KUR LINDI PARTIA….!

0
367

Nga: Xhevdet Amuli , kryetar i PD Shkodër

30 vjetori i krijimit të Partisë Demokratike 30 vite më parë, më 11 dhjetorin e 1990-ës pas protestës studentore u krijua e para parti opozitare, Partia Demokratike Shqiptare, si forca politike që do të niste erën e re të pluralizmit shqiptar. Ajo lindi si parti e lirisë dhe e frymës antikomuniste, nën terrorin e regjimit më të egër që kishte njohur Europa e pasluftës. Studentë dhe intelektualë do të ishin nismëtarët e saj, por që shpejt do të kthehej në forcën politike që do të gjenin veten mbështetësit e së djathtës dhe antikomunistët, shtresa e gjërë e gjithë atyre që sistemi komunist i kishte persekutuar dhe përndjekur. Partia Demokratike nuk do të ishte thjeshtë një forcë e re me të cilën do të niste pluralizmi shqiptar, ajo do të ishte shpresa e një populli të etur për liri dhe demokraci, e mbi të gjitha, shpresa e një populli të vuajtur dhe të shtypur. Sot, në këtë 30 vjetor të themelimit të Partisë Demokratike, kujtojmë me nderim të gjithë ata që kontribuan në krijimin e saj, duke filluar nga studentët e pedagogët e asaj periudhe, si dhe mbarë përkrahësit e saj anembanë vendit. Krijimi i Partisë Demokratike nuk ishte një ngjarje e zakonshme, por ëndrra që shqiptarët, e sidomos ne shkodranët kishim vite që e dëshironim. Padyshim, pesha e shkodranëve ka qenë e veçantë që në momentet e para të krijimit të Partisë Demokratike. Shkodra me qytetarët e saj do të ishte përkrahësja e parë dhe e përhershme e PD-së dhe qyteti bastion i saj. Përkrahje që s’do të mungonte asnjëherë as në momentet më të vështira. Që në fillimet e saj, Partia Demokratike përqafoi përgjegjësinë politike e qytetare, zgjodhi gjithëpërfshirjen dhe çdo shtrese shoqërore. Këto kanë qenë dhe janë vlerat e ADN-së dhe të identitetit tonë si forcë politike. Partia Demokratike ka hedhur themelet e të gjitha proceseve modernizuese post-komuniste: të drejtësisë, pronës, sipërmarrjes, lëvizjes së lirë, të integrimit europian të Shqipërisë. Me emrin e Partisë Demokratike lidhen arritjet më të mëdha të Shqipërisë në këto tri dekada. Nuk duhet të harrojmë se ,që në vitin 1993, me krijimin e qeverisë së re demokratike, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Partneritetit për Paqe dhe më pas, në vitin 1995, u anëtarësua në Këshillin e Europës. Gjatë mandateve të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj u kryen investimet më të mëdha në vend, u ndërtuan më shumë se 10.000 km rrugë, u ndërtua Rruga e Kombit, arteria kryesore rrugore e dy shteteve shqiptare, Shqipëri – Kosovë. Demokratët e ndërtuan ndërsa Rama vendosi traun . Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike kemi dhe investimet kryesore dhe më serioze të kapitalit të huaj në vend. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u krijuan kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO gjë që u realizua më 2 prill 2009. Gjithashtu gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian, duke u siguruar lëvizja e lirë, pa viza për shqiptarët. Nën drejtimin e qeverisë së Partisë Demokratike, shqiptarët njohën rritjen reale të pagave dhe një mirëqënie më të madhe. Janë arritje që asnjë forcë tjetër politike, asnjë qeveri e majtë nuk i ka bërë. Por, fatkeqësisht, ky përvjetor na gjen sërish nën sundimin e një diktature, ndoshta më moderne por po aq e neveritshme sa ajo e tridhjetë viteve më parë. Sot qeverisemi nga një bandë e dalë prej zgjedhjesh të vjedhura, nga një grusht pasardhësish të Bllokut, që s’i lanë asgjë mangut etërve të tyre në metodat komuniste. Vrasja e një 25 vjeçari të pafajshëm, para disa ditesh është simbolika më e qartë e kësaj diktature të re. Edhe sot, pas tridhjetë vitesh nga 11 dhjetori 1990, ky vend drejtohet nga një qeveri, që këtyre ditëve nuk mund ta quash tjetër veçse kriminele, e cila dhunon ëndrrën e shqiptarëve për demokraci përmes keqqeverisjes, vjedhjes dhe vrasjes së fundmi. Sot sërish përballemi me një qeveri qartësisht të vendosur për ta çuar vendin drejt një diktature të re, e mbi të gjitha një qeveri që gjithnjë e më shumë po na largon nga Europa. Pikërisht, kjo është qeveria me dështimin më spektakolar në procesin e integrimit. Është qeverisja që i ka shtyrë shqiptarët të gjejnë si zgjidhje vetëm emigracionin, duke e bërë këtë vend jo atdheun ku jetohet, por nga ku duhet të iket. Prandaj, Partia Demokratike, e krijuar nga rinia shqiptare, vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë e vetmja forcë reale progresiste dhe e vetmja që ka bërë hapa konkretë drejt integrimit europian. Si 30 vite më parë, motoja jonë vijon të jetë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sepse udhëtimi drejt saj është shpëtimi ynë, çlirimi nga e keqja dhe rruga e sigurtë e mirëqënies. Partia Demokratike i mbetet besnike këtij synimi madhor mbarëshqiptar. Ndaj do të vazhdojë të nxisë, shtyjë e mbështesë këtë proces deri në anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian. 11 dhjetori 1990 është data që na bën të kujtojmë një popull që u ngrit për të shembur diktaturën, është data që na kujton krijimin e një forcë politike e cila që prej zanafillës së saj e në vijim i përket një shoqërie që beson në vlerat e lirisë dhe demokracisë.Prandaj, ne demokratët edhe në këtë 30 vjetor të partisë sonë, vijojmë të besojmë se mirëqënia, e drejta, liria dhe demokracia janë të mira publike për të gjithë. Ne besojmë se liria e qytetarëve, liria më e madhe në familje, në institucione, në sipërmarrje, në punë, në shkollë e kudo tjetër, është çelësi i suksesit tonë kombëtar.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.