“DUKAGJINI “ 15 VJET SHTEGTIM NË HISTORI

0
833
Perg. : Prelë Milani 
Periodikja më jetëgjatë e post viteve nëntëdhjetë në Shkodër

Nuk mund të them se kur ndodhi ngjizja, pasi ajo ishte një ide gjeneruese
Idetë janë burim i gjithçkaje, prandaj edhe lindja erdhi me 30 dhjetor 2002.
Lindja është binom i dhimbjes dhe gëzimit.
Gazeta “Dukagjini” lindi nga dhimbja e moteve, e thjeshtë pa bujë , pa pajë të madhe por gëzimplote, fisnike dhe bardhë si bora e maleve.
“Dukagjini një gazetë e re”;ishte krye lajmi pagëzues i krijesë sonë të dashur që mori udhë në qytetin ku kishin lindur dhe bërë histori dhjetëra fletore historike.
Idetë e reja novative shpesh herë janë mjaft riskuese. “ Dukagjini” ndonëse erdhi në jetë si dallëndyshe nga modestia nuk e thirrëm dot në emër pasi jo të gjithë zogjtë e dallëndyshës bëhen me krahë e fluturojë.
Më mirë të mos lindë një dallendyshe se sa të mbesë pa krahë e të ngordhë pa fluturuar.
Pas atij starti premtues një vjetor kur i gjithë stafi ishte bindur se krijesa jonë ishte bërë me krahë të shëndetshëm nuk e di se cili prej nesh në mënyrë telepatike u mbush me frymë dhe gjithë ngazëllim, tha uratën e përbashkët ;- “ Fluturo dallendyshe fluturo”!
“Dukagjini” jo kurrë qyqe, por dallendyshe krahëlehtë u krijua nga ne me bekimin e Perëndisë
U bënë plot 15 vjet që kjo dallendyshë në fillim të çdo muaj vjen si vegim nga Fushë Gropa e Shkodrës ku nuk dihet në ç’ gropë u flakën eshtrat e marrive të Kishës (pa të cilët nuk gjen qetësi as Gurakuqi ) drejt Alpeve madhështore ( të lara me gjakun e Mehmet Shpendit dhe fatosave të bjeshkëve.
Prej Gjakove, Peje, e Drenicëc vullkanikë të Adem Jasharit, drejt Malësisë Madhe ku flakëron flamuri i tatës së Traboinit Dedë Gjon Luli. Prej Tiranës ku në hije të memorialit “Nënë Shqipëri” ku prehën në amshim heronjtë e kombit, drejt Zadrimës ku gjendet djepi blirit që u përkund homeriku ynë i pa shoq . Prej Lezhës ku gjallon tokën hiri i krye prijësit më të përkryer i racës sonë deri në fortesën shkëmbore ku babai i së “Drejtës Zakonore Lekë Dukagjini” lëshoi mallkimin e përmotshëm mbi turkun.
Prej Romës së Papëve dhe të Kostandinit me gjak prej fisit tonë, drejt periferisë së Mynyhut te guri i varrit (marrë nga Dukagjini) të kolosit Martin Camaj.
Prej në Londër, Zyryh , Bruksel, Miçigam, dhe Nju Jork ku punojnë e jetojnë më mall, dashuri e besim në shqipe bashkatdhetarët tonë.
Në gjithë këtë hapësirë “Dukagjini” fluturoi si dallendyshe me flatra të praruara duke u rrezatuar virtyteve mjaltore të etnokulturës shqiptare:
Nga idealizmi , pasioni, këmbëngulja, vullnetarizmi, fryma dhe kohezioni i grupit, ‘’Dukagjini ‘’u rrit dhe formoi profilin e vet historik si periodikja e vetme me jetëgjatë e post viteve nëntëdhjetë në Shkodër. “Dukagjini” nuk kishte, as nuk ka kazan të madh për të ushqyer barkun e uritur të askujt, por pati e ka ujin e cegmët të gurrave tona për të kthjellue shpirtin, freskue mendjen, ngjye penën e çdo idealisti për të shkru në gjuhën e pa njollë shqipe si bora e virgjër e majave të thepisura.
”Dukagjini” ndoshta në shumë se klas, në këto vite të paqëndrueshme me amplituda ekstreme politike në anarkizëm ideologjik dhe darvinizëm të egër social ka treguar forcë karakteri, ka ditur të mbajë drejtimin e duhur si vitrinë e vlerave, provimit të vlerave historiko kulturore. “Dukagjini” nuk ka ra preh e asnjë karemi politik, nuk është treguar naive që behet fletushkë thashethemesh, intrigash, lajkash servile, as sulmesh personale.
”Dukagjini” ka treguar publikisht se nuk blihet nuk shitet, nuk behet palë më të fortët, të ligjtë, dallkaukët e të paskurpullt .
“Dukagjini është treguar fisnike pasi ka qëndruar në distancë nga politika, feja dhe paragjykimet diskriminuese pjellë e fanatizmit të verbër orientalizmit dhe urrejtjes klasore polarizuar brenda një viti
E quaj të tepër të analizoj me detaje portretin e “Dukagjinit” pasi kjo gazetë e ka formuar dhe shpalosur profilin e vet gjatë këtyre 15 viteve duke përmbushur më së miri misionin që i ka vënë vetës. Gjithsesi në ketë përvjetor jubilar duhet theksuar se “Dukagjini” ka shëmbëlltyrën e themeluesve dhe të stafit të saj që janë një dhe të pandarë që nga lindja deri në burrërimin e saj. Ky staf janë truri dhe sistemi eshtëror i kësaj gazete e cila ka mbledhur rreth vetës qindra pena, me peshë dhe ka afirmuar me bujari këdo që e do shkrimin dhe përpiqet te sjellë vlera. ”Dukagjini” përmes penave te saj të afirmuara ka krijuar profilin e vet me aromë dukagjinase.
“Dukagjini” në aspektin teknik, vizual, tirazhit ka vulën e kontribuesve të shumë të cilët kanë zemrën shumë më të madhe se xhepin.
”Dukagjini” do vijojë udhën e saj të pandalur , sfida e arritje te reja e presin ndaj asnjëherë nuk ka vend për vetëkënaqësi.
Përfaqësimi politik i munguar i Dukagjinit, ndërtimi i një infrastrukture , politikat zhvillimore të turizmit,blegtorisë ,bujqësisë, lufta pa kompromis kundër paragjykimeve dhe diskriminimit në arsim e punësimi duhet të jenë Urata e Zojës ” dhe “Lutja e namazit” për gaztën “Dukagjini” në çdo numër të saj.
Gazeta duhet rritur në numër faqesh, duhet të jetë nxënëse shembullore e publicistëve të shkëlqyer si Zef Mala, Prof Kolë Prela, Dom Lazër Shantoja, Bernardin Palaj, Gjon Shllaku, Danjel Gjeçaj, Frederik Reshpja dhe vitrinë e sa më gjërë e gjithë elitës kulturore shkodrane dhe promovuese e talenteve të rinj sidomos në fushën e letërsisë.
Shoqata gazetës duhet të mos i bëjë hile duke i dhënë kashtën ndërsa misrin e harxhon për aktivitete të tjera shpesh jashtë mundësive tona por që asnjë nuk kanë rendimentin e gazetës.
Me rastin e 15 vjetorit do surgjeroja që ti behet thirrje diasporës në Amerike për ta sponsorizuar vazhdimisht kryesisht vetëm gazetën dhe botimet. Gazeta duhet të ketë një tjetër format Bujaria e Ndue Ftonit dhe diasporës në Amerikë meriton vlerësimet më të larta, për gazetën sidomos për monumentet, qoftë edhe për rrugën e Dukagjinit, e cila duhet thënë troç se nuk behet dot me para emigrantësh. Ajo behet vetëm po të hapë kuletën qeveria, prandaj në këtë aspekt duhet bërë luftë e pandërprere nga të gjitha drejtimet dhe të gjitha frontet me të gjitha mjetet demokratike.

Foto gjatë aktivitetit : 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.