DEKLARIMI/ ZIJA VUKAJ:Sot nuk jemi në epokën e letërsisë

0
153

Intervistoi: Toni Ujkaj Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, mjekër, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Koha Javore: Z. Vukaj prej pesë vitesh e drejtoni Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës. Në çfarë pozite ndodhet sot kjo shoqatë në tërësi, dhe cili është misioni i saj primar?
Z. Vukaj:
 Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës është një shoqëri kulturore, e përbërë nga krijues letërsie të qytetit tonë dhe më gjerë. Natyrisht që pjesëmarrësit apo anëtarët e shoqatës janë afruar me dëshirën për të gjetur një klimë kulturore dhe në përgjithësi ajo nuk ka munguar. Roli dhe funksioni i saj është nxitja dhe promovimi i vlerave krijuese. Lançimi është realizuar sa herë që ka pasur prurje krijimesh letrare në çdo zhanër. Pas daljes në dritën e botimit dhe me kërkesën e vetë krijuesve, janë bërë promovime librash të autorëve të ndryshëm. Përveç kësaj, nëpërmes antologjisë periodike “Pena e Shkodrës”, që është në edicionin e saj të shtatë kemi bërë të mundur të pasqyrojmë pjesë nga letërsia e pabotuar jo vetëm e anëtarëve të Shoqatës, por edhe nga krijues të çdo niveli apo treve.

Koha Javore: Me çfarë vështirësish përballen sot shkrimtarët shqiptarë, përfshirë edhe krijuesit e qytetit Tuaj, Shkodrës?
Z. Vukaj:
 Vështirësitë me të cilat përballen shkrimtarët janë të ngjashme në të gjithë hapësirën shqiptare. Janë vështirësi ekstraletrare, që kanë të bëjnë me pamundësitë e botimit për shkak të kostove të munguara financiare. Veç kësaj, duke qenë se liria për të shkruar e botuar është e pakufishme, atëherë asgjë nuk është e ndaluar. Pra nuk është e ndaluar as që një individ që nuk ka asgjë të përbashkët me shkrimtarinë, të shkruajë e të botojë çfarëdo gjëje që t’i shkrepet, mjafton të jetë në gjendje të mirë ekonomike. Në këto kushte çedukohen shijet dhe u rëndohet jeta shkrimtarëve që mund të kenë vokacionin e vërtetë. Botimi i porkerive, që sot zë rreth 80% të vëllimit të “veprave” që dalin, po rrezikon të krijojë një tip lexuesi sanduiç me zero interesa të vërteta estetike. Kësisoj, në këtë pyll humb rrugën lexuesi i vërtetë dhe bashkë me të humb koordinatat edhe poeti apo shkrimtari i njëmendët, pasi rrugët i kanë zënë gazetarët që duan të bëhen shkrimtarë, pseudoautorët që shkruajnë libra lagjesh e katundesh, kthejnë në libra biografitë e tyre, pushtetarë të rënë nga vakti apo njerëz që shkruajnë ndonjë roman pikaresk për pasunarë apo të pushtetshëm.
Në gjithë këtë zallamahi takimi i lexuesit të vërtetë me shkrimtarin e vërtetë, sa vjen e pamundësohet. Kuptohet pastaj vetvetiu a ka apo nuk ka nevojë për gjithë këta libra.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Koha Javore: Ç’mendim keni sot për krijuesit e rinj ose për shkrimtarët që nuk i njihnim deri më tani. A i ofojnë ata lexuesit vlera dhe letërsi të mirëfilltë?
Z. Vukaj:
 Puna e parë, ne si lexues duhet të çlirojmë paragjykimet për autorë të rinj, pasi ata janë më të rrezikuarit nga efektet e anonimatit edhe kur janë shumë të talentuar. Unë njoh shumë syresh që i ofrojnë lexuesit gjithçka nga korpusi i vlerave estetike që transmeton një letërsi e vërtetë. Jam i entuziazmuar prej mjaft të rinjsh, pasi shumica shfaqen jo vetëm me një talent të lindur, por edhe me një kulturë më të avancuar se shumë paraardhës, gjë që i ka bërë të lundrojnë në kultura të reja shkrimore, në procedime artistike të panjohura më parë dhe i ka çuar në finalizime vlerash të vërteta estetike. Përballë këtij brezi, ne jemi në borxhin e mungesës së vëmendjes, të injorimit me dashje, për të mos thënë të egoizmit tonë deri në narcizëm, duke harruar se ka diell për të gjithë.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Koha Javore: Sa njihet sot letërsia shqipe tek të huajt dhe sa e njohim ne letërsinë e huaj? A kemi përkthyes të denjë?
Z. Vukaj:
 Letërsia e sotme njihet nga të huajt në disa mënyra. E para, të huajt njohin disa autorë maxhorë që kanë pasur në dispozicion të gjitha fazat e jetës për të shkruar dhe të gjithë mbështetjen e duhur. Mënyra e dytë, publikimin në gjuhët dhe kulturat e huaja e kanë bërë vetë autorët që kanë pasur mundësi financiare, por edhe përkrahje qoftë edhe nepotike për të paguar përkthimet. Ka pastaj edhe një mënyrë që ka funksionuar kohë pas kohe. Është marrë ndonjë projekt nga ndonjë dikaster, është gjetur edhe një përkthyes, qoftë edhe një mësimdhënës a profesor i një gjuhe të huaj dhe ka përzgjedhur në mënyrë subjektive autorët shqiptarë për t’ia servirur botës. Kjo pastaj është kthyer në “letërsi baxhanakësh”. Dhe mjerisht, kjo ka ndodhur e po ndodh përditë.

Koha Javore: Si e konsideroni sot letërsinë në tërësi. A jetojmë në epokën e letërsisë dhe a ka krijues që japin optimizëm për nxjerrje në dritë të veprave me vlerë?
Z. Vukaj:
 Sot nuk jemi në epokën e letërsisë, madje as të librit në tërësi. Kjo duket tek mungesa e rrezatimit të krijuesit të vërtetë, sado i madh qoftë. Dikur shkrimtarët kanë qenë njerëz të rrallë. Ka mjaftuar vetëm arti i tyre për t’i bërë të tillë. Milan Kundera thotë se kur shkruaj a flas për politikën, njerëzit më ndjekin me adhurim, kam shumë ndjekës. Kur shkruaj nuk e kam gjithë atë sukses. E pra më të mirat i them në letërsi, jo në politikë as publicistikë.

Koha Javore: Duke qenë se një pjesë të gjatë të jetës Tuaj ia kushtoni letërsisë, si shkrimtar i spikatur, poet e përkthyes, çfarë Ju brengos sot më së shumti?
Z. Vukaj:
 Brenga ime është ajo e një brezi të tërë që letërsinë e kanë pasur pothuajse religjion dhe sot e shohin në katandisjen e saj si diçka e pavlerë. Gjithashtu brengosëse është edhe indiferenca deri në injorimin e librit artistik nga shumica e brezit të ri. Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit teknologjia dhe arti kanë pasur marrëdhënie edhe plotësuese, por edhe krejtësisht antagoniste. Sot arti e ka humbur betejën me teknologjinë dhe është përpirë nga kjo e fundit, që në mentalitetin e brezave të sotëm zëvendëson edhe artin.BOTOHET "PENA E SHKODRES 4" - Revista FJALA

Koha Javore: A bëhet fjalë sot për kritikë letrare profesionale, me njerëz të fushës dhe larg influencave miqësore, familjare, politike apo të natyrave të tjera?
Z. Vukaj:
 Natyrisht që nuk mungojnë njohësit e letërsisë, në kontekstin që kritika të jetë vlerësim. Por kur në procesin e vlerësimit duhen thënë edhe mangësitë, më së shumti kritika hesht. Kjo ka arsye të shumta që kërkojnë diskutime të gjata.

 

Koha Javore: Si e shikoni letërsinë e shqiptarëve në Malin e Zi?
Z. Vukaj: 
Duke pasur fatin të isha edhe hartues i teksteve të letërsisë për klasat VII dhe IX, më ra të njihja më mirë edhe letërsinë e Malit të Zi. Gjatë kësaj përvoje të bukur pata rastin të njihesha me krijues shumë cilësorë që me veprat e tyre rrinë me dinjitet pranë çdo letërsie.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.