Artikulli “Ballkani Perëndimor i lirë të shprehet: Shoqëria, armiku më i madh” i botuar në portalin kosovalive360.com, i cili flet për lirinë e shprehjes dhe ndikimin e gazetarisë në shoqëri, kërcënimet dhe të mirat që gazetaria sjellë, ka qenë temë e diskutimit ditëve të fundit. Pjesë e kësaj teme ishte edhe analisti dhe gazetari shqiptar nga Mali i i Zi, Kristjan DUKAJ, mgjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, i cili mendon se të arriturat sa i përket lirisë e shprehjes në Mal të Zi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit janë përafërsisht të njëjta.
“Duhet pranuar se Mali i Zi ka bërë hapa të duhur në këtë drejtim, edhe pse jo të mjaftueshme. Duhet pranuar gjithashtu, se vendet në tranzicion të përballura me nevojën e realizimit të reformave gjithpërfshirëse, nuk kanë arritur ende të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e plotë të lirisë së mediave. Nëse i referohemi të arriturave në Mal të Zi, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, mendoj se situata është përafërsisht e njëjtë. Në tregjet e vogla, arritja e pavarësisë së mediave, është më e vështirë, pasi në ato rrethana, nuk është e lehtë mbijetesa në hapësirën mediatike”, u shpreh Dukaj.
Dukaj, ndryshe nga të tjerët, mendon se sulmet dhe kërcënimet e cenojnë lirinë e shprehjes, duke ndikuar direkt në rolin e gazetarisë së lirë.
“Çfarëdo kërcënimi apo sulmi ndaj gazetarëve, kudo qoftë, e cenon lirinë e shprehjes dhe kjo, drejtpërdrejt, e kufizon rolin që duhet ta ketë gazetaria në shoqëri. Vetëm dënimet e ashpra ndaj atyre që kërcënojnë dhe sulmojnë, respektivisht rregullimi ligjor i kësaj çështjeje, mund të krijojë ambient më të sigurt për punën e gazetarëve dhe të mediave në përgjithësi.”
Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Mediatnik i cili financohet nga BE-ja, menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga BIRN dhe AGK.