MBRESA

0
129

NGA : ZIJA VUKAJ

Në Palaj të Shoshit pata punuar disa muaj, i ardhur nga fshati Ndrejaj, po i Shoshit, ku kisha qëndrimin e përhershëm, shtratin tim prej druri, sepse isha mësues i ri dhe i pastabilizuar. Atëbotë llojin tim e quanin mësues ambulant. Aty e pata marrë vesh këtë cilësim; klasifikimin e kësaj specieje (të species sime ambulante) dhe qysh atëherë më ndjek pas era e ilaçeve- ambulant, më kujtonte ambulancën. Nejse. Ata që e kishin shpikur sintagmën mësues ambulant ishin zotërit e emërim shkarkimeve; flinin (siç thotë Migjeni) me zonjat e tyre në shtretërit e butë të qytetit dhe shihnin ëndrra me mësues viktima.
Palaj është një fshat që është pak t’i thuash i bukur. Le që gjithë lugina e Shoshit është një peizazh spektakolar. Po të kundrohet nga Mali i Shoshit, syrit të njeriut i ofrohet një kompleks alpin me një pamje gati metafizike që të ndez përfytyrimin e një çifligu poetik të Ciklit të Kreshnikëve. Shpalosen formacione natyrore që varijojnë nga sukat e ulëta e prozhmet e ngjethura me drurë e shkurre, arat e gjelbra, përrojet ushtuese nga rrëketë e gurrave, qetat e gjollat shkëmbore e deri tek malet e thepisura që kufizojnë gjithë këtë luginë me fshatrat e Tropojës. Në pjesët më të buta e të rrafshëta spikasin vendbanime të vogla dhe shtëpi të vetmuara me histori të vjetra sa bota, që nga Dardha e Shoshit, Nicajt, Ndrejajt, Palajt, Brashta, Pepajt, Pylajt, Molla, që është një kep shkëmbor apo tip gadishulli që varet nga tri anët mbi humnerën e Lumit të Shalës, pak pa shkuar te Guri i Lekës, për të cilin i doli hesapi të fliste edhe Indro Montanelit dhe Toplana, që nuk duket nga qendra e fshatit Ndrejaj, por duhet udhëtuar nja katër orë për ta zbuluar, të kalosh një qafë, nga ku vijnë mëngjeseve rrezet e diellit, për të kapur atë fshat tejet të vetmuar. Mbresëlënëse ishte ajo qafë mali dhe unë i thosha “La puerta del sol”, pa asnjë arsye, veçse i ndikuar nga leximi i një romani të asaj kohe dhe për faktin se dielli vinte përditë nga ajo “portë”.
Në shkollën e Palajve gjeta një grup mësuesish, thuajse të gjithë jabanxhinj. Flinin brenda në shkollë dhe jetonin me forcat e veta një jetë të vështirë. Mes tyre ishte edhe poeti Dodë Kaçaj, asohere mësues i gjuhës shqipe. Ishte në vitin e dhjetë të qëndrimit të tij. Doda në atë kohë ishte rreth të tridhjetave, ndërsa unë isha gati një dekadë më i ri. Ai ishte një burrë shumë simpatik dhe mjaft i pashëm. Kishte diçka virtuoze në gjithë pamjen e tij. Kishte elegancë në çdo veprim që bënte; kishte hijeshi në çdo fjalë që thoshte; kishte një humor befasues dhe një spontanitet, që është tipik për njerëzit e rafinuar që merren me art. Por kishte edhe një kulturë dhe erudicion që bënte diferencën me të tjerët. E donte jetën; e donte librin; e donte poezinë, të cilën e ushtroi me shkëlqimin dhe rangun e një poeti të vërtetë e të spikatur; e donte natyrën si bujk dhe si artist. Ishte i pasionuar pas sportit dhe përditë harxhonim orë të tëra duke luajtur futboll, shah e sidomos volejboll, ku edhe shkëlqente. Përdorte shprehjen: “Biri im”, natyrisht me humor, por neve na dukej se me këtë shprehje donte të tregonte distancën me ne edhe në moshë edhe në nivel kulturor. Por nuk qe as njëra as tjetra; ishte thjesht një trill elegant ky apelativ që e përdorte për të parodizuar hijshëm petkun e një prelati imagjinar.

(Vazhdon)

SHARE
Artikulli i mëparshëm4 SKICA NGA : BONA MULAJ LLUKA
Artikulli tjetërJEHONA E BJESHKVE TE KELMENDIT

Revista “FJALA” është në treg për shtypin shqiptar, por edhe më gjerë, që nga viti 2012, por nga vlerat që mori dhe ofroi, kjo revistë bashkangjitur dhe me aktivitete social-kulturore, lindi ideja për të krijuar për ju të dashur lexues edhe këte uebfaqe…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here