Une e Baba mramë…

0
253

Bukra Hysenukaj Kastrati  May be an image of one or more people and people standing

Mramë e pash Babën n’andërr. Shumë rrallë m’shfaqet, veç kur m’vjen, kurrë s’ik pa m’rrok fort e pa ja puth at ballë t’përvjelun, sa kur m’del gjumi, ndihem bash sikur e kam kalue natën vërtet me ta.
Mbramë i bamë bashkë do punë t’hajrit. Kthyem t’furqit, te çekerki i tij n’baçe t’epër, punë e përvitshme e tij n’ket vakt, ku une kurr s’mungojsha, se m’tërhjeke shumë procesi, për mue i habitshëm, se si ato vishkulla (degë e njomë) kshtaje, 3-grremçshe, mbas pak ditsh u kthejshin në tfurqe t’bukur e t’lmojt e që i shërbejshin tan katundit e besa edhe kooperativs n’kohë t’saj. Ndezshim nji zjerm me krande, jo dru, se u dashke flakë e fortë, ku baba i përzhitke vishkullat vetëm te pjesa ku fillon 3-gremçi e sipër. Koha e mbajtjes n’flakë, ish tan sekreti i puns. Mandej shpejt e shpejt, sa ishin t’nxeta i futke n’çekerk, ku dy rremave t’poshtëm u jepke formë lakuese, ndërsa gjatësinë/bishtin, e bllokonte me nji skele, po dru kshtaje, e ku liheshin ashtu për nji javë. Kjo ish pjesa e parë por ma e randsishmja e punës. Kur ardhke koha me përfundue procesin, Baba nxirrke arsenalin e veglave, nga qerojset, brisqet, biçakt, deri te limat e t’tana niveleve. Vishkullat tashma ishin ba tfurq. Baba u hjeke si fillim lkurën e trash po elastike, tipar i drunit kshtajs ky, mandej i shkurtojke majet e i mprehke mirë, i gdhenke butë e me kujdes, si me kanë prej mishi e gjaki, i limojke me tana limat, deri te ajo ma e imta, mbasi kshtu nuk t’i vritshin duert. Kur kryejke kte pjesë t’procesit, Baba ish i përhumbun, si skulptori kur shkrihet me personazhin a subjektin e tij. Po, Baba bajke Art me gjithçka nxirrke prej atyne duerve lkurtrasha mashkullore prej kreshniki. Ndërsa për mue, për me m’ba me u ndie pjesë e veprës, (tonë) ruejke nji proces t’lehtë. At t’dhanunit dorën e fundit me zampare (letër zmeril). O Zot sa emocionues ish fundi. Baba u kujdeske edhe te ndamja e tyne n’fund. Kta, thanke, janë për gratë, se janë ma t’lehtë, e kta t’gatit për burrat si e qesin sanën deri n’maje t’mullarit.
Unë kesh e i pash livadhet. Hala s’ishin ba për kosë, veç kur t’bahen, sanën e re tash po e mbledhin me tfurqet e reja si i bamë une e baba mramë.
(P.s. foto ilustruese ashtë marrë nga nji faqe n’Kosovë “press online”)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.