PËRSE NUK TË KAM PRANË

0
PËRSE NUK TË KAM PRANË
Përse drita është e madhe, por gjë fare të shoh?
Më griu uria për një hap në kopshtet e gëzimeve,
parqet gëlojnë për ëndrrat e mia e unë aty s’jam,
ujëvarat për mua ato katarakte, lumi për mua ikën
dhe nata për mua qanë e rënkon, dridhet, ku jam?
Perëndi e luftës, stinë e kujtesës, vjeshtë e ëndrrës,
mblidh gjethet gjer në një, mblidh gjurmët e mia,
shqyej rrugët e tëra, të tjera rrugë dua që dua!
Paqe s’dua, kujtimeve gjer në një dua çarçaf!
Poshtë shtratit, në sallon, nën hënë, mbi zjarr!
Flakë e pashuar, mbill fusha e kodra të tëra!
Zjarr i madh, ushqe të verbërin shtypës,
të ngopur që s’diti një herë të ketë jetës së tij!
Zhurmëroni, dallgë për mua! Plandosni në tokë retë!
Goxhet e diellit i kanë tharë. Manushaqet e ëndrrave
gjithashtu i shpiejnë në fund të ferrit ata.
Përse nuk të kam pranë, të qetësosh demonin e ligë
që po më grinë çast më çast çdo orë në ditë?
Tymi tashmë ka përpirë botën e në brigjet unë rri
dhe pres! Doemos ka për të ardhur, e ndjej, e shoh
dhe duart kam ngritur, përshëndes, gati jam
t’i hidhem mbi qafë, të mos i shqitem dot nga atje.
Ngushëlloni një e një ujk me hidhërim!
Ngushëlloni një tufë qensh me tallje plot,
nuk do jem kurrë gjellë e lehtë për këdo qoftë,
rrugën që nisa, s’kthej kurrmë e të shoh gjëkafshë,
ti pyet, unë pyes, “Përse nuk të kam pranë”,
ju, kambana, të tëra për mua rrihni pandëprerë!
Ju, krahë, më të fortë, kapni cakun më të largët!
Vjeshta
Dua të shoh tufë fluturimesh e këngë të tyre,
lule që koloviten ngadalë erës dhe dallgë gëzimi,
fusha e male si ndërrojnë ngjyra, lumenj të fryrë,
drurë mbushur fryt, rrugë mbushur udhëtime varg,
dua të shoh përqafime, fjalë, puthje, ngjatjetime zjarr.
Sapo zbres në stacion, duar që përshëndesin pres.
Kap veturën, nisem drejt, qytet i lashtë më pret,
por nuk di, pse ti kudo nuk je? Ҁ’ngjanë? Ku je?
Të kanë këputur rrugën me thikë? Dritaren mbyllur?
Asfaltin kanë lidhur nyjë? Zogjve kërkuar, heshtni?
S’kanë shije ngjyrat, cicërimat, qielli, retë, rrugët,
luhet lojë e rëndë hijesh mesjetare prore para nesh.
Pse tërë kjo fabrikë fatesh, tërë kjo fermë dramash
e nuk preket lirisht një gjeth i blertë në natyrë?
Nuk pihen lirisht dy stërkala uji të kroit në fushë?
O perëndi, pse jetojnë hijet lidhur hidhur për fatin?
Pse s’ka liri të jetohet me vullnet, si ditën kur lind?
Pse mbret është terri i zi e mbretëreshë ligësia e tij?
Pse nata nis në mëngjes e viti nuk mbaron një ditë?
Pse, një okë pyetje në çast e përgjigje s’gjenë njeri?
Vjeshtë korrjesh të fatkeqësisë e gjëmësh të mëdha,
vilen rënkimet trotuareve, dhomave, korijeve ngado
e kurrë, kurrë s’pushon dhembja e gjaktë e shpirtit,
dua të shoh tufë fluturimesh e këngë të tyre,
lule që koloviten ngadalë erës dhe dallgë gëzimi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.