Libri/Kur doli nga shtypi ky libërth i poetit Nokë Sinishtaj, shkrova disa rreshta.

0
146
Zija  Vukaj Mund të jetë një imazh i 1 person
Noka është një poet elitar, mik i Martin Camajt dhe autor i heshtur i mbi 15 vëllimeve poetike. Si mik që e kisha (dhe e kam), u përkujdesa për këtë vëllim dhe i shkrova ca radhë të cilat po i vendos këtu, në respekt të autorit, të veprës dhe të vlerave të këtij bardi të rrallë, si dhe me shpresën se dikush do të ketë durimin t’i lexojë.
Ftesë në lexim
“Le style c’est l’homme- même” (Stili është vetë njeriu)
Franco Buffoni
Në vazhdën e shumë vëllimeve poetike të poetit Nokë Sinishtaj, kemi së fundi këtë libër që ka pamjen e një buqete të vogël, por peshën e një libri të madh. I konsoliduar tashmë si një profil krejt origjinal, Sinishtaj sjell poezitë e tij si qëndizma ëndrrash, çaste nostalgjie, mall vendlindjeje, vegime, imazhe të largëta, meditime dhe refleksione të ndryshme. Shpesh këto janë ofshamat dhe lamentacionet e një shpirti të ndrymë në qerthullin e një ekzistence të vetmuar shpirtërisht dhe kulturalisht. Një vetmi intelektuale, që ndodh me individë tepër të kulturuar, të ndjeshëm dhe me erudicion të rrallë. Këto qenie njerëzore si poeti ynë “për fajin” e shpirtit të tyre të pasur dhe botës së tyre të komplikuar shpirtërore, jetojnë në një zonë të ftohtë të përditshmërisë njerëzore. Por gurra e tyre poetike ka hera- herës shpërthime të befta, impulse të forta sentimentale dhe njësi të pazakonta poetike. Është e parashikueshme që sfera shpirtërore e një artisti të tillë të fjalës të ketë një produkt estetik krejt elitar. Begatia kulturore, thellësia e shpirtit, eklektizmi që buron nga përvoja të dendura shkollimi dhe formimi, shtuar edhe talentin dhe ndjeshmërinë e lartë, pasqyrohen në karakterin selektiv të motiveve dhe në brishtësinë e trajtimit të tyre.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm. Edhe në këtë vëllim Noka vjen me stilin dhe origjinalitetin që e ka shpalosur në vëllimet paraardhëse, të cilat janë më shumë se pesëmbëdhjetë. Spikasin këtu motivet e vetmisë, mallit për vendlindjen, tjetërsimit si nocion që ka mërtisur gjithë ekzistencën e unit lirik. Malësia, Ksheva, vendlindja e autorit, kjo Itakë poetike, ky arketip që përshkon çdo vëllim të mëparshëm, në këtë libër paraqitet më e dëshiruar, por më e pakapshme, më e largët, si vegimi fuxhent i një trupi qiellor në ikje. Disa poezi janë si nokturne, si halucinacionet e një uni somnambulik me vragat e stampuara të kujtimeve. Ky shpirt epifanik, ndahet nga vendi ku jeton dhe nga trupi i të zotit, kalon orbitën tokësore dhe në krahët e një ëndrre futet në kozmosin e Malësisë:
“ANDËRR” E pashë mes dy zjarresh/ Tue harrakuq/ Fërlikun/ Zdërhallem/ Nga halli/ Fshani jehona/ E hallës/ Nëpër ullukë qarkullonte/ Shatërvani i medetit/ Më duel gjumi/ Themelet e Kullës/ Pëshpëroshin: Po ç’u muer/ O Shytaj!!!!” Me nota përgjërimi autori rënkon shkretimin e një bote të dashur, rrënimin e një vendlindjeje nga ku janë plazmuar kontaktet e para të njeriut me jetën. “Po t’pyes diçka nga vendi i huaj./ O pylli ynë i quejtun Meçkov./ A ke në gji or ndonji lis,/ Ku s’këndon qyqja?/ Oj-oj-oj”
Shpesh kthimi në vendlindje barazohet me kthimin në prehërin e nënës. Në një kuptim të largët simbolik këtu mund të gjejmë gjurmët e një froidizmi, që bashkë me pesimizmin e shprehur në takimet virtuale të unit lirik me vdekjen, u japin këtyre poezive thellësinë dhe sharmin që mund të ngjizë pena e një poeti të veçantë. Mjeshtëria e poetit Sinishtaj në dhënien e imazhit na kujton dy poetë që ai i ka për zemër: Migjenin dhe Camajn, me të cilin kishte edhe miqësi dhe lëtërkëmbime të shpeshta. Kështu, në poezinë “Gurët e arave rriten çdo vit” kemi: “… Lart notojnë retë/ Si shpergaj t’palamë/ Mjegulla e vjeshtës/ E krue kurrizin nëpër/ Rrethije verdhakuqe…”
Gjuha është një gegnishte me variacione periferike, por shpesh edhe letrare ku ruhet masa e një ligjërimi të këndshëm poetik.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.