Është ndarë nga jeta prof. dr. Vehbi Hoti, një nga intelektualët e spikatur të Shkodrës, kontributor i rrallë i arsimit shqiptar. Lajmin e trishtë e ka dhënë përmes rrjeteve sociale, djali i tij, gazetari Bledi Hoti:“Im atë, Vehbi Hoti ndërroi jetë! Varrimi bëhet nesër në ora 11:00 në varrezat e Sharrës.
Ceremonia mortore zhvillohet në Funeral Home Albania 2000, te Medreseja.
Qofsh i parajsës bab i dashtun!”, shkruan kolegu Hoti për ndarjen nga jeta të babait të tij.Vetëm pak kohë më parë Universiteti “Luigj Gurakuqi” organizoi një konferencë shkencore për 80- vjetorin e lindjes së profesorit. Revista Fjala i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoti për këtë humbje!
KUSH ISHTE VEHBI HOTI
Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në Shkodër me 06. 04. 1942, ku përfundoi arsimin 7-vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në degën Biologji-Kimi- Pedagogji.Për periudha të shkurtra ka punuar në ish Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe në kabinetin pedagogjik të rrethit. Për rreth gjysmë shekulli, 1966-2013 ka qënë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror.Përveç detyrës së pedagogut, ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet ka qënë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së Buletinit Shkencor”. Që nga viti 2002 e gjer më sot është kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993 ka qënë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedogjisë. Për 13 vjet, 1991-2003 dekan i pare i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Është dalluar për një punë serio ze studimore shkencore. Ka një aktivitet të pasur botues e kumtues.Është autor dhe bashkëautor i shtatë botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe dy për shkollën e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore. Ka marrë pjesë në disa projekte dhe ka bashkëpunuar si ligjërues me disa universitete edhe jashtë vendit, si Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i kësaj pune janë gradat dhe titujt që ka fituar duke filluar nga Doktor i Shkencave gjer në Prof. Dr. Me rastin e daljes në pension 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”.
Ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga Presidentët e Shqipërisë:
Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” (2001)
Titulli Mësues i Merituar” (1987)
Medalja “Naim Frashëri” (1977)