Cikel me Poezi nga : Mimoza Marko

0

KOHË MODERNE

Drita, drita pa fund… .
Shkëlqimi i tyre yjet zbeh.
Qyteti zgjuar gjer në agim,
jeta si lumë rrjedh.

Nëpër asfalt buçasin makinat.
Në trotuare nxitojnë njerëzit si hije.
Nëpër vitrina shkëlqejnë manekinat,
na shkelin syrin në formë sfide.

Në vend të lisave lartohet betoni.
Në vend të zogjve cicëron telefoni.
Ajri me smog na ndot mushkëritë,
shira lodhjesh na lagin përditë.

E gjejmë mikun në internet.
Kërkojmë fotot, s’ dimë kush na flet.
Në kemi para një mik të denjë,
kjo miqësi në vlen, a s’ vlen.

Kemi nevojë për një këshillë,
sinqeritet, një fjalë të mirë.
Kërkojmë Njeriun, të shtrëngojmë një dorë,
na përgjigjet me jeshile nga semaforë.
Ndërsa dashurinë, ndjenjë të rrallë
e njohim nga librat, e gjejmë në përrallë.
Se në këtë jetë bëhen martesa
aty ku puqen interesa.

TEK VETJA BESO!

Kur të ndjesh se je duke u mbytur
në mes të stuhisë në det,
se rreth teje ngrihen veç dallgë
që të shtyjnë gjithmonë e më thellë…
Mos u dorëzo!

Kur i tmerruar do kërkosh ndihmë 
dhe sheh të të shpëtojnë, vijnë…
Të duken rreth teje brigje?
Me siguri janë vegime.
Mos shpreso!

Kërko brenda vetes fuqinë,
zgjo, lëviz energjinë.
Ke gjetur farin në det,
rrugën, shpëtimin në jetë.
Beso!

Do duket që larg një anije,
dhuratë fati a rastësie…
Mposhti dallgët dhe arrije!
Vetëm kështu fiton… Dije!
Lufto!

DËRGO NJË BUZËQESHJE

Dërgoi jetës një buzëqeshje
çdo mëngjes,
që të ngjash me pemë të lulëzuar.
Do afrohen zogj të të qëndrojnë
në degë.
Do këndojnë, do lodrojnë
e do zbukurojnë ditët e tua.

Mos qëndro e ngrysur,
ngrehinë në errësirë
e mos mbaj në shpirt inate.
Do të vijë një buf maj çatisë
e në mure do të varen lakuriq nate.

Ja kështu është jeta,
ndaj mos u çudit,
ferri dhe parajsa janë këtu në tokë.
Zgjidhe vetë se ku do hysh,
çelësin e sëcilës e mban vetë në dorë.

ZANË, ËNDRRA IME

Jeton brenda meje
një zanë që në fëmijëri.
U mëkua me përralla,
legjenda, histori.

Freskohet në fllade
mirëkuptimi, miqësie,
e shuan etjen
në burime dashurie.

Zgjohet brenda meje
një zanë çdo mëngjes,
e pastër, e brishtë
i lan syte me vesë.

Mbledh rreze agimi
e m’i fut në gji,
më ndriçon me jetë,
më ripërtërin.

Nje zanë e brishtë,
një zanë e fortë
lufton me të keqen
e bëhet therror.

Natën këput yje,
ngjitet lartësive.
Ditën kërkon perla,
zhytet thellësive.

Punon e lufton 
me zell papërtim,
thur jetën e saj,
s’pranon kompromis.

Më godet në tëmtha,
më shtyn që të shkruaj,
si foshnja në bark
nënën kur e gjuan.

Rritet brenda meje,
por më dominon,
më gatuan fatin
e më zotëron.

E di, edhe një ditë
kur të jem larguar,
do mbetet në jetë
për të më kujtuar.

Zanë, ëndrra ime!
Përkryerja ime je ti.
Triumfi im je,
me emrin Poezi.

HEDH HAPIN

Me penjët e arsyes 
fustanin i qep ëndrrës,
holluar e grisur
shtigjeve te zhgënjimit.

Me hirin e durimit
flokët ia lyej,
zbardhur prej pritjes
stacioneve të pikëllimit.

Pastaj, me krem përvoje
rrudhat ia fsheh.
Vazhdoj të hedh hapin,
në gjoks zemra rreh.

BRENDA MEJE JE

Dashuri!
Gjithë qenien ma josh
që të vij tek ti.
Shkrojtur në qelizë
ndodhesh brenda meje.
Frymë e shpirtit je
e gjak nëpër deje.

Dashuri! 
Drejt teje jam nisur,
por asgjë s’ më ndin.
Dua të të gjej,
por dot nuk mbërrij.

Rrugët para meje
zgjaten në çdo anë,
shi e baltë këtej,
mjegull për matanë.

Dua të të gjej,
por dot nuk mbërrij.
Pengesa pa fund
para meje mbijnë.

Gjithë qenien ma josh
që të vij tek ti.
Kur kthehem në Krisht,
pranë një Judë më rri.

Rrugët para meje
zgjaten në çdo anë,
me një kryq mbi supe
po ngjit Golgothanë.

Po shkoj drejt kryqit
që të kryqëzohem.
NJERIU, DASHURIA
kurrë s’ dorëzohen.

GJURMËT E MIA

Ikin ditët, muajt, vitet…
Jeta si ujë rrjedh.
Në të djeshmen e sotmja kthehet
dhe çdo gjë mbetet kujtesë.

Ikin ditët, muajt, vitet…
dhe veç ajo çfarë bëjmë ngel.
Veprat tona,
gjurmët që lemë në jetë.

Vepra të mia,
sythe që me vete ju solla!
M’u shfaqët në ëndrra
kur qetë pa çelur.
Ju linda, ju rrita
me shumë kujdes e dëshirë.

Vepra të mia,
anije që detit ju nisa në udhëtim!
Me duart e mia shkrojta fatin tuaj,
kur dolët në jetë
shkrojtët ju fatin tim.

Vepra të mia!
I vetmi kontakt që më lidh Zot me ty.
Unë e di sa herë që të lutem
“Rrëfehu biri im”, më përgjigjet zëri Yt.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.