TEK POEZIA E NDOC GJETJES NUK PUSHOI SË RRAHURI PULSI I JETËS NJERËZORE E NDJENJA E DASHURISË.

0
70
– Në Muajin e Letersisë .
JAK RROZHANIPërshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Poeti Ndoc Gjetja, është njëri ndër përfaqësuesit e spikatur të brezit të poetëve, që hynë në letërsi në fillimin e viteve `70 .Duke e nisur krijimtarinë e pasur , i preokupuar, që përmes motiveve që trajtonte, formës së vjershërimit e veçorive stilistike, të ketë një zë të vetin. Ku me kënaqësi themi, se ai tashmë qëndron denjësisht përkrah poetëve më të mirë, që meritojnë të zënë vend në historinë e letërsisë shqipe. Ai i këndoi aq bukur dashurisë; “ Më hidh në zjarr/ Në det, në ferr/ Më hidh në baltë / Më hidh në hon/ Veç të lutem mos më lër / Në atë vend ku ti mungon”. Krijimtaria e Ndoc Gjetjes për më se tre dekada , është mjaft e vlerësuar, ku siç shprehej ai; “poezinë nuk e shoh si shkrimtarësi, por si shpirtësi “, dhe përbën modelin e një krijues të veçantë . Ishte një poet origjinal, më shumë i lindur , me profil të qartë poetik, ku vargun , mjeshtërinë artistike e krijimin , e përpunoi në laboratorin e vet krijues. E nëse e shohim këtë në sensin e shpirtit të paqmë, dlirësisë e pastërtisë, vyrtytit njerëzor, themi s poeti ynë, përfaqësonte një specie të veçantë dhe me dashurinë e madhe për qytetin e tij Lezhën. Duke përsëritur thënien e një poeti të huaj ; “ Edhe një fshat, mund të bëhet qyteti më i madh i botës, po të banohet nga njerëz të vërtetë”. Me të drejtë, e kanë pagëzuar si poetin “ që në çdo poezi, Ndoci di ti bjerë bukur tastierës së humanizmit”, ndjenjës që gjallon në çdo varg të tij e nuk pushon së rrahuri pulsi i jetës njerëzore. Por që i zhgënjyer nga jeta , shkruante “ Epitaf për veten “ ; “ Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja / I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë /Ndoc Gjetja Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha / Dhe gjithë njerëzit i quante shokë” / Në poezitë e tij , Ndoc Gjetja mblidhte nektarin e jetës, duke ruajtur sensin e masës së krijimit, poezi të ndjenjës e mendimit, ku në çdo varg lëvrin jeta, ajri i freskët, aroma e barit, dritëhijet e kohës. Ideali i poetit, ishte njeriu i mirë, të cilit e këndonte me frymëzim e ngrohtësi, por edhe me ton e zemëratë të brendshme. Duke i shkruar embël dashurisë njerëzore , ai qëndron përballë vuajtjes si një fisnik, ku gjithë jetën shkroi poezi, ndonëse provoi vuajtje e privacione. Jeta e poetit Ndoc Gjetja , ishte aq tokësore, sa vepra e tij, fjalëpakë e i matur, larg lavdeve, i thjeshtë e komunikues, ku ka preferuar të flasë përmes poezisë. Siç preferojnë ata krijues, që kanë zgjedhur të jetojnë në këtë botë, pa kërkuar të bien në sy , ku refuzoi çdo gjë në emër të shpirtit të papërlyer e të lirë ; siç shkruante në Epitaf; “ Dhe shkoi, hyri në manastirin e Unit / Të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes / Pastaj e përcollën në banesën e fundit / Me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës “. E kështu , me krijimtarinë e pasur, poeti Ndoc Gjetja , mbetet një figurë emblematike, një poet i dashur për të gjithë brezat, njëri prej poetëve e njerëzve më modest e fisnik për kohën që jetoi e veprën e pasur që la pas , duke perifrazuar Euripidin , se “ Zemrat bujare, nuk i pranojnë lavdet, kur janë të tepruara”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.