Nga: Adelina Pali
Është një dilemë në këndvështrimin tim kur mendoj se performancat, fotot dhe imazhet vihen përballë fjalës dhe mendimit.
E vërtetë që mendimet e secilit shfaqen nëpërmjet fjalëve. Atyre fjalëve që përbëjnë identitetin e çdokujt dhe pasqyrojnë intelektin, mendimin dhe shpirtin e njerëzve mbarë. Fjala është forca më e fuqishme që zotëron njerëzimi. Fjala ka fuqi për të sunduar, për të ndihmuar, për të shëruar, për të lënduar…Fjalët nuk janë thjesht gërma, por janë ura komunikimi lidhëse. Ato motivojnë, shkurajojnë, bashkojnë ose largojnë, përkëdhelin e poshtërojnë. Pra, fjala është e gjithëpushtetshme. Dhe është pikërisht fjala si nyje kryesore e zbulimit të karaktereve.
Por ashtu si fjala, dhe imazhet janë përcaktuese në shpalosjen e mendimeve, sepse vetëm te një buzëqeshje apo mendim serioz shpaloset një botë e brendshme që kuptohet lehtazi. E pikërisht këtu dua të ndalem, për vetë faktin që jo gjithmonë imazhi është përcaktues ashtu si dhe fjala.
Mirëpo sot ndeshemi me përkrahës të imazheve më shumë se sa të fjalës, e kryesisht në rrjetet sociale. Ishte kjo nxitja që më bëri të hedh këtë status.
Vë re se nëse hidhet vetëm një mendim pa foto, ndjekësit janë të paktë. Por nëse e shoqërojmë me foto atëherë vërshojnë pëlqimet pafund. Çdo të thotë kjo? Do të thotë që një pamje e jashtme vlen më shumë se një mendim i shprehur me fjalë. Kryesisht kjo ndodh tek femrat.
Asnjëra femër në botë nuk do ta pranonte që të vlerësohej paraqitja e saj më shumë se mendimi, intelekti, shpirti, emocioni apo të tjera që zbulojnë karakterin e femrës. Me këtë nuk dua të humbas aspak vlerat estetike dhe bukurinë që ka femra, por kur pamja vihet para fjalës atëherë ky është absurditet.
Pikërisht për sa thashë më lart vlerësoni fjalën së pari, si atribut dhe virtyt i njeriut të ditur dhe vizionar.
MJAFT MË me lajka dhe komplimenta për një sy apo një trup të bukur, aq më keq kur këto bëhen të fshehta nëpërmjet messengerit apo instagramit.
Ndaj vlerësoni statuset ku rrjedh fjala me mënyrën më të bukur si një prodhim i kuptimit të vërtetë të forcimit të dijeve dhe marrëdhënieve njerëzore.