Nga ZANA TAKO (Kush ka sy le të shikojë, e kush ka veshë le të dëgjojë!)
Mes tuaj ka nga ata shtiracakë, që turpin e quajnë nder e nderin e quajnë turp. Vaj për ata që dëgjojnë e nuk kuptojnë, por vaj edhe për ata që mendojnë dhe veprojnë pas këtyre të marrëve, të cilëve u ka ardhur ora e drejtësisë, ku do të japin llogari për çka Zoti u besoi por nuk i tradhtoi.
Besimi nuk është si një rrobë e shqyer ku nuk i dihet koka dhe fundi. Por nëse ngatërrojmë fundin me kokën, atëherë mendimi i mbrapshtë, mbrapsht i bën edhe punët. Era e keqe vjen nga punë të papastra, por papastërtia nuk mbulohet me buzëqeshje shtiracake, as me fjalime që nëpërkëmbin ligjin e Zotit, ku e vërteta qëllohet me gurë nga duar që fshihen pas vetvetes. Gurët që hidhen janë tradhtia ndaj ligjit të Atij që sheh e dëgjon në fshehtësi.
Besimi është boshti i shpirtit njerëzor, por nëse thyhet ky bosht, njeriu mbetet pa pikë mbështetje. Rrënjët e besimit nuk janë veset e njeriut, pasi veset nuk e shpallin hero njeriun, përkundrazi, e ndëshkojnë në ditën e gjykimit të madh. Këto të vërteta i kemi dëgjuar të fliten nga ata sharlatanë, që kanë predikuar duke tradhtuar. Tradhtinë e kanë fshehur, siç fshihet floriri dhe paraja pa meritë, siç fshihet dëshira për mirëqenie personale kundër misionit për lavdi të Hyjit.
Misionarët e predikimit të besimit na dolën të rremë, ashtu si rrenacakët që thonë se dinë të notojnë në ujrat e thellësisë, por noti i tyre është gënjeshtra se nuk mbytesh kur nuk di not. Notarët e vërtetë të thellësive janë ata që e njohin rrezikun e zhytjes, e njohin thellësinë dhe vështirësinë, por me besim ia dalin mbanë, kur mbrojtje dhe fuqi kanë të Tejetlartin e Gjithëpushtetshem, Atin e krijimit.
Sot jemi përballë luftës për jetë a vdekje. Shtyllat e besimit nuk këputen nga dorë e të patënzonëve, sepse Zoti nuk është pronë e urdhëresave të tyre vetjake. Rënia e besimit nuk vjen për shkak të zbatimit të ligjit të Zotit, por për shkak të kundërvënies ndaj ligjit të Zotit.
Kemi thënë, se zbatimi i ligjit është detyrë e vështirë, ashtu si edhe besimi është rrënjë që nuk shkulet lehtë. Por këtë rrënjë duan ta shkulin disa të pabesë, që përgjërohen për lavdi të vetvetes, që e kanë harruar sakrificën dhe dënimin. Të shkulësh rrënjën e besimit nga shpirti njerëzor, është tradhtia më e lartë që mund t’i bëhet Atit dhe Birit, por këta rrënjëshkulur i kanë ditët e numëruara.
Tradhtinë njeriu e ka ves, e ky ves ka nëpërkëmbur ligjin e Zotit. Në këto kohëra të fundit, njeriu do shohë e do dëgjojë, por për besë, më shumë se kurrë do kuptojë sa e shëmtuar është tradhtia, sa e pabesë është marria, sa e zezë është fëlligështia, por sa e madhërishme është lavdia e Atij që na deshi dhe na do, si në fillim ashtu edhe në mbarimin e kohërave. Amen!