Me performancat e Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore të Shqipërisë dhe Ansamblit “Shota” të Kosovës, uli siparin edicioni i 11-të i Festivalit Folklorik Kombëtar.
Për 8 netë me radhë, kalaja e Gjirokastrës, u mbush nga artdashës të muzikës tradicionale, por edhe vizitorë të shumtë vendas e të huaj”.

Dy ansamblet performuan si një trupë e vetme, këngë e valle të krahinave të ndryshme. Programi i tyre u mirëprit nga publiku, ku nuk munguan as shqiptarët e Kosovës.
Edhe në natën e fundit të Festivalit Folklorik Kombëtar publikut të gjerë iu bashkuan edhe turistë të huaj.

“Është një festival i mrekullueshëm, i veçantë, nuk kam qenë asnjëherë më parë në një event të këtyre përmasave. Unë jam nga Mbretëria e Bashkuar, edhe ajo që mund të them është se kjo traditë, me të gjithë elementët e saj, është vërtet mahnitëse”.
Të ftuar në natën përmbyllëse të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës ishte edhe “La nuova Orchestra italiana di Renzo Arbore”, grupi italian që prej 32 vitesh i bën jehonë muzikës tradicionale napoletane.
Në skenën e edicionit të 11-të të Festivalit Folklorik Kombëtar u ngjitën mbi 1200 performues nga Shqipëria, trevat shqipfolëse dhe Diaspora. Ky edicion i Festivalit, përgjatë 8 netëve, u transmetua ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
