Vojsava Nelo
Miqte e mi, dashamires te poezise sime, adhurues te saj, ju prezantoj librin tim te ri, te sapobotuar, “NJË TUFË ME PUTHJE”, lirika për dashurinë, 2022.
Sh.B. “ALBAS”.
Per ju, per kenaqesine tuaj, po shkepus disa poezi te librit.
Lexim te kendshem!
1,
MBAJ MEND…
E lamë të takohemi në muzg.
Dhe nëpër muzg ecëm,
me hapa të ngadaltë,
si dy të dashuruar,
folëm, lozëm, qeshëm.
Ti më the ca fjalë.
Ne thamë ca fjalë,
që s’i kam harruar kurrë,
edhe pse më pas, me mijëra thamë.
Mbaj mend, se si ndizej e përflakej
muzgu dhe unë
nga ato fjalë,
që u gdhendën në mendjen time
sëbashku me puthjen e parë.
Sa herë jam vetëm dhe kam ftohtë, dhe kam frikë,
eci nëpër atë muzg të largët,
mbushur me lumturi dhe me dritë.
2.
TI ISHE NJË XIXËLLONJË
Netëve, ti ndiqje xëxëllonjat.
Rendje pas dritëzimit të tyre…
Pa e ditur se ti vet,
ishe një xixëllonjë që dikush të ndiqte,
atëhere, sot, e përjetë.
3.
PËRKËDHELITË E TUA
Nëpër ca përkdhelira të pafundme,
që I ndiej edhe sot.
Që u jepem sa herë ndiej dhimbje
dhe poshtë jorganit kam ftohtë.
Humbas nëpër ato përkëdhelira.
Strukem aty si zog.
O Zot, sa e lumtur!
Sa e lumtur, o Zot!
Strukem aty e askush s’më cënon dot.
Dhe nis e lodroj në qiellin e shtatë.
Pastaj,
pastaj prej një trilli të çuditshëm
mbërrij në skajin më të largët të Polit të Veriut.
dhe prap s’kam ftohtë.
Përkëdhelitë e tua të pafundme.
Përkëdhelitë e tua, o Zot!
4.
NJË ÇIFT I RI MBUSH BOTËN ME PUTHJE
Jashtë dritares…, tutje…, nëpër fushë…
Ka rënë nata…
Një çift i ri e mbushi botën me puthje.
Një çift i ri, ende, përjashta.
Një çift që nuk më le të fle.
Zgjon puthje të hershme.
Afshe të zjarrta.
Çaste të lumtura që ikën një nga një.
Malle,
brenga,
nga ato, që i mban të fshehura zemra.
Zgjohen. Feksin e shkëlqejnë
si margaritarë të ndritur,
mes kësaj nate mbushur me puthje,
mes kësaj nate që është duke ikur.
5.
NJË VAJZË ME VESHJE MËNDAFSHI
Ajo shëtit buzëmbrëmjes me veshje mëndafshi,
duke përcjellë një bukuri të rrallë.
Si një imazh magjepsës,
që shfaqet në këto brigje, në këto anë.
E u vë flakën.
Ndërsa muzgu bie ngadalë.
Një vajzë me veshje mendafshi,
ndez epshet e mbrëmjes së valë.
6.
PUHIZA QË FRYN
Puhiza hyn nëpër gjeth e gjethi nis e fërfërin,
duke drithëruar përbrenda mallin e vjetër,
atë mallin tim!
Vjen dhe e rizgjon kjo puhizë.
Si një shpirt i gjallë që mund të prekë gjithçka.
E gjithçka mund ta lëvizë.
Kjo puhizë.
Kjo puhizë që vjen e drithëron thellë shpirtin tim,
dhe mallit tim të vjetër
i jep jetë.
I jep frymë.
* * *
Oh, kjo puhizë që fryn!
Oh, malli, malli im!
7.
FYTYRA E TIJ, SI NJË MIRAZH DEHËS
Fytyra e tij gjithmonë e bukur.
Prekëse.
Si një mirazh dehës,
avitet.
Pastaj fshihet.
Dhe trupi im thyhet.
Dhe shpirti.
Dhe krahu i një zogu,
e që s’mund të fluturojë.
Mirazhi yt i përjetshëm
shfaqet e zhduket,
imazhi yt, si një lojë, si një lojë mizore
që do të më thyej,
në mijëra copëza të më thërmojë.
Apo të më gëzojë.
Ritmikisht të më gëzojë.
Befasisht të më gëzojë.
Sapo m’u fanit.
Imazhi yt!