Është zhvilluar sot pranë shkollës “Hamdi Bushati” në Shkodër “Panairi i Praktikave Profesionale”. Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të Javës së Praktikave Profesionale. Shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” ka vite tashmë që jep kontributin e saj në zhvillimin e të rinjve në fushën e ekonomi – biznes, hoteleri – turizëm dhe tekstil – konfeksion, duke aftësuar një numër të lartë të rinjsh dhe orientuar e zhvilluar karrierën e tyre.
Zhvillimi i aftësive profesionale të të rinjve tanë duhet të jetë prioriteti dhe pika kyçe e bashkëpunimit mes institucioneve dhe bizneseve me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe ofertës së produkteve të territorit të Shkodrës.
Bashkia Shkodër e ka mbështetur e do të vazhdojë ta mbështesë arsimin në përgjithësi e atë profesional në veçanti, si një mundësi reale e konkrete për përfshirjen e shpejtë e të qëndrueshme në tregun e punës.
Me Shkollën e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati”, bashkëpunimi është tashmë i konsoliduar prej vitesh, falë edhe marrëveshjeve të nënshkruara nga Bashkia Shkodër me këtë institucion.