ESTETIKË – (Sipas Pirandelos)

0
879

Zija Vukaj 

Shoh një zonjë të moshuar me flokë të ngjyer , lerosur krejt me s’di çfarë pomade të tmerrshme e pastaj gjithë e kallajisur pa shije dhe e stolisur me rroba rinore. Zë të qesh . Vë re se ajo zonjë e moshuar është e kundërta e asaj që një zonjë e respektuar në moshë të saj duhej të ishte. Mund të ndalem kështu përciptazi në këtë përshtypje komike. Komizmi është pikërisht një ndjenjë kundërshtie. Por, nëse ndërhyn tek unë reflektimi dhe më sugjeron se ajo zonjë e moshuar nuk ndjen ndoshta asnjë kënaqësi të stoliset ashtu si një papagall, por mbase e vuan këtë dhe e bën vetëm sepse mjerisht gënjen veten se e stolisur kështu, duke fshehur rrudhat e thinjat, arrin të mbajë për vete dashurinë e të shoqit shumë më të ri se ajo, ja që unë nuk mund të qesh më si më parë, sepse pikërisht reflektimi duke vepruar tek unë, më ka bërë të shkoj përtej asaj ndjenjës së parë ose më brenda: nga ajo ndjenjë e parë e kundërshtisë më ka bërë të kaloj në të kundërt dhe këtu është gjithë ndryshimi mes komizmit dhe humorizmit.Humorizmi pra, është një proces i paraqitjes së realitetit, i ngjarjeve e i personazheve; gjatë konceptimit dhe ekzekutimit të veprës reflektimi nuk është element dytësor, por merr një rol të një rëndësie të veçantë, sepse vetëm nëpërmjet tij mund të konceptojmë ngjarjen që zhvillohet para syve tanë. Reflektimi është si një demon i vogël, që çmonton mekanizmin e imazheve të marionetës së vendosur sipër nga ndjenja; e çmonton për ta parë si është bërë; shkreh zembrekun dhe gjithë mekanizmi krakëllin përpëlitës siç krakëllijnë personazhet nën syrin e mprehtë të shkrimtarit; dhe gjithmonë përmes reflektimit elementë të ndryshëm të strukturës së veprës koordinohen, afrohen e përbëhen, duke i ikur kaosit të ndjenjave e përshtypjeve.
Reflektimi, sipas Pirandelos, nuk fshihet kurrë as nuk mund të maskohet apo eleminohet nga vullneti apo ndërgjegjja e një personazhi, siç mund të ndodhë me një ndjenjë, nuk është si pasqyra, para së cilës njeriu shihet përsëri, por vihet përballë secilit si një gjykatës, duke analizuar ngjarjet dhe personazhet, me objektivitet dhe paanësi, duke shpërbërë imazhin e të gjitha gjërave, ngjarjeve dhe personazheve në përbërësit e vet: nga kjo shpërbërje lind ajo që Pirandelo e quan ndjenja e kundërshtisë. Detyra e shkrimtarit humorist është të demaskojë të gjitha kotësitë që mund të strehohen në shpirtin njerëzor, orvatja për të zbuluar themelet e jetës dhe të dramës së të kuptuarit se ato themele mbeten të panjohura; madje secili krijohet duke ndjekur jo rrugën e reflektimit, por atë të ndjenjës që provohet prej secilit në mënyrën e vet, larg çdo realiteti e çdo ndërgjegjeje të të jetuarit. Me humorizmin lind një vizion i ri i jetës, pa krijuar një kontrast të veçantë mes idealit dhe realitetit, pikërisht për shkak të aktivitetit të veçantë të reflektimit që “krijon ndjenjën e kundërshtisë, të mosditurit më se ç’anë të mbahet, mëdyshjes, gjendjes së pavendosur të ndërgjegjes”. Ndjenja e kundërshtisë dallon shkrimtarin humorist nga komiku, ironiku, satiriku, sepse merr një qëndrim të ndryshëm përballë realitetit: – te komiku mungon reflektimi, për të cilin qeshja e shkaktuar nga ndjenja e kundërshtisë është e padjallëzuar, por do të ishte e hidhur në prani të reflektimit, sepse ky do t’i hiqte argëtimin dhe do ta çonte në ndërgjegjen e dramës së gjendjes njerëzore; – te ironiku, kundërshtia mes çastit komik e çastit dramatik është vetëm me fjalë; po të ishte efektive s’do të ishte më ironi dhe batuta do të humbiste natyrshmërinë e saj, që është ajo që quhet kundërvënia mes asaj që thuhet e asaj që mendohet, por sidoqoftë, duke nënkuptuar të vërtetën; – tek satiriku me reflektimin “do të pushonte urrejtja ose, sidoqoftë, përbuzja e realitetit që është arsyeja e çdo satire”; satira në fakt vë në dukje defektet e njerëzve duke mbledhur aspektet më negative e të shëmtuara, me qëllim që t’i çojë njerëzit në rrugë të drejtë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.