Nënkryetarja e bashkisë Shkodër ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Pas testit që ka bërë një ditë më parë nënkryetarja ka marrë përgjigjen duke u konfirmuar si e infektuar. Sipas burimeve nënkryetarja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe i vetmi shqetësim që ka është temperature 37.5. Tashmë pas përgjigjes nënkryetarja ndodhet në karantinë në banesën e saj.Ndërkohë bashkë me nënkryetaren edhe një punënjës tjetër i bashkisë ka rezultuar pozitiv, konkretisht një punonjës i shtëpisë së fëmijës 6-18 vjeç. Pas konfirmimit të këtyre dy rasteve tashmë po bëhen tamponët për një sërë punonjësish të cilët kanë patur kontakte këto ditë me nënkryetaren e bashkisë dhe punonjësin tjetër të infektuar.Nga ana tjetër ka nisur puna për marrjen e disa masave nga ana e bashkisë Shkodër që kanë të bëjnë me dezinfektimin e zyrave të nënkryetares dhe punonjësit tjetër por edhe mjediseve të tjera në të cilat kanë lëvizur. Sipas burimeve është e paqartë se si është infektuar nënkryetarja e bashkisë Shkodër ndërsa ka dyshime se mund ta ketë marrë në ndonjë dyqan.Ndërkohë dita e fundit kur nënkryetarja e bashkisë ka qenë në punë në bashkinë Shkodër është dita e enjte e javës së kaluar më 25 qershor. Ndërkohë tashmë po merren masa edhe për dezinfektimin e mjediseve të ndryshme të shtëpisë së fëmijës.Një tjetër masë është edhe tamponi ndaj punonjësve të shtëpisë së fëmijës të cilët mund të kenë patur kontakte me personin që rezultoi i infektuar por edhe gjurmimi i kontakteve të tjera jashtë institucionit. Tashmë institucionet vazhdojnë që të jenë një rrezik potencial për përhapjen e koronavirusit teksa një pjesë e konsiderueshme e këtyre institucioneve kanë raste të të infektuarve ndonëse në kohë të ndryshme.