REXHO MULLIQI KOMPOZITORI MË I MADH QË KA DHËNË KOSOVA

0
191
Shaban HASANGJEKAJ  Shaban Hasangjekaj | KOHA JAVORE
“Duket se koha po e bën gjithnjë e më të madh. Ngase edhe sot, katër dekada pas vdekjes, disa etnicitete e rrethe kulturore, akoma debatojnë rreth faktit se kujt i takon. Kompozitorin Rexho Mulliqin për së gjalli e ndoqën, izoluan, burgosën, heshtën e anatemuan. Pas vdekjes, kombe e institucione u përpoqën ta ‘përvetësojnë’, e bëjnë pjesë të kulturës së tyre”, janë këto fjalë me të cilat e fillon shkrimin e shënimit të vet vërtetë me vlerë, veprimtari i mirënjohur kosovar i çështjeve muzikore Hys Shkreli, kushtuar biografisë së bujshme dhe voluminoze të kompozitorit të famshëm me prejardhje nga Gucia, Rexho Mulliqi.
Rexho Mulliqi, i njohur në rini si Rexhep Mullaj, u lind më 18 mars 1923 në Guci, mirëpo sipas deklaratës së nipit të tij (djalit të vëllait) Rifat Mulliq, ai është lindur dy vite më parë, në vitin 1921. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar si shumë të tjerë nga kjo anë Medresenë e Shkupit deri në vitin 1941.Mund të jetë një imazh i 1 person
Shumë herët i la imazhet idilike të vendlindjes – Gucisë, të cilën e donte shumë, dhe bukuritë piktoreske të Bjeshkëve të Nëmuna për t’u shkolluar në Shkup. U regjistrua në Medresenë e madhe të këtij qyteti, e cila ndonëse ishte menduar si shkollë fetare, u shndërrua në vatër intelektualësh, patriotësh e disidentësh politik nga të gjitha viset shqiptare. Mulliqi shumë shpejt ra në sy në këtë shkollë për talentin e tij, jo në muzikë, por në pikturë. Në këtë shkollë aso kohe, pos shumë lëndëve të tjera mësohej edhe muzika, e pesë gjuhë të huaja. Megjithëkëtë, pak kush ka mundur të parashikoj që nga një medrese të dalë një krijues i muzikës klasike. Aty Mulliqi kishte arsimtar muzike një rus (Aleksandër Zalijev), i cili i pari e zbuloi talentin e djaloshit për muzikë dhe i sugjeroi regjistrimin në Akademinë e Muzikës. E futi në korin e shkollës dhe i propozoi violinën, instrument në të cilën Mulliqi do të dashurohet shpejt. Mirëpo, kjo përkrahje e arsimtarit rus, një dit do t’i kushtojë Mulliqit. Do t’i hakmerret e bëhet njollë politike, e akuzë e mëvonshme.
Nga vitet e Shkupit, dashuria e Rexho Mulliqit do të bëhet violina. Me atë instrument, Mulliqi i ri do t’u bie në sy edhe ushtarëve pushtues italian në vendlindje, ku ushtronte në një depo të zbrazët pranë rezervuarit të ujësjellësit. Ushtarët italian një ditë rrethojnë vendin, mirëpo me të dëgjuar violinën, ulin armët dhe të befasuar me virtuozin e ri, e pagëzojnë atë “Paganini i vogël”.
Nga Shkupi ku qëndroi deri në vitin 1941, Mulliqi transferohet ne Shkollën Normale të Prishtinës. Tri vite më vonë, fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në këtë qytet, një ditë, të gjitha planet e ëndrrat e tij krijuese do të thyhen. Në vend të diplomës, do t’i dorëzohet fletë-arresti, dhe do të përfundojë në burg si anti-titist e kundërshtar i sistemit. Në vitin 1948, Jugosllavia prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin.
Pushteti filloi gjuetinë kundër politikanëve e intelektualëve opozitarë. Kjo atmosferë, do të shfrytëzohet për të akuzuar, etiketuar e dënuar shumë njerëz të pafajshëm. Një jetë me Rexho Mulliqin - KOHA.netTe gjithë kritikët e opozitarët e sistemit jugosllav u futën në një thes dhe në një burg të ngritur mbi një ujdhesë të izoluar në Detin Adriatik. Ishte ky burgu me i errët e me famëkeq i ish-Jugosllavisë, Goli Otok. Aty gjendej edhe një numër i madh shqiptarësh të tjerë të burgosur. Vet emri Goli Otok, apo “Ishulli i zhveshur”, për ironi, sikur përkonte me qëllimin e pushtetit, zhveshjen nga dinjiteti, liritë personale e personaliteti i të burgosurve dhe “krijimi i njeriut të ri” sipas dizajnimit komunist të kohës. Mulliqi nuk u thye…
Pas përfundimit të burgut, në vitin 1953, Rexho Mulliqi do ta lidhë ardhmërinë e tij me Kosovën, së pari me Prizrenin, ku punoi si pedagog, pastaj me Prishtinën më 1956, ku do të bëhet përgjegjës i Programit Muzikor të Radio Prishtinës, të vetmit radiostacion me program në gjuhën shqipe në Kosovë. Aty themeloi Korin e Radio Prishtinës, dhe së bashku me Lorenc Antonin, i vunë themelet institucionale traditës popullore dhe muzikës artistike në Kosovë. Edhe pse tani në liri, etiketa e zezë – ish i burgosur politik, do ti rri mbi kokë edhe për shumë vite të tjera. Megjithëkëtë, jeta në Prishtinë do ta aktivizojë shpirtin e tij krijues. Me Kosovën do ta lidhë jo vetëm muzika, por edhe gjëra të tjera…
Mulliqi kishte një fjali, si totem motivues: “Muzika ishte dashuria ime e parë dhe e fundit”, thoshte ai. Mirëpo në jetën e tij është një përjashtim nga kjo thënie. Ishte një kohë kur Rexho Mulliqi kishte edhe një dashuri të dytë, pos muzikës. Duke punuar në Prishtinë, ai afrohet me një këngëtare të re e të bukur, e cila përmbledhte në unin e saj tërë atë që një krijues muzikor mund ta ketë ëndërr frymëzuese – bukurinë, sharmin e zërin. Ajo këngëtare quhej Nexhmije Pagarusha, dhe aso kohe punonte në fonotekën e Radio Prishtinës. Dashuria midis Mulliqit e Nexhmijes u rrit në martesë. Nga kjo martesë lindi i vetmi djalë, Leonardi, kurse nga ajo dashuri, lindi kënga e famshme “Baresha”.
Sot, mund të supozojmë se inspirimi krijues për “Bareshën”, mbështetej nga dy burime: zërin brilant të Nexhmije Pagarushës dhe natyrën magjepse të vendlindjes së kompozitorit – Gucisë. Ai ishte lindur e rritur pranë Bjeshkëve të Nëmuna, midis peizazheve kolorite, ku baresha është frymëzim e simbol i bukurisë femërore. Baresha, mbase ishte një Nexhmije e ëndërruar dikur moti, larg në rininë e jetën pastorale të lënë në vendlindje. Ndonëse martesa e Mulliqit me Nexhmijen një ditë përfundoi, ata mbeten në lidhje të pafund nëpërmjet këngës së përbashkët “Baresha”. Kjo këngë ka një strukturë të pasur dhe komplekse për zhanrin të cilit i përket. Duket se kompozitori duke krijuar atë, kishte në mend një projekt më të madh. Në të vërtetë elemente e sentenca muzikore të “Bareshës”, hasën edhe në dy simfonitë e Mulliqit. Më vonë, ai bëri edhe një variant orkestral të “Bareshës” dhe kështu, ky kompozim, u bë kriter i standardeve për komponimin e këngëve në frymën e melosit popullor për krijuesit e tjerë.Rexho Mulliqi Albums: songs, discography, biography, and listening guide -  Rate Your Music
Vitet e Prishtinës, do te jenë periudha më e frytshme në jetën artistike të Rexho Mulliqit. Ai u shndërrua në institucion që vuri themelet e muzikës artistike në Kosovë, posaçërisht të simfonisë, si gjini e rëndësishme e këtij arti.
“E ndiej veten të hendikepuar që nuk i takoj profesionalisht kësaj fushe për t’u thelluar në vlerësimin e veprave të Mulliqit. Mirëpo duke studiuar jetëhecjen e tij, më lehtë kuptohet e përjetohet muzika që ai krijoi dhe anasjelltas: duke dëgjuar veprat e tij, ne sot lexojmë jetën e kompozitorit”, shprehet në shënimin e vet kushtuar biografisë së kompozitorit, veprimtari Hys Shkreli.
Rexho Mulliqi është autori i simfonisë së parë shqiptare të krijuar në Kosovë dhe pionier i muzikës kamertale në këtë ambient. Ai është edhe shqiptari i parë që shkroi muzikë filmi në Kosovë. Me përjashtim të operas, Mulliqi krijoi në të gjitha gjinitë, nga muzika kamertale e deri te këngët për fëmijë. Ndër veprat e tjera të njohura të tij janë Simfonia nr. 1 (1955), Simfonia e dytë Kosovare, Fantazia simfonike, “Akuarelet e Prizrenit”, “Legjenda për violinë dhe piano”, pastaj kantatat “Vdekja e heroit”, “Poema për ata”, “Baresha”, kompozimet vokale për kor “Vjeshta” I dhe II, “Kosova”, “Suita e vogël” etj.I kujt është Rexho Mulliqi ? – PLAVA E GUCIA SOT Në opusin e tij të pasur artistik, veçohen veprat orkestrale, nga të cilat kurorë e punës së tij është Simfonia e Dytë Kosovare. Ajo është një biografi e Kosovës dhe poetit. Fillon me një shpërthim jete në tinguj, si një frymëlindje e nevojë për hapësirë e energji, dhe pastaj qetësohet me piano, flautë e instrumente të lehta që sikur pikturojnë natyrën shqiptare të fëmijërisë së autorit, apo edhe Dardaninë antike, para një shkundjeje që sikur paralajmëron fortunat historike nëpër të cilat kaloi ky vend. Në pjesën e dytë ashtu si edhe jeta e kompozitorit dhe ambientit ku jetoi, ky motiv përshkrues piktural ngritet në një dialog dramatik me orkestrën e plotë, zhvilluar në etapat që secila në vete përbën një rrëfim të veçantë muzikor, ndonëse kompakte në tërësinë e veprës. Është një vepër antologjike, që nuk ka ekzistuar më herët si gjini në Kosovë. Elemente nga kjo simfoni janë shfrytëzuar nga autori edhe në muzikën për filmin “Uka i Bjeshkëve të Nëmura”, i cili ishte i pari koproduksion i shtëpisë së dikurshme filmike “Kosovafilmi”.
Kompozitori Rexho Mulliqi, shkroi edhe muzikën për baletin “Nita” dhe “Legjenda mbi ngadhënjimin” si dhe për shfaqjet teatrore “Besa”, “Erveheja”, “Nita, “Fosilet”, “Dundo Maroje” etj. Të gjitha këto vepra janë realizuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës (ish-Krahinor). Përpunoi dhe harmonizoi mbi 150 këngë të ndryshme popullore shqipe. Muzika e tij u jetësua edhe në ekranin filmik e televiziv. Ishte kompozitori i parë shqiptar nga Kosova që kompozoi muzikë për film.PËRKUJTOHET REXHO MULLIQI - YouTube Filloi me filmin “Kapiten Lleshi” në vitin 1960, ku përdori motivet e këngës së njohur “Po vijnë krushqit”, mirëpo në një ritëm paksa komercial. Ky film i produksionit jugosllav me aktorë kombësish të ndryshme, kishte për subjekt luftën antifashiste shqiptare dhe konfliktin midis komunistëve dhe ballistëve. Filmi është shfaqur gati në tërë botën, dhe një kohë ishte hit në vendet e Ballkanit e deri në Kinë. Në film paraqiten disa aktorë shqiptarë, kurse një rol kryesor e luan Abdurrahman Shala. Motivi “Po vijnë krushqit”, që në film fatkeqësisht këndohet në gjuhën serbo-kroate, është përkthyer e kënduar në disa gjuhë të huaja, madje edhe ne gjuhën kineze (mandarin). Duke mos ditur se si ka arritur kjo këngë në film, viteve të fundit në media digjitale, disa të rinj shqiptarë kanë zhvilluar debate kritike duke besuar se “serbët e kanë vjedhur këtë këngë shqiptare për filmin e tyre”. E vërteta është kjo se kjo këngë shqipe ka hyrë aty nga Rexho Mulliqi, emri i të cilit qëndron me autorët e tjerë të filmit. Sot ky detaj duket i parëndësishëm, mirëpo në vitet e 60-ta, ishte pjesë e afirmimit të folklorit tonë. Mulliqi shkroi muzikën edhe për filmat: “Uka i Bjeshkëve të Nëmura”, “Era e Lisi”, “Qërim hesapesh”, si dhe për një numër filmash dokumentarë.Rexho Mulliqi - KultPlus
Përndryshe, Rexhep-Rexho Mulliqi ishte njeri i qetë e modest, me një kulturë evropiane për kohën e tij. Në shpirt lirik, në një kohë të zymtë. I kishte ndodhur që të fitojë edhe shpërblime ndërkombëtare dhe këtë informatë të mos e ndajë as me miqtë më të afërt… Një vullkan i qetë – plot energji artistike. Tradicional në komponim, por në hap e në komunikim në kohët e rrjedhat kulturore. Dukej apolitik në jetën publike, por ishte thellë i shqetësuar për ngjarjet që e rrethonin. Ishte i heshtur, por plot ide e inovacione krijuese. Mulliqi nuk fliste shumë për të kaluarën e tij, as për biografinë e tij. Një kohë edhe disa individë shqiptarë, nga smira ose për arsye të tjera, ia mohuan përkatësinë etnike shqiptare. Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur se çfarë kombësie i takon, ai ishte përgjigjur shkurt: “Pyetni muzikën time”. Heshtja e tij fliste gati sa edhe muzika që kompononte. Ai nuk e zgjodhi heshtjen, por ajo iu imponua. Ishte i vetëdijshëm që hapi dhe fjala e tij kontrolloheshin nga pushteti. Heshtja e tij ishte protestë. Kompozitori Akil Koci e quajti “kompozitor të harruar”. Ndonjëherë i vetmuar shoqërohej me një gotë. Por, kur gota e tradhtonte, atëherë nga goja e tij dilte e vërteta, siç kanë thënë latinët. E kur Rexhoja fliste, të tjerët iknin, sepse fjala e tij shigjetë, godiste aty ku të tjerët s’guxonin. Për shkak të së kaluarës së tij politike, flitej se ishte radhitur në listën e personave nën mbikëqyrje të përhershme nga shërbimi sekret. Njerëzit nga ajo listë, para çdo vizite të Titos ose ndonjë partiaku të lartë jugosllav në Kosovë, izoloheshin ose arrestoheshin. Pushteti i frigohej fjalës së Rexhos.
Muzika e Rexho Mulliqit hyri në Evropë, atëherë kur Kosova ishte larg saj. Kompozimet e tij u kënduan ose ekzekutuan nga Austria deri në Angli, në kohën kur të tjerët fare pak dinin për të. Dy këngët e tij më të njohura për kor janë “Vjeshta” dhe “Vendi im”. “Vjeshta” në vitin 1966 ka fituar shpërblimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar Artistik në Langolen të Anglisë. Për t’i qetësuar pushtetarët e kohës, të cilët mbanin nën llupë punën e tij, Mulliqi aty-këtu shkroi edhe ndonjë këngë ose kantatë në tema që u imponoheshin krijuesve nga regjimi. Mirëpo, ky fakt nuk ia zbeh as ulë vlerën kompozitorit as thesarit muzikor që la pas.
Jeta e Rexho Mulliqit nuk ishte e qetë e as e thjeshtë. Ai dukej sikur bënte jetë boemi, mirëpo shpirtin e tij e bënin të zi kohët dhe ngjarjet që kishte shkelur e jetuar. Nga fëmijëria barte një plagë të thellë. Ishte gati foshnje kur në derë të shtëpisë së lindjes i kishin vrarë të atin. Fqinjë joshqiptarë i kishin thënë: “… babanë ta vranë shqiptarët”, kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë me pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Dy detaje që nuk qëndrojnë së bashku. Rexhoja u rrit, jetoi dhe vdiq me këtë enigmë në zemër. Jeta e tij ishte gati si muzika që krijoi. E pasur me ngjarje, me ndonjë dashuri, por edhe me drama të stuhishme.Rexho Mulliqi - Alchetron, The Free Social Encyclopedia
Rexho Mulligi vdiq në Prishtinë në vitin 1982. Ishte ai vit i turbullt për shqiptarët e Kosovës. Ndaj, shumë adhurues e miq të tij, munguan në nderimin e fundit para varrit për shkaqe objektive ose pengesa të natyrës politike. Hyri në dheun e vendlindjes – në varrezat e Gucisë, me një ceremoni modeste, duke lënë tërë pasurinë artistike që kishte krijuar, si trashëgim dhe obligim. Ata që e harruan për së gjalli, e refuzuan edhe pas vdekjes. Në vendlindjen e tij në Guci, u shpreh ideja që një rrugë të emërohet me emrin e tij, mirëpo kjo u refuzua. Kundërshtarët kishin po atë arsyetim i cili ishte akuzë kundër kompozitorit ca dekade më parë. U refuzua po ashtu edhe vendosja e bustit të kompozitorit në një vend publik afër shtëpisë së lindjes.
Pas vdekjes së Mulliqit, posaçërisht gjatë luftës në Kosovë, filluan të zhduken dëshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhduk busti origjinal i kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Çafdërbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve. Nuk dihet nëse ky është busti i vendosur mbi varrin në Guci ose jo. Familjarët dhe gruaja e tij e parë Lubica, kishin deklaruar se busti që po vendosnin ishte punuar nga miqtë e Rexho Mulliqit në Kosovë. Dikush u përpoq të fshijë gjurmët krijuese të Mulliqit lënë në Kosovë. Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë. Disa akuzojnë të bijën, e disa thonë se ato gjenden në Vjenë e Berlin. Janë djegur madje edhe disa kopje të partiturave që gjendeshin në ndërtesën e ish-Radiotelevizionit të Prishtinës, tani RTK-së. Ky fakt, po ashtu ngritë dilema e pyetje të reja, pasi që e bija e tij aso kohe ishte përgjegjëse e Produksionit muzikor të RTP-së në prag dhe gjatë luftës në Kosovë. Pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga Radio Prishtina në vitin 1990, ajo mori timonin e drejtimit të Produksionit muzikor të këtij institucioni. Ndaj, ka pasur të gjitha kompetencat dhe obligimin moral e familjar për t’i siguruar ato nga “zhdukja”.Rexho Mulliqi – Nismëtar i muzikës artistike te ne | Rafet Rudi - Composer  & Conductor
Besohet se as Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk do të ketë ndonjë dokument apo gjësend të ruajtur nga kompozitori më i madh i shtetit të ri – Kosovës. Në vend të investimit për gjetjen e partiturave apo konservimin e ndonjë shenje personale te kompozitorit, ky muze shpenzoi para do vitesh mbi dhjetë mijë euro për të bërë një video-klip të këngës “Baresha”. Realizimi ishte nën nivelin e këngës, ndaj këngëtarja Pagarusha e ndaloi atë. Disa individë e institucione, si Filarmonia e Kosovës, i shprehën respektin e tyre Mulliqit, aq sa kishin mundësi. Në solemnitetin e shpalljes së pavarësisë, u ekzekutua premierë Simfonia e tij e Parë. Kompozitorit iu nda pas vdekjes edhe shpërblimi “Niket Dardani”. Para një dekade edhe vajza e tij e vetme, nga martesa e parë, Vesna, hodhi një gurë akuze. Ajo kritikoi pse po e bëjnë Mulliqin shqiptar, çfarë ai nuk ishte, shkroi ajo. S’ka dyshim se vajza është e ndikuar nga e ëma ose rrethi i saj nacionalist serb. Ajo vetë jetoi në Kosovë dhe ishte e privilegjuar pikërisht pse mbante mbiemrin Mulliqi, të cilin ajo preferonte ta shkruaj “Muliç”. Këndoi edhe në Festivalin “Akordet e Kosovës”. Me gjithë këtë, për hir të Rexho Mulliqit, shqiptarët ia shtrinë dorën Vesnës, duke e ftuar atë në manifestimin përkujtues për të atin në Prishtinë. Ajo refuzoi ftesën.
Edhe pas këtyre gjurmëve të thella lënë në kulturën shqiptare, disa ende kontestojnë origjinën dhe biografinë artistike shqiptare të Rexho Mulliqit. Ata që sot duan ta përvetësojnë Mulliqin, nuk treguan këtë interesim për së gjalli. Rexho Mulliqi më së paku u ekzekutua në Serbi. Veprat e tij u ekzekutuan në Vjenë, Berlin, Amsterdam e disa qendra e qytete të tjera evropiane, por jo në Beograd, ku u shkollua e u burgos. Simfonia e Dytë Kosovare, u ekzekutua madje edhe në Podgoricë, nga Orkestra Simfonike e Malit të Zi. Ishte ky i vetmi ekzekutim live premierë e kësaj vepre, në ketë pjesë të Ballkanit. Kjo simfoni e shkruar në vitin 1972, ishte publikuar më herët, por vetëm si incizim nga Orkestra Simfonike e Lubjanës. Polemika rreth Mulliqit përkujton betejën midis serbëve dhe kroatëve për “përvetësimin” e një kompozitori tjetër të famshëm, njërin ndër kompozitorët më të mëdhenj të Ballkanit Josip Shtolcer (Sllavenski). Serbët e quajnë serb, ndonëse ai, gjithnjë është deklaruar kroat dhe ka lindur në Kroaci. Shtolcer është i pari kompozitor nga ky rajon që në muzikën e tij përdori folklor shqiptar. Qysh në vitin 1936 ai publikoi në Paris “Këngët shqiptare”.REXHO MULLIQI- Biografia – PLAVA E GUCIA SOT
Kujt i takon Rexho Mulliqi? Ai së pari i takon muzikës, artit më të vjetër të botës. E muzika u takon te gjithëve. Pastaj i takon kulturës shqiptare, por, u takon edhe të gjithë atyre që e duan dhe e respektojnë punën e tij. Nuk është nevoja të bëhet shqiptar, e bëjnë veprat e tij. Aktori Bekim Fehmiu për se gjalli gjithnjë u identifikua si shqiptar, mirëpo mungoi në filmat shqip. Rexho Mulliqi e bëri të kundërtën – nuk e eksponoi shumë përkatësinë nacionale të tij, mirëpo punoi e krijoi shqip. Kritikë e kundërshtarë ia lëkundën emrin e eshtrat disa herë, por veprën e tij jo. Ai mbetet kompozitori më i madh që ka dhënë Kosova, dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike në botën shqiptare. Me Çeskë Zadenë, i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.