A do të jetë Butrinti edhe më tej lokalitet arkeologjik nën mbrojtjen e UNESKO-s? Vlerat arkeologjike si dhe ato shpirtërore me specifika të veçanta mund të llogarisin mbrojtje, përkujdesje botërore dhe ruajtje institucionale vetëm përderisa, si vlerë të trashëgimisë kulturore, janë nën përkujdesin e institucioneve shtetërore. Pra, UNESKO mund të jetë në partneritet vetëm me shtetet, të cilët janë të patundur në mbrojtjen e objekteve arkeologjike si dhe të trashëgimisë së gjithmbarshme kulturore.
Ky parim i UNESKO-s erdhi në shprehje edhe para tri-katër viteve kur përfaqësuesit e kësaj Organizate botërore konstatuan se rreth dhe brenda Qytetit të Ohrit, qytet i shpallur në mbrojtjen e UNESKO-s, qenka përdhosur me disa objekte e godina turistike. Qëndrimi ishte ose të ndërpriten ndërtimet, të rrënohen të gjitha objektet e reja dhe situata të vinte në atë nivel që ishte kur qyteti është futur nën mbrojtjen e kësaj Organizate botërore, ose do të përjashtohet! Natyrisht, nisën rrënimet! Sepse në monumentet, në objektet e trashëgimisë kulturore që janë nën mbrojtjen e UNESKO-s, nuk guxon të ngulet asnjë gozhdë!
Butrinti, një nga perlat arkeologjike botërore, me vendim të qeverisë shqiptare po i lihet në duar të një ojq-je! UNESKO nuk do të pranojë partneritet me një ojq! Këtij “asociacioni shqiptaro-amerikan” do t’i lihen duart zgjidhur për të vepruar çfarë të dojë, sidomos për ta zhvilluar “turizmin kulturor”. Natyrisht, turizmi kulturor kërkon edhe hotele, restorante, hapësira argëtuese-rekreative dhe, tash e tutje, të gjitha këto mundësi bisnesore i ka menaxhuesi i ri i Butrintit, albanofobi dhe urrejtësi i vlerave kulturore shqiptare, Richard Hodges, i cili kohë më parë gjatë një ligjërate para një auditori të huaj, publikisht dëshmoi se është në krye të propagandës së zezë antishqiptare. Richard Hodges “shkencërisht” ishte munduar të shpjegojë se shqiptarët dhe Shqipëria janë krijesa artificiale të krijuara më vitin 1913 nga fuqitë e mëdha, se si Butrinti, Himara, madje edhe Saranda qenkan toka greke dhe se si shqiptarët paskan ushtruar gjenocid mbi grekët gjatë spastrimit etnik mbi këto vise të “Vorio Epirit”!
Ja pra, ky kuazi-shkencëtar u shpërblye nga qeveria shqiptare, duke ia lënë në duar të menaxhojë me një prej perlave arkeologjike botërore. Natyrisht, aty-këtu pati edhe ndonjë reagim prej intelektualëve të kombit kundër qëndrimeve shoviniste të këtij kuazi-arkeologu! Asnjë reagim i institucioneve nacionale, kulturore, shtetërore; asnjë reagim i institucioneve arkeologjike, i Akademisë, universiteteve, fakulteteve, kundër vendimeve të qeverisë aktuale e cila me galance prej servili lë trashëgiminë kulturore në duar të një “strategu antishqiptar”! Një protestë gjithëpopullore do të duhej të regjistrohej jo kundër “marrësit” por kundër “dhënësit”! Por, me ç’po duket, “dhënësi” është aq i fuqishëm sa të gjithë intelektualët, të gjithë institucionet dhe asociacionet kulturore duhet të rrinë “sus” para tij, sepse mund të ngelin edhe pa atë kockë që tashmë po perceptohet jetike për gjallërim! Nuk është në pyetje Butrinti, as Bylisi, as Shkodra, në pyetje është ekzistenca! Në rastin konkret “heshtja institucionale” do të thotë buxhet, rrogë! A nuk u ushtrua kjo masë edhe kundër Akademisë së shkencave dhe arteve te Shqipërisë! Ose do të bëni siç thotë pushteti im ose nuk ka buxhet! Buxhet për të shitur interesat nacionale!!!
/HEJZA/