Arratisja e Madhe / Pjerin Noga: E dinte vetëm Ilir Daja

0
234

NGA UVIL ZAJMI  Arratisja në Marsejë, Pierin Noga: E dinte vetëm Ilir Daja! Faruk

Pjerin, pyetjen e parë e kam pak ndryshe: Çfarë do të ishte bërë Noga, nëse jo futbollist?

Ka qenë im atë, ai që më mungon më shumë se kushdo tjetër sot, që më shtynte të luaja futboll. Si ish-notar i Vllaznisë, tifoz i këtij klubi, ndonëse me profesion agronom, ngulte këmbë që unë të luaja futboll. Isha djalë i vetëm, mua më pëlqente arti më shumë se sporti, doja të bëja shkollë arti. Por edhe një arkitekt shumë i mirë apo një shahist. Shahun e luaj me kënaqësi gjithë ditën.

Pjerin, flasim pak për sfidën marsejeze, cila ishte atmosfera?

Një qytet me një ngjarje dhe me një detaj që më lidhte me adoleshencën. Në një kështjellë “Ifi”, edhe sot e kujtoj këtë emër, që ndodhet në një ishull të vogël, përballë gjirit të Marsejës, patën burgosur Edmod Dantesin. Shikoja detin, kërkoja të gjeja ishullin, duke fantazuar më pas arratisjen e tij, një histori shumë tërheqëse, që e kemi lexuar te libri i famshëm “Konti i Monte Kristos” i Dumasë. Më pas e kemi parë gjithashtu edhe në film. Një ditë më parë bëmë stërvitjen njohëse në stadium. Takimi u luajt në mbrëmje, kishte shumë emigrantë. Isha i qetë dhe gjatë ndeshjes nuk kam reflektuar asnjë moment pasigurie, hutimi, madje kam qenë shumë normal, asnjë emocion. Kujtoj kur Uodëll më tha: “Të mbaj mend nga ndeshja në Uembli” dhe qeshi. Edhe unë gjithashtu iu përgjigja. Pas takimit u kthyem vonë në hotel. Në dhomë kam qenë me Ilir Dajën.

E kishit menduar tjetër herë largimin?

Mendimin për të ikur e kam pasur që në Ballkaniadën në Turqi më 1981-shin me Kombëtaren e të rinjve, ku isha edhe kapiten. Ndonëse 17-vjeçarë, bisedoja me Demollarin, pasi kuptonim gënjeshtrat e këtushme. Pra, ishte e sigurt që një ditë do të largohesha. Por sigurisht frika dhe zhurma që u bë pas arratisjes së L. Bërshënit e A. Hoxhës u bënë shembull i ashpër që të mos largoheshin futbollistët e tjerë. Duhej të mendoheshe dy herë nëse do të merrje një vendim të tillë.

E dinte njeri tjetër planin?

Në dhomë isha me Ilir Dajën, siç ju thashë. Planin e kisha bërë që në Tiranë, të cilën ia kisha treguar Ilirit para nisjes, askujt tjetër. As familjes nuk i kisha thënë, vetëm diçka mamasë. Largimin do ta bëja jo duke ikur fshehurazi pas mesnate nga hoteli, kur lojtarët qëndronin në dhomat e tyre, por kur të ishim në aeroport, në kthim. Dhe ashtu veprova. Ajo që më shtynte, përveç mendimit personal, ishte se 2 muaj përpara, ikën ata të ambasadave dhe kur pashë që nuk i bënë gjë, mendova se edhe unë nuk do të kisha pasoja, në veçanti familja. Por me mua ndodhi e kundërta.

Orët e fundit me skuadrën dhe nisja për në aeroport. Çfarë ndodhi saktësisht?

Atë natë, pak orë na kishin mbetur, pasi nisja do të bëhej herët. Hipëm në autobus, morëm rrugën drejt aeroportit. Isha ulur qëllimisht në fund dhe me Dajën shkëmbeja ndonjë fjalë. Bluzën time me numrin 5 ia kisha dhënë atij ta dorëzonte. Klubi i Marsejës, duke parë mungesat tona kryesisht në materiale sportive, na dhuroi uniforma, të cilat do t’i sillnin kur të vinin në Tiranë. Për këtë arsye, me ne në autobus ishte edhe një përfaqësues i tyre, që na pyeste për masat trupore, numrin e këpucëve, etj. Kur m’u afrua, unë nuk tregova interes, i fola diçka në anglisht me zë të ulët, duke bërë kujdes. Vetëm Demollari që ishte para meje, ktheu kokën dhe më pa. Kisha mendje tjetër, shumë gjëra nuk më hynin në sy, më priste një vendimmarrje jo e lehtë dhe isha jashtë nga çdo mendim. Isha 27 vjeç, isha i bindur për atë që po bëja. Ka qenë mëngjes, e enjte, 20 shtator 1990.

Thatë se fanellën tuaj e mori Daja për ta dorëzuar…

Edhe ajo u bë problem. Kur u thyhen në Tiranë dhe Daja e dorëzoi në klub, u mblodhën, duke e provokuar dhe duke e akuzuar, “pse ta dha ty, pra ti e ke ditur që ai do të ikte. Pse nuk na ke treguar”, etj., etj. Këto m’i ka treguar Daja vite më vonë. Një qëndrim shumë korrekt e njerëzor ka mbajtur edhe Faruk Sejdini, zv/ trajneri, që edhe kur e pyetën për jetën time personale, ai foli me shumë burrëri, pa dhënë asnjë informacion të tepërt.

V.O  ky shkrim eshte botuar ne PanoramaSport

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.