KUR E NJOHA SALI MANIN

0
72
S’e harroj, kur isha fëmi,
Kisha qejf t’ia dëgjoj zanin,
Në një dasëm ndër kojshi,
Kishin ftuar Sali Manin .
Ishte mbledhë e gjithë mëhalla,
Sali Manin për ta pa,
Prej te shtegu, deri te shkalla,
Oborri nuk zinte ma.
S’ia arrija ta shikoja,
Thashe, -po shkoj e hipi n’ fik.
N’ radio, shpesh herë e dëgjoja,
Kisha qejf ta shoh açik.
I zoti i shpisë e mori fjalen,
I buzëqeshur nga gëzimi,
Uron miqve mirëseardhjen,
Bani qejf, hani e pini !
Një çast, Sala doren ia zgjat,
Ndeshin gotat me raki,
-T’pastë ardhë nusja me nafakë,
Gjithë banketi ngrejnë dolli.
Ballë për ballë, me fytyrë prej nesh,
Para se këngës t’ia niste,
Disa bejte qesh e ngjesh,
T’zotit shpisë, po ia qendiste .
Që ta marrin vesh mileti,
-Hajdar aga, mirë se t’ gjeta,
Thoshte, -e kam mik per qejfi,
Prandaj e thumboj me bejta.
Prap u kthye prej publikut,
Me avazin e shakave,
Mua m’rrëshqet kama prej fikut,
Per fat t’ mirë, rashë siper grave.
Diçka tjetër i kujtohet,
I thotë një fëmisë që kishte pranë,
-Ma thirr dhëndrrin që martohet!
Diçka kisha për t’i thanë.
-Haaahaha, qeshin te tanë,
Sala, sikur, befasohet,
Ai ”femia” që kish pranë,
Ishte dhëndrri, që martohet…
Ia zgjat doren çiftelisë,
Dalngadalë e ven n’ dyzen,
Hajdarit, të zotit shpisë,
Ia sajon këngën në vend:
-Sot ka dasëm Hajdar aga,
Po marton fëmin’ e parë,
Ka pre i skjap, e tri dhi plaka,
Na ka ba mishin mullar.
Me çka shoh, një hall e ka,
Porse çfarë, bash mirë s’e di,
Mishi i dhise, -thonë, -ka mana,
Mos t’na bajnë ndaj send vaki…
Haaahaha, me gojen hapë,
Ndihen t’ qeshurat n’katund,
Mysafirët u banë tapë,
Tuj i çua gotat me fund.
Dikur vonë dasma mbaroi,
Kallablleku po shperndahej,
Të gjithë me Salen “në gojë”,
Prap e qeshura nuk iu ndahej.
Kur kaluan disa kohë,
Per talent të ri më moren,
Pata fatin prap ta shoh,
Këtij artisti t’i jap doren
Pastaj, per vite me radhë,
Me bejta s’u ngopëm kurrë,
U bëmë si bashkëmoshatarë,
Sa i thjeshtë ishte ky burrë !
Ky shkelqeu per shumë dekada,
Per folklorin, ishte ikona,
Bashkë me këngën që la mbrapa,
Rron gjithmonë në zemrat tona…

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.