riza Dani , Gjergj Kokoshi etj që nuk ua mbaj mend emrat)më pati thanë Kolë Prela, i cili shtoi se duhet punuar me te gjithë nacionalistët të merremi vesh njeri me tjetrin, si me ata të malit ashtu edhe brenda në qytet me nda ata që janë komunista sepse duhet krijue tjera Parti.
– Më në fund, më tha, tani duhet të shkosh në Dukagjin, atje të lidheni mirë me popullin, të mbash njerëzit rreth vetit.
-Kur erdha e u takova me Prelë Markun, i cili më pyeti se si është puna, i thashë të gjitha fjalët që më tha Kola, se komunistat dhe nacionalistat janë prishë nder veti dhe ne duhet të punojmë për nacionalistat ashtu siç më ka porisitë Kolë Prela
– Prela më dha fjalën e burrave se do të përpiqet sa të mundet, por shtoi se është mjaft e vështirë se na diktojnë…
Veç kësaj fjalë sekrete unë flisja edhe me Lekë Vuksanin(Vojvoden), e Zef Nikën dhe kam bisedue shpesh për çfarë më kishte thanë Kolë Prela.
-Lekë Vuksani (Vojvoda) më pati thanë para tri javëve: Duhet të shkosh në Shkodër e të takohesh me Kolë Prelën, se unë nuk mundem me shkue me e takue dhe ta pyesësh si ashtë politika e si me ba ne tani, njëkohësisht të na biesh një letër prej Kolës.
-Unë nuk shkova në Shkodër se nuk më doli koha pasi ishte e pamundur të mos diktohesha.
-Unë nuk di se ça të them tjetër pasi nuk mbaj mend, por se kam punue kundra kësaj qeverie është ma se e vërtetë, arsyeja ka qenë se mu prish qefi për Kolë Prelën dhe me bindje kam punue si më ka thanë Kola.

Deklarimi në sallën e gjyqit:

-Unë si anëtar i gjyit kam qenë 6 muaj pastaj më pushuan dhe shkova tek shtëpia.
Kolë Prela nuk më ka thanë se do të vijë Inglizi.
-Përveç Frontit Demokratik unë tjetër parti nuk di.
-Nuk di se kush i ka hapë parullat, unë di vetëm se kanë dashtë me rrezue Kolë Prelën.
-Unë jam mundue me çdo mënyrë mos me u heqë se ishte njeri i mirë.
-Kolë Prela më ka thanë: Puno e sillu mirë.
-Në shtëpi të Kolë Prelës kam qenë kur u ba një mbledhje e Frontit.
-Me Prelë Çungelin asnjëherë s’jam takue, por me përsona të tjerë që kam përmendë në procesin e mbrojtjes jam takur kur vinin në Kodër Shëngjergjit.
-Nuk kam thanë se në Mirditë filloi lufta dhe as që di se kush i lajmëronte të arratisurit mbi lëvizjet e partizanëve.
-Nuk më ka pëlqye lufta me Greqinë dhe as nuk kam hapë ndonjë parullë të tillë se e njëjta gjë do të ndodhte edhe këtu pasi do ia fillonin çetat e malit psh. Nikë Sokoli, Gjergj Vata, Pal Thani, Pjetër Mehmeti, Mark Tunxhi, Zenun Alija, Muharrem Bajraktari etj
-Unë kam qenë në L.N.Ç dhe nuk kam ba kurrfarë tradhtie, por vetëm kam mbrojtur Kolë Prelën.
– Mbledhje në Pepsumaj nuk kam ba as nuk kam qenë, gjithashtu edhe në shtëpinë e Prelë Çungelit të Bobit nuk kam qenë.
-Në Dukagjin kanë qenë shumë njerëz të pakënaqur,por unë nuk i kam mbledhë rreth vetës.
– Thënjet e seksionit i vërtetoj pjesërisht.

NGA VEZHGIMI I HOLLSISHËM I DOSJES GJYQËSORE VËREJMË 

Së pari: Gjelosh Lushi kur u përball me përpiluesit e akuzës u bind se sigurimi i shtetit dinte gjithçka rreth aktivitetit të tij anti-komunist, madje ishte e kotë për disa gjëra të përpiqej të mbulonte gjurmët pasi kishte dëshmitar okularë që kishin deponuar të gjitha ato që kishin bërë apo menduar se mund të bënin.

Së dyti Nga ana tjetër Gjelosh Lushi duke qenë tashmë i akuzuar si armik i deklaruar nuk i ra fare mohit se ishte në opozicion me komunistët të cilët i pati aleat vetëm gjatë luftës dhe se me vetëdije ishte instruktuar nga Prof Kolë Prela dhe kishte punuar për opozicionin e ri politik antikomunist.

Së treti Duke qenë se disa nga gjerat deponimi i tij fillestar i mohon në sallën e gjyqit nënkuptohet se ndaj tij si i pandehur me aktakuzën më të rendë të armikut të popullit për rreth 18 muaj është torturuar fizikisht dhe psikologjikisht

Së katerti: Gjelosh Lushi nuk arriti të zbërthehej për pjesën më të rendë të aktakuzës atë të mbledhjes në Karmën e Bobit (ose shtëpinë e Prelë Çungelit) dhe në Pepsumaj me njerëzit e malit të ashtuquajtur reaksionar.

Së pesti: Gjelosh Lushi, si çdo i pandehur, mundohet të shfajësohet për të lehtësuar sadopak akuzën që i rëndonte, që i hiqte kokën, kur mohon se nuk ka hedhur parulla apo se ka bërë gabim për Kolë Prelën etj.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.