“Ndaloni së shtiruri, çoni përpara Reformën në Drejtësi”, ambasadorja Yuri Kim: Nëse s’tregoni guxim, koston do e paguajë…

0

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, dha sot mesazhe të forta, sa i takon zbatimit dhe çuarjes përpara të Reformës në Drejtësi.

Në një aktivitet për këtë reformë, ku të pranishëm ishin edhe krerët e KLGJ dhe KLP, kryediplomatja amerikane tha se ata kanë një rol thelbësor në çuarjen përpara të reformës, duke shtuar se nëse ata nuk guxojnë ta bëjnë këtë, kostot do t’i paguajnë brezat e ardhshëm.

Mes të tjerash, ambasadorja Kim iu drejtua me një mesazh të prerë edhe politikanëve dhe gjithë sistemit gjyqësor, teksa u shpreh se “Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara”.
“Duhet të gjejmë mënyrën se si të ecim përpara. Ne do të njihemi me hollësitë e gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Institucionet e reformës në drejtësi tashmë janë ngritur. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë punën e KLGJ dhe KLP, si kanë ecur deri tani. SPAK ka prokurorët. Klasa e parë e hetuesve të BKH do të përfundojë trajnimin së shpejti. Ka shumë gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga detyra dhe kjo është një gjë e mirë. Nëse jemi serioz për kapjen e momentit në të cilin është Shqipëria, për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë si anëtare e BE, më të sigurt dhe po aq të begatë sa çdo anëtar tjetër i BE, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë.

Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. Së pari, KLD duhet të plotësojë detyrën e tij për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar Vettingun. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga Vettingu ka qenë alarmuese. Por, KLD ka mundësinë për të rikthyer procesin ne shtegun e duhur. Këshilli duhet të veprojë tani për të bërë një vlerësim të sistemit, duke bërë hartësimin gjyqësor dhe duke iu kërkuar llogari magjistratëve.

Këshilli duhet të themelojë e caktojë mirë standardet, me qëllim që t’iu kërkojë llogari magjistratëve. Këshilli duhet të ndjekë rregullat e procedurat, në kohën e përcaktuar nga ligji. KLGJ e KLP kanë shumë punë përpara, por nuk janë vetëm. Ne e kuptojmë që ata janë qenie njerëzore. Ne e kuptojmë trysnin, ndoshta jo aq mirë sa ju, por e kuptojmë po aq sa ju rëndësinë e të ecurit përpara. Ky është momenti, ju keni rol tejet të rëndësishëm. Fëmijët, brezi i ardhshëm, e kanë mendjen te ju. Askush nuk mendon që është gjë e lehtë, e di që ka një kosto vetjake dhe profesionale, por është një kosto që ja vlen, se është në të mirë të shtetit shqiptar. Nëse ju nuk jeni të guximshëm, të paguani kostot, apo nëse të gjithë ne nuk i paguajmë kostot, do t’i paguajnë brezat e ardhshëm”, deklaroi ambasadorja Yuri Kim.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.