Kriza me pagesën e pagave për administratën gjatë vitit 2017 është reflektuar ndjeshëm në strukturën e propozuar nga Bashkia Lezhë e cila u miratua pak ditë më parë me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak .
Duke ju referuar struktures shkurtimet në administratë do të vijojnë dhe ato do të prekin të gjithë sektorët. 40 % e punonjësve të Bashkisë Lezhë do të largohen nga puna, ndërsa do të ketë edhe reduktim të pagës. Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i Bashkisë, Fran Frrokaj, ndërsa ka folur për problematikën e tejkaluar tashmë, që sipas tij lidhej me disa faktorë të ndryshëm dhe jo thjesht fryrje e administratës së tij. Kryebashkiaku i Lezhës ka bërë të ditur se administrata do të zbresë në 450 punonjës nga 750 që janë aktualisht dhe se paga e tyre do të reduktohet edhe me 10%.Kjo është hera e dytë që reduktohet paga e punonjësve të bashkisë, pasi edhe një vit më parë u ndërhy në vendimin për nivelin e pagave të punonjësve duke e ulur atë me 10 %. Megjithëse struktura ende nuk është bërë publike, burime konfidenciale kanë bërë me dije se shkurtimet do të prekin edhe pozicione në postet drejtuese, pasi struktura e re do të jetë me e vogël që jep mundësi për lëvizje të mundshme.