SHËN MHILLI DHE KISHA E BOGËS NË VEMENDJEN TIME.!

0
2085

Prej më shumë se dy shekujsh është bërë traditë që në Malin apo flamurin (bajrakun) e Bogës të festohet me madhështi , si festë kryesore fetare SHËN MHILLI”. Madhështia e kremtimit të kësaj feste fetare është aq e madhe në Bogë , sa në Malësi të Madhe e më gjërë (edhe pse Shën Mhilli kremtohet edhe në Vukpalaj , Pjetroshan e tjerë), “identifikohet” si festa e Bogës apo Shën Mhilli i Bogës. Dita e Shën Mhillit është data 29 shtator e çdo viti , por (si edhe per festat e tjera fetare në Malësi) kremtimi i Shën Mhillit fillon me datën 28 shtator në mbrëmja e cila njihet si nata e Shën Mhillit. Në ketë natë që fillon kremtimi shtepiat fisnike të Bogës presin miq , bija , dashamirës , kumari e shokë të cilët priten si e ka zanat malësori me bujari e zemër të bardhë dhe me sofrat plotë me pije e ushqime tradicionale , ku mbi të gjitha spikatë ferliku…Atë natë ndizen edhe qirinjët tradicional të kësaj feste fetare . Shën Mhillit vijon të festohet me madhështi edhe diten me 29 shtator , ku gjatë kesaj dite shkohet në Kishë ku shihet meshë dhe thuehen lutje .Ndersa pas meshet dikur ka qenë zakon që të zhvillohen aktivitete me këngë e valle në oborrin e Kishës , por edhe në vende të caktuar të gjuhej shenji me pushket personale… (Një garë interesante në qitjen me armë , që në një far menyre edhe nxiste malësorët e ri per të mësuar që të qitnin sa ma hollë (saktë) me pushkët e tyre , me të cilat mbronin nderin , familjen , lirinë , shtëpinë dhe trojet e tyre shqiptare). Bogëjanët persëri “sot” në ditën e Shën Mhillit , pas meshet , në oborrin e Kishës organizojnë koncerte me këngë e valle tradicionale dhe moderne… Nga librat e shenjtë mësojmë se Shën Mhilli është kryeengjëlli që për nderë të Zotit luftoi së bashku me engjujtë e tjerë kundra Luciferrit (djallit me fëtyrë engjulli) , që kerkonte të pushtonte fronin e Zotit në qiell. Është “interesant” të thuhet se perpara vitit 1801 Boga festonte si festë fetare kryesore Shën Prenën (Shnaprenën). Kremtimi i Shën Mhillit si festa kryesore e Bogës mori jetë në ato mote , kur shqiptarët e veriut me në krye Malësinë e Madhe dhe Kelmendin , ku bëntë pjesë Boga në organizimin e vjeter shoqëror e “shtetror”, (si flamuri apo bajraku i katërt i Kelmendit) , filluan të rikrijojnë aleanca dhe organizime të reja nderkrahinore per të luftuar kundër pushtuesit shekullor turko-osman. Në këtë “valë” rizgjimi të ndjejës kombetare , Boga ishte një strehë e sigurtë per miqtë trima , të urtë , liridashës e luftëtar të venmdosur të Malësisë Madhe , Plavës , Gucisë , Dukagjinit e më gjërë kundër pushtuesve ottoman. Meqense Shën Mhilli njihej edhe si Kryeengjulli mbrojtës i miqëve , bogëjanët duke ju lutur ketij shenjëtori t’i ndihmojnë per të ruajtur e mbrojtur miqtë atdhetar vendosen që diten e Shën Mhillit ta kremtojnë me madhështi si festen e tyre kryesore fetare… Shën Mhilli është shënjëtor i njohur e i perhapur në të gjithë botën kristiane , ndonse sipas gjuheve të vendeve të ndryshme e “therrasin” Shën Mikeli , Shën Mihali e tjer , ku edhe i janë kushtuar qindra Kisha e famulli nëpër botë… Duke dashur t’ju uroj Gëzuar me gjithë zemër festen e Shën Mhillit Bogëjanëve (dhe të tjerve që e festojnë) , mendova që ketij urimi t’i “bashkëngjis” një shenim historik timin për Kishën e Bogës..:

KISHA E BOGËS NË UDHËKRYQET E MOTMOTEVE
Kisha që shohim sot në Bogë i kushtohet SHEN MHILLIT . Kjo kishë si dhe të tjerat në Malësi e Shqiperi është një mrekulli e rindertuar ,apo më sakt e ringjallur pas stuhisë së ateizmit komunist të viteve 1967-1990. Kisha e Bogës “fatësisht” gjatë stuhisë ateiste nuk u shkaterrua ,por u tjetersua në magazinë ,furrë buke ose diçka tjeter. Kjo kishë ka një histori rreth 400 vjeçare ndertimi aty ku është sot , në Preçaj (qender e fshatit), ndonse ateherë ishte me permasa më të vogla.. Sipas një relacioni që i dergohej Romës në vitin 1669.. , nga ku mesohen edhe emrat e misioneve , kisha e Bogës drejtohej nga Misioni i Kastratit i cili i ishte besue atë Giuseppe da Orvieto , i ndihmuem prej fra Pacifico i fshatit të Bogës , perfshinte , sadoqë jashtë juridiksionit vet , fshatrat e Kosanës dhe të Koçiqit ,”nënshtrua osmanëve” dhe atë të Bogës që nuk i lante haraç sulltanit. …1. Ndersa nga një relacion i Dioqezez së Shkodres i vitit 1745 mësojmë se kisha e Bogës bente pjesë në famullinë e Shkrelit . Kjo kishë ishte larg nga Bashieta (Bzheta) e Siperme dy orë e gjysem (me kembë N.B.) , numronte 39 shtepi katolike me 267 frymë.Kisha e famullisë i kushtohej Shna Prenës…2. Siç shihet gjatë shekujve të më vonshem (e deri sot) kemi të bejmë jo me ndertime të reja ,por kemi të bejmë me rindertime e zmadhime të kishes së Boges ndër mote e shekuj…Ketë histori rindertimesh e verteton edhe një studiues i huaj që është marrë me hartat e Kantelit dhe Koronelit të shekullit XVII, i cili rikonfirmon ndertimin e Kishes së Boges para shek.XVII ,dhe se kjo kishë ishte e ndertuar në qendër të bajrakut të Boges ,në Preçaj…3. Nga një relacion i vizites baritore të vitit 1756 të ipeshkëvit Pal Kampesi mesojmë se Boga kishte 30 shtepi me 129 banorë të rritur dhe 210 femijë. Kisha i kushtohej Shna Prendes ,ndersa famulltari që kryente sherbesat fetare në ketë kishë ishte Anton Logoreci .4. Sipas disa gojdhënave (që mund të gjenden edhe sot , fillimi i shek.XXI) kjo kishë deri në fillimin e shek.XIX i kushtohej Shna Prenes , që më shumë ishte festë per bjeshkataret.. Por pas vitit 1801 kisha i kushtohet Shën Mhillit , që njihet edhe si kryenegjëlli mbrojtes i miqëve. Festa e Shen Mhillit në Bogë (si dhe kudo që kremtohet), fillon naten e 28 shtatorit dhe vazhdon diten e 29 shtatorit. Ferliqet ,gostitë e ndryshme ,por mbi të mikpritja e veçantë që gjindet në shtepiat e bogëjanve janë një mrekulli u ruajtur prej shekujsh ,ndaj shpesh kremtimi i kesaj feste i “identifikohet” si Shen Mllilli i Boges..Duke u bazuar edhe në të dhënat e regjistrimeve të pushtuesve osman të viteve 1485 , 1582 e vijim mesojmë se banoret e Boges kanë qënë gjithnjë besnik të pa lekundur të besimit Kristian –Katolik. ,ndaj shumë vendime apo usulle (siç quheshin ndër kohë), që janë marrur në favor të ketyre trojeve ,janë marrë pikrisht te kisha e Boges..Per të vertetuar sado pakë nga keto evenimente historike e jetike me mjaftë aromë Europerendimore , po kujtojmë se Boga ( si Malesia e më gjërë) edhe në kushtet e një shteti pa shtet (pasi ai otoman ishte pushtues e dashakeq..) kishte gjetur forcë e mendje per të organizuar kuvende apo usulle per të vendosur rregull e qetsi në vendin e vetë ,si dhe per të ruajtur vlera të parbashketa që ju ai kishte falur Zoti. Një usull i till u muar me daten 15 dhjetor të vitit 1906, i cili perbehej nga shtat “pika”që në pergjithsi kanë të bëjnë me rregullimin e mardhenieve në mes banorve pa dallime trashigimie e hierarkie (derë bajraktari ,vojvode apo gjobari) ,ruajtjen e bashkejetesës e harmonisë në mes bogëjanve në zbatim te kanunit të rregulluar me usulle e marrveshje ,si dhe në caktimin e rregullave kur me dalë në Okol (bjeshkë verore …) e tjer , por edhe vendosjen e gjobave per ata që nuk zbatonin apo shkelnin Usullin… Miratimi i ketij Usulli ka në fund “nenshkrimet” : bajraktari Losh Sokoli (vulë), Nikë Prek Leka (vule) ,Nikë Shyti ; Gjobar : Mash Pllumi ,Lekë Martini ,Zef Toma , Lekë Micani , Gjon Martini ,Tomë Gjoni , Gjergj Kola , Dedë Elezi , e Maç Prela (9 gishtrinjë e një vule).5. Po nga ky burim (dokumenti nr.14 , fq.184-185 i librit sipercituar) ,mesojmë se Bajraku i Boges me daten 28 tetor 1907 bënë edhe një Usull tjeter të rendesishem per ngushtimin e gjakmarrjes ,duke bua (ndjekë) vetem shtepia –shtepin, madje në usull thuhet me ba vaki me u nda dy vellazen dje e sot , e me vra vellau dikë në bajrak të vet ,ai vella që u nda mos me u fshehur per gjak aspak ,dhe ba me dasht bile mund të shkojnë me varros të vramin… Nëse shkelej ky usull parashikoheshin masa shumë të forta ndeshkimore e tjer..Ketë Usull ,apo me sakt Vendim e nenshkruajnë : Bajraktari -Losh Sokoli (vulë ), Vojvod- Zef Prekë Leka (vulë) ,Nikë Shyti (vulë). Duhet të theksojmë se vendimet janë të gjitha të shkruara , madje edhe të arshivuara nga autoritetet shtetrore të asaj kohe në Shkoder. Një ndihmë të madhe në keto kuvende ku merreshin vendime apo usullet siç i quanin ateherë jepnin famulltarët e kishave katolike perkatëse , ku keta famulltarë pergatitnin infrastrukturen e kuvendeve dhe shkruanin usullet…Perveç shumë usulleve apo vendimeve një eveniment me vlera që lidhet me Kishen e Boges është edhe ngritja e flamurit kombetare me 5 prill 1941 nga kleriku antifashist ,patrioti Pater Leke Luli , i cili në shenjë proteste kunder pushtuesit fashist në prani të treqindë malsoreve do të valviste flamurin e Gjergj Kastriotit (pa shenjat e liktorit..) në oborrin e Kishes së Boges…Në Bogë (në fisin Ulaj) kishin lindur dy vellezerit shembull të binomit Fe dhe Atdhe : Atë Marin Sirdani (1887-1962) i cili perveçse ishte një patriot e klerik i mirë ,ishte edhe një studiues e historianë i kalsit parë .Megjithse diktatura e burgosi e persekutoi , Atë Marini na ka lënë veprat e tij me vlera.. si : Ndriçime të historisë ,të kultures dhe të artit shqiptar , Françeskanet në Shqipni dhe shqiptaret katolik në lamë të Atdhetarisë , Skenderbeu mbas gojdhenave etjer… Dom Aleksander Sirdani (1903-1948), edhe ky perveçse ishte një klerik e patriot i dalluar ,ishte edhe Etnograf , Historian ,Mbledhes folklori dhe fjaleve të rradha e të urta ,si dhe një poet i embel. Diktatura komuniste pasi e arreston i merr shpirtin pa gjyqë në “Mat’hauzin” e vogel të Kopliku ne vitin 1948. Trupin as sot nuk dihet se ku ja kanë hellur , ndersa veprat e tija janë vjedhur nga sahanlepirsit që diktatura i gradoi deri me tituj Profesor… Sot Boga dhe kisha e saj janë krenarë me keta bijë të vet ,që janë nderuar nga pushteti domokrat lokal i komunes Shkrel , ndersa Dom Aleksandri ( Dom Leka) është edhe njeri ndër 40 martiret e kishes Katolike të shenjtëruar nga Selia e Shenjtë (Vatikani).. Boga sot në regjistrin e gjendjes civile (të njesisë administrative Shkrel) ka të shenuar rreth 500 banorë , të gjithë të besimit katolik. Nga Boga ndër shekuj janë larguar edhe dhjetra familje apo qindra banorë që kanë shkuar per të jetuar brenda trojeve të Malesisë e Shqiperisë ,por edhe në Europë e deri në Amerikë. Boga me organizimin e vjeter shoqerore ka qënë njeri nder kater bajrakët e Kelmendit ,ndonse në organizimet kishtare dhe ushtarake thuajse vazhdimisht i është bashkëngjitur Shkrelit. Boga ndër mote ka qënë vend i mrekullueshem klimaterik i “ndertuar” nga dora e Zotit , dhe mrekullitë e ropit (njeriut). Ketë e dallon çdo vizitor shqiptarë dhe i huaj ,por ne menduam të “zgjedhim” per të cituar një studiues dhe historian të më shumë se një shekulli më parë , Theodor Ippen , i cili nder të tjera do të shkruante :
“..Një Pamje të bukur ka …fshati me kishë i Boges …Ketu lugina hapet në një fushë (rrafshnaltë..N.B.) të vogel me lendina që të prehin syrin , kanë bukuri edhe malet ..Udhëtari që vjen në Bogë ka per të parë me interesë kryqet e drujta mbi varrezen që rrethon kishen e fshatit…Perveç gdhendjeve në dru ,sheh në to një zbukurim të çuditshëm ; në krahun vertikal edhe në cipet e krahut anësorë janë gdhendur në dru tre zogj në madhesinë e një mudhibardhe , ose mëdhenje. Ky zakon vjen pa dyshim nga ndonjë besim popullorë…6. Është interesant se edhe sot pas më shumë se njëqindë viteve (kur Bogen e kishte vizituar Ippeni) , mund të konstatohen keto “zbukurime” interesante në varrezat e Boges, (ndonse zbukurimet sot janë më moderne e bashkohore) , ndersa kisha dhe varret rreth saj janë po aty dhe po ato..të cilat ruajnë me “konservatorizem” një histori me vlera besimi e qytetrimi me kahje nga perendimi…
Referencat:
1.Italo Sarro , Kontribut për historinë kishtare të Shqiperisë së Eperme shek.XVII-XIX ,fq.27-28, botime Franceskane ,Shkodër , 2015.
2.Nevila Nika ,Dioqeza e Shkodres gjatë shek.XVIII , sipas dokumenteve arkivore ,fq.156.
3.Ermanno Armao ;Vende , kisha ,lumenjë , male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore ,fq. 49.
4.Italo Sarro , po aty , fq.59.
5.Kahreman Ulqini ,Struktura e Shoqerisë Tradicionale Shqiptare ,fq.182-184,dok.nr.13 ,marrë nga arkivi i muzeut historik Shkoder..
6.Theodor Ippen ,Shqiperia e Vjeter…fq.26.
7. Vrojtime dhe trashigimi gojore të mbledhura nga autori N.B.

Nga: Ndue BACAJ

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.