Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj nuk e ka kursyer ironinë për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, duke iu referuar sjelljes së saj. Gjekmarkaj tha se kryeministri shikon me dashuri dhe ëmbëlsi atërore, teksa falë tyre Shqipëria buzëqesh, mbin bari dhe ujkun s’e ha gomari.“Qeveria aktuale shqiptare ka një përmasë të padiskutueshme hyjnore! Ja shikojeni Kryeministrin sa me dashuri dhe ëmbëlsi atërore na sheh duke na kujtuar ditën e gjykimit si Jezusi në Galile.
I bjerrur në besim e qorr dy sysh ai që nuk e sheh apo ndien. Mesia dhe dishepujt nuk administrojnë, ata shpallin të vërtetat solemne të jetës sonë nallane!!
Falë tyre “Shqipëria buzëqesh” ajo nuk zgërdhihet, falë tyre mbin bari, falë tyre ujkun se ha gomari. Falë tyre ngroh dielli, falë tyre nuk rrezohet qielli. Falë tyre mblidhet edhe ky parlament. Falë tyre hapet universiteti me datë 18 tetor! Cila qeveri në botë ia del t’u japë kaq gëzim e sihariqe, të pamundurën ta bëjë të mundur si kjo e jona!
Sillen kështu se janë të mirë e të dëlirë , me besë e shpresë! Pandemia vërtetë qe trazim i madh për botën, gazepi vetë, por ne e luftuam që në fillim virusin me autoblinda e mitralozë! Sa herë kujtoj atë vakt më ngjan se ministria Manastirliu hipur mbi tank nën vështrimin e mallëngjyer të liderit për heronjtë e vet, hedh bumje dhe vret pa frikë 300 a 400 viruse të tërbuara që kishin guxuar të merrnin rrugën drejt Surrelit!”, tha Gjekmarkaj.Më tej duke u kthyer tek universitetet, ai deklaroi se fushata e vaksinimit për studentët duhet të kishte nisur që në korrik dhe jo një javë para se të nisë shkolla. Ai pyeti sa para ka vënë në dispozicion qeveria shqiptare për universitetet?“Me kaq kalojmë nga përkëdhelja në realitet! Shkolla parauniversitare filloi plot rrëmujë, kakofoni, ndoca gënjeshtra si për lezet e kundër syrit të keq, protesta kundër qeverisë e lutje drejtuar Zotit nga prindërit! Një javë me turne se kishte virus pastaj të gjithë bashkë se ai iku. Mësuesit e Tiranës të shtunë e të diel nxirren në punë me urdhër të drejtoreshës me SMS me porosinë, kujdes se jeni në fokus.
Tani po presim fillimin e mësimit në Universitete! Studentët shqiptarë deri tani janë shumë pak të vaksinuar në një shoqëri 28-30% të vaksinuar, gjysma me vaksina të dyshimta. Por unë ju bëj thirrje si pedagog i disa prej tyre vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga Covid -19. Kjo fushatë nuk mund të fillojë vetëm një javë para se të nisa shkolla! Së paku duhej të fillonte në korrik dhe jo me kërcënime, por me sensibilizim. Kërcënimi është gjuha e zgjedhur e Kryeministrit. Koha ndërmjet kësaj ndërmarrjeje dhe fillimit të procesit është e pakët, e mangët dhe kërcënuese, ndërsa infektimet dhe vdekjet në vendin tonë janë shumë të larta për rrjedhoje risku shumë goditës. Kush do t’i kontrollojë studentet ditë për ditë? Pedagogët o rojet e objektit, do të sillen si infermierë? Sa kohë duhet dhe sa kohë i mbetet mësimit apo shumë kontrolle e pak mësim? Për studentët që nuk duan të vaksinohen kush do i përballojë testet, sa herë duhet t’i bëjnë ato? Sa masa janë marrë për distancimin fizik dhe për ambiente alternative që reduktojnë masivitetin-përgjigjja zero! Tek në studentet rrinë ngjeshur si sardelet! Nëse sëmuren dy a tre çfarë ndodh mbyllet grupi apo kursi për sa kohë?
Fakultetet tona kanë mungese tualetesh dhe kushte higjienike që lënë për të dëshiruar e jo më teknologji të avancuar. Në këtë konfuzion e pasiguri nis viti i ri shkollor mbathur me gënjeshtra e veshur me propagandë!
Sa lekë ka vënë dispozicion qeveria për Universitetet dhe sa ka premtuar? Sa lekë tek e fundit për sigurinë shëndetësore!”, deklaroi Gjekmarkaj.