Dashurinë e kemi falas, por jo për ta shitur…

0
235
Nga: Zana Tako
Saktësia e mendimit është analizë e thellë dhe jo e cekët. Luhatjet e mendimeve nuk vijnë prej analizave të mendjeve të shëndosha, kështu, gjithkush mendon, por duke analizuar sipas vlerës së vetvetes.
Triumfi i kohës quhet ajo vepër që pasqyron fitoren mbi dështimin. Kurajo e njeriut quhet ajo veti që kapërcen sfidën e dështimit. Të gjesh dhe të kërkosh rrugëdalje, nuk matesh dot me malin, ta rrëzosh me duar apo ta shkelmosh me këmbë. Pasojat e goditjes vihen re në arsyetimin e veprimit, i cili tkurret përpara se të fillojë veprimi.
Fuqinë e masim me logjikë të shëndoshë, por jo me manipulim shpirtëror. Fuqia e mendjes është energji që furnizon pa e ndalur proçesin e arsyetimit, i cili rrjedh plot fuqi, pa e njohur ngarkesën e emocioneve që prodhohen në ngushti.
Njeriu shpërthen në të qeshura, në të qara, në sharje, fyerje e ofendime, ose në puthje e përqafime. Këto shpërthime tregojnë akumulimin e ndjenjave dhe të emocioneve të munguara, dhe që realizohen nëpërmjet shkëndijës së dashurisë që prodhon fuqi dhe forcë emocionale.
Nëse zhvillimet politike do të mateshin me kurbën e lëvizjes së emocioneve, do të dallonim lehtësisht shkak dhe pasojë. Indiferenti sheh ose me sy hapur ose me sy mbyllur. Ndjenja e tij nuk është ndjenja e fajit, por buzëqeshja e tij është kapitull ku përfundon ngjarja që lëviz dhe harmonizon ndjenja të riprodhueshme.
Ngarkesa emocionale e indiferentit, është si guri i shahut që lëviz nëpër katrorët e fushës pa e njohur lëvizjen e rradhës, dhe pa e mbaruar mirë ekuacionin që shpie drejt bllokimit të figurës së mbretit. Ushtari indiferent nuk e ngarkon shpinën me detyrime, të cilat më pas duhet t’i paguajë si shenjë e mospjesëmarrjes së përgjegjësisë. Çdo ushtar që barazon fatin e tij me atë të miqve të tij, është i destinuar të dalë jashtë loje.
Papërgjegjshmëritë janë si ujrat që grumbullohen brenda një hapësire ku nuk ka dalje por vetëm hyrje. Ujrat rrjedhin e pastrohen, por qëllimet e njeriut nëse nuk pastrohen nga ujra të rrjedhshëm, janë të destinuara të mbajnë erë të keqe nga ndotja.
Prodhimi i bollshëm i arsyetimit në harmoni me degëzimet e politikës, janë shanse që parapërgatisin udhë të re në kohë të re. Mendjet që çpohen si tollumbaci pa u ngritur lart, bëjnë zhurmë pa dobi. Dobinë njeriu e sheh në realizimin e qëllimeve dhe të aspiratave të një kombi në lulëzim. Zhurma nuk është shenjë e mirë për kundërshtarin. Qetësia e kundërshtarit nuk është shenjë e mirë për të përmbajturit. Aspiratat kërkojnë shumë mund e djersë për t’u arritur. Por nëse në tokën ku punohet për të mbjellë prodhim të shëndetshëm haset në gurë e shkurre që duhen pastruar, atëherë edhe punëtorët duhen zgjedhur për punë me fryte të shëndetshme.
Papërgjegjshmëria nuk është filozofi e më të dobtit, por është bar i keq që duhet shkulur në kohën e duhur. Toka ku jetojmë është tepër e begatë, e që të prodhojë bollëk e begati, duhet punuar me mençuri. Pyetje dhe përgjigje ka plot, por nëse luajmë rolin e indiferentit symbyllur, atëherë mos të presim të shohim prodhim në dimër kur nuk kemi punuar në verë.
Dashurinë e kemi falas e jo për ta shitur. Matrapazët e shitbljereve nuk e fshehin dot paranë në qiell. Mbetet të sfidojmë atë që na lufton në fshehtësi, duke përdorur rrenën si të vërtetë. Detyra e gjithsecilit është të mos bëjë sikur nuk sheh dhe sikur nuk dëgjon, sepse Gjykatësi i krijimit nuk i mbyll sytë për të parë e veshët për të dëgjuar.
Lakminë nuk e kemi kurorë triumfi, por e venë mbi krye ata që fjalët e dijes i lexojnë për së prapthi. Koha është aleatja që shkund nga supet tanë pluhurin e harresës, për të ngjallur vitet e kujtesës!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.