“Unë po largohem, se nuk e duroj dot erën e të vdekurit” Këmbanat bien për ata që kanë veshë

0
Hamdi Jupe
Delegatët e Kongresi të Dhjetë të Partisë së Punës erdhën nga rrethet gati fshehurazi, nga frika e sulmeve prej turmave të opozitës. Situata në Kongres ishte e elektrizuar. Nuk dihej si do të shkonin punimet e tij dhe e ardhmja e partisë.
Në disktumin e tij nga tribuna e Kongresit shkrimtari Dritëro Agolli kritikoi ashpër regjimin e kaluar dhe vetë Enver Hoxhën. Kjo irritoi sallën dhe bëri që ajo të ndërpriste disa herë diskutimin e tij me thirrjet: “Enver Hoxha”, “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë”. Ishin rreth tetëdhjetë përqind e delegatëve në sallë që po i kundërviheshin Dritëroit me thirrje dhe me letra disaprovuese që vërshonin lumë nga salla drejt poetit në foltoren e kongresit. Rreth tridhjetë delegatë të ulur në presidiumun e tij, vështronin të lemerisur sallën e madhe prej dy mijë vetësh që po thërriste kundër Dritëroit. Në llozhën e Pallatit ndodheshin të gjithë bashkëpunëtorët e Hoxhës, anëtarë të Byrosë Politike, si dhe e veja e diktatorit. Dritëroi nuk tundej prej foltores pa e zbrazur atje deri në fund të gjithë atë që kishte përgatitur për të thënë.
Kjo situatë provokuese aspak e kulturuar me një shkrimtar të madh e detyroi atë të linte mënjanë diskutimin e shtypur që po lexonte deri në ato çaste dhe të fuste dorën në xhepin e majtë të xhaketës. Prej andej nxori një letër që, me sa duket, ishte varianti i dytë “rezervë” i diskutimit të tij. (vidio në internet) Ai e kishte parashikuar që mund të ndodhte edhe kjo që po i shfaqej tani përpara syve në kongres. E priste këtë reagim të sallës prandaj kishte shkuar atje me dy diskutime. Tani ai filloi të lexonte variantin e dytë nga tribuna e Kongresit:
“Ju ma vërtetuat mendimin tim, të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt … Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë, po mundët. Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri.”
Ky ishte shkurtimisht diskutimi alternativ i Dritëroit. Salla vazhdonte të ulërinte: “Parti – Enver, jemi gati kurdohere!” Por ajo nuk e kishte parashikuar se punët do të shkonin deri këtu, pra në largimin e poetit të madh nga partia. Kjo ikje ishte e papritur për të.
Ngjarjet po rrokulliseshin me shpejtësi, minutë pas minute. Nëpër korridoret e Pallatit të Kongreseve, grupe delegatësh që kishin dalë nga salla po thërrisnin të alarmuar, duke shkulur faqet me thonj: “Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona, duke ngritur dorën kundër njeriut tonë, poetit Dritëro dhe e bëmë të largohej. E kush mbeti tjetër tani në këtë parti!” Ata që kishin sulmuar Dritëroin në sallë ishin delegatë nga Tirana e rrethet, pjesa më e pandriçuar e partisë, njerëz të thjeshtë, punëtorë e fshatarë të vuajtur, të bombarduar prej dyzetë vitesh nga propaganda komuniste për “udhëheqësin e madh e të pagabueshëm”. Ata tani e shikonin veten të tradhtuar nga të gjitha anët, prandaj po përjetonin haluçinacionet e zhgënjimit të madh.
Në ditën e tretë të Kongresit u “zgjodh” më në fund udhëheqja e re e partisë, Komiteti i ri Qendror i saj. “U zgjodh” me thonjëza, sepse emrat e rinj dukej sikur ishin përzgjedhur nga një dorë e kujdeshme, pavarësisht nga votimi i Kongresit, me qellim që në listë të mos kishte asgjë nga e kaluara. Në atë listë bënte pjesë edhe Dritëroi, që kishte deklaruar një ditë më parë “largimin” e tij. Nuk e kishin lënë të largohej, siç kishte deklaruar (“unë po largohem…”) E kishin mbajtur “me zor” nga krahët, ata që i kishin ndërprerë fjalimin-funeral ndaj regjimit një ditë më parë. Le të ikte ai, “i vdekuri që vjen erë”, por jo Dritëroi. Dhe ai qëndroi atje deri në fund të jetës, për të shtyrë “gërdallën histori majtas, majtas, majtas!”
Problemi tani ishte zgjedhja e Sekretarit të Parë të Partisë. (Ishte akoma terminologjia e vjetër për organet drejtuese) Përfliteshin disa emra, midis të cilëve edhe Fatos Nano. Ky nuk pranonte të zgjidhej dhe prandaj mbledhja e Komitetit për zgjedhjen e Njëshit të saj po zgjatej pa mbarim. Askush nuk guxonte të merrte përsipër drejtimin e një partie gërmadhë. Por “konklava” e partisë nuk mund të mbyllej pa zgjedhur “Papën” e ri.
Në mbledhje e mori fjalën një delegate nga Gjirokastra me mbiemrin Shapllo. “Ne, shoku Fatos, nuk kthehemi dot në Gjirokastër, nëse ti nuk pranon të zgjidhesh Sekretar i Parë – tha ajo gjithë pathos, por edhe me një lloj trishtimi të thellë njëherësh, për atë që nuk po zgjidhnim dot të Parin e partisë. Nga vendi ku ishte ulur në sallë Nano iu drejtua asaj: “Dëgjo ti, motër nga Gjorokastra. Nëse unë zgjidhem në krye të partisë, unë nuk kam më punë me Enver Hoxhën. E pranoni ju gjirokastritët këtë apo jo?” Emri Gjirokatër kishte ende peshë të madhe tek të pranishmit, sepse ishte vendlindja e diktatorit.
Ja tani, edhe ky problem na duhej. Kandidati kryesor për kreun e ri të partisë kërkonte “kokën” e Hoxhës në tepsi, si parakusht për pranimin e detyrës, (“nuk kam më punë me Enver Hoxhën”) njëlloj si Dritëroi një ditë më parë. Pra nuk ishte vetëm poeti që do të “arratisej” nga partia, ishin edhe shumë emra të tjerë intelektualë të njohur. Dritëroi rrinte ulur në sallën e mbledhjes duke shkarravitur me stilolaps mbi një copë letër të mbështetur në gjurin e tij. Ai e kishte mbaruar misionin e vet historik në kongres. Nga salla e madhe e Pallatit të Kongreseve vazhdonte të vinte ende jehona e thirrjeve frenetike të delegatëve një ditë më parë: “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë, “ Ata po prisnin tani të traumatizuar udhëheqësin e tyre të ri.
Heshtje varri në sallën e mbledhjes së Komitetit pas fjalëve të Nanos. Deklarata politike e tij për ndarjen përgjithmonë nga emri dhe trashëgimia e Hoxhës nuk i drejtohej vetëm “motrës” nga Gjirokastra. Ajo u drejtohej të gjithë atyre tetëdhjetë e një anëtarëve të rinj të udhëheqjes së lartë që ishin në atë sallë. “Dëgjoni dhe merreni vesh ju, anëtarë të rinj të udhëheqjes se si do të jetë partia e re, nëse unë zgjidhem në krye të saj”. Ky ishte “manifesti” politik i Nanos. Një sfidë e rrezikshme kjo, sepse shumë prej anëtarëve të rinj të Komitetit ishin prej atyre që një ditë më parë kishin kundërsthuar dhe fërshëllyer diskutimin e Dritëroit në sallën e madhe të Kongresit. Pas pak çastesh topitjeje, “motra” nga Gjirokastra e mblodhi veten:
– Po, shoku Fatos, do ta pranojmë! – Ajo nuk tha “e pranojmë”, por “do ta pranojmë”. Do të duhej pra, të rridhte akoma ujë në lumin Drino poshtë qytetit të saj jugor derisa të harrohej diktatori. Tre muaj më parë gjirokastritët e kishin shkatërruar monumentin prej mermeri të tij të vendosur te Qafa e Pazarit. “Pranimi” pra, do të ndodhte një ditë dhe prandaj ajo mori guximin dhe tha: “do ta pranojmë”
Duartrokitje në sallën e vogël të katit të dytë të Pallatit të Kongreseve. Ai togfjalësh, “do ta pranojmë“, e kishte çliruar situatën nga ngërçi historik. Ajo dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes së re e kishin pranuar, ndoshta me dhimbje, me nga një “gur në zemër” “manifestin” politik të kandidatit për udhëheqësin e ri. “Tym i bardhë” mbi çatinë e Pallatit të Kongreseve. Fatos Nano u ul në tavolinën që shërbente si presidium në sallën mbledhjes.
Po fillonte një erë e re në politikën shqiptare, duke shënuar kështu lindjen e vështirë të një formacioni të ri politik, që po ngrihej mbi gërmadhat e së vjetrës. Nga “mitra e përgjakur” e Partisë së Punës po lindte Partia Socialiste, siç do të thoshte më vonë Dritëroi. Kjo parti do të qeveriste vendin për shtatëmbëdhjetë vjet e më shumë në të ardhmen. Ata që i dolën zot asaj në ditë të mira e të vështira janë tani në “Panteonin” e saj.
Diskutimin e poetit në Kongres e botoi të plotë gazeta “Rilindja Demoratike” e Partisë Demokratike, ato ditë të mesit të qershorit të vitit 1991. Këmbanat bien për ata që kanë vesh.
(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)
(Botuar ne gazeten “Panorama”, date 7 dhjetor 2021)

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.