Dimitrov Popoviq
MIGJENIT
– Në 80 vjetorin e vdekjes –
…Kanë me fry erërat prapë mbi këtë vend.
Lisat kanë me u kalbë e prapë kanë me mbi.
Dhe njerëzit gjithnjë
do të mbajnë në mend
Ty dhe “Bijtë e shekullit të ri”!!
Kanë me mësy faltoret me duar e me sy,
do t’ lypin nëpër botë sendet që të çmallen.
Do presin të takohen
dhe të pyesin prapë ty:
– “A thua shekujt prapë me ne do të tallen?“
Kanë me fry erërat prapë përmes reshë
qiellin prapë kanë me therë kryqat e minaret.
Grushti i paligjshëm
nuk na kënaqi “tuj u qeshë”,
se teshtijnë fort fushat dhe kolliten malet.
Dhe Ti mos u ngut përgjigjen me ua kthye,
se nuk do kenë kohë serish me t’pa si n’mjegull.
„Kafshatën që s’u kapërdi“ –
kush nuk mundi me e shlye,
as bijtë e ri që erdhën në këtë shekull…
…Kanë me fry erërat prapë mbi këtë vend.
Lisat kanë me u kalbë e prapë kanë me mbi.
Dhe njerëzit gjithnjë
do të mbajnë në mend
Ty dhe “Bijtë e Shekullit të Ri”!!
Janar , 2018