BASHKIMI SJELL FITOREN !

0
293

Nga: Gjyla Halili

E ardhmja e partive politike shqiptare është brenda Listës së përbashkët shqiptare

Mali i Zi, është në situata të politikave të befasive të cilat mund të nxiten nga historitë e vjetra dhe të reja. Të vjetra janë ato të gjeopolitikave të shekullit 19, të cilat vijuan në shekullin 21, me tendencë të zonave të reja të ndikimit me orekset e vjetra rusomëdha.Të rejat janë rreziqet për Malin e Zi që i kanosen nga hegjemonia e paternalizmi i pakuptueshëm të politikës lokale serbe, për të nxitur pasigurinë, dyzimin e qenies dhe shtetësisë e deri te mohimi i plotë i shtetësisë malaziase.Në të dyja rastet, shekulli 21 i dha vulë të pakthyeshme fuqizimit të shtetësisë malaziase të molisur nga politika serbomadhe, nga gjeopolitika e lindjes dhe perëndimit, duke u bërë shtet sovran me qasje të re ndaj rajonit, duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga ndikimet panortodokse, pansllaviste dhe blloku i lindjes.Mali i Zi hyri në NATO, prandaj edhe i bën ballë me sukses politikave të temjanisur nga orekset e kishës ortodokse serbe.

Ku janë shqiptarët?

Shqiptarët një herë e mirë duhet ta kuptojnë se janë shqiptar, edhe në politikë. Politika shqiptare brenda partive, ka rëndësi parësore, për të ecur përpara me çështjet që i prezantojnë, vullnetin qytetarë që mbron si dhe zgjidhjet e çështjeve madhore të shqiptarëve, në përputhje me qëllimin e themelimit të tyre.Prandaj, politika shqiptare, brenda partive politike, duhet të zërë vendin qendror. Duhet të bëhet esencë e qenies së vet, pse ekziston, prandaj, partitë politike shqiptare duhet të njëjtësohen mbi çështjet parimore për shqiptarësinë e ideve të veta për t’i pri qytetarëve dhe interesave shqiptare, kudo jetojnë, edhe në Malin e Zi.Ligjëratat apo konceptet që i lansojmë ne që jetojmë jashtë Malit të Zi, sigurisht, duhet të kemi kujdes që të mos i përziejmë molla e dardha, të reflektojmë në rend të parë mirësi, të reflektojmë barazi dhe qëndrueshmëri për prezantimin e çështjes shqiptare kudo jetojnë shqiptarët, sepse, uniteti i çështjeve na lidhë me interes nacional.Sot, bashkimi i partive politike shqiptare kudo shqiptarët jetojnë, prodhon efekte të mëdha, prodhon rezultate, prodhon kapacitete të reja nacionale, mundësi e shpresa të reja. Kjo u dëshmua me bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës, në Maqedoninë e Veriut, tash pritet të prodhoj efekte edhe në Malin e Zi.

Pse menjëherë duhet unitet?

Uniteti së pari e shton praninë e qytetarëve te kutitë e votimit, nxit diasporën të vije ta forcojë unitetin duke shtuar edhe potencialin nacional në listat e votimit, bashkimi i partive shqiptare, redukton energjitë nga lufta e brendshme politike dhe kontaminimi i ambientit politik, duke u marrë me çështjet thelbësore, jo luftën e brendshme për çështjet e njëjta si dhe shumë moral politik e nacional përball forcave tjera politike, me taban tjetër nacional.Shqiptari në Malin e Zi i prezanton më mirë se çdo malazias çështjet e veta, nuk ka asnjë arsye që të ketë prezantim të panatyrshëm, duke votuar partitë tjera përpos atyre shqiptare. Ky lloj votimi i jep shumë moral elektoratit, angazhimit në çështjet jetike si dhe maksimalizimin e forcave për tërheqjen e çdo vote shqiptare për partitë shqiptare, sikur në Luginën e Preshevës, sikur në Maqedoninë e Veriut, e besa edhe sikur në Malësi, gjatë zgjedhjeve lokale për Tuzin.prandaj, sot, më shumë se kurrë, na duhet bashkimi i partive shqiptare në një, sepse, merr më shumë vota e pushtet, më shumë deputetë dhe më shumë përgjegjësi në nivel qendror, sikur në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, urgjent, urgjent duhet harmonizim dhe bashkim të forcave shqiptare në një forcë e cila do t’i printe shqiptarëve si në Ulqin e Tuz, po ashtu edhe në Tivar e Plavë, në Krajë e Rozhajë, sikur në Podgoricë e gjithandej ku jetojnë shqiptarët.Bashkimin e partive shqiptare, duhet bërë formulë të patejkalueshme. Për vete, familjet e veta, për të shkuarën por edhe shëndetin e partive politike shqiptare, që në esencë janë dhe duan të mbesin shqiptare. Forca, vetëm përpara, për bashkim të partive politike shqiptare për zgjedhjet e ardhme në Malin e Zi. Bashkimi prodhon vetëm gjëra të mira. Shqiptarë, bëjeni!E ardhmja e partive politike shqiptare është brenda Listës së përbashkët shqiptare, kjo është e vërteta të cilën duhet ta aplikojnë sa më parë liderët e partive dhe partitë politike shqiptare në Malin e Zi. Bashkimi sjell fitoren!

20.07.2020 Tetovë

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.