Nga Sokol Paja

New York, 8 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra priti në një vizitë patriotike deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Gazmend Bardhi nënkryetar i PD, dhe deputetët zonja Jorida Tabaku e z. Bledjon Nallbati. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën e mirëseardhjes theksoi punën institucionale të Vatrës në dobi të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës, partneritetin e vazhdueshëm të Federatës Vatra me institucionet shtetërore amerikane dhe punën voluminoze për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr. Camaj uroj suksese dhe mbarësi për deputetët e opozitës dhe ngulmoi se zgjedhjet demokratike janë themel i një shoqërie të zhvilluar dhe të një demokracie të qëndrueshme. Dr. Camaj theksoi gjithashtu se vota është forca dhe fuqia e qytetarëve shqiptarë, ndaj pjesëmarrja në votime e diasporës është përgjegjshmëri e lartë qytetare.
Vatra qëndron mbi partitë politike dhe mbështet interesin kombëtar e përparimin e Shqipërisë demokratike dhe euroatlantike, theksoi sekretari i Vatrës Dr. Camaj. Deputetja Jorida Tabaku i shprehu mirënjohje Vatrës për mikpritjen. Ajo theksoi se Vatra ka qenë bazë e shembull shqiptare. Respekte maksimale për patriotët që kanë shërbyer te Vatra. Jemi të impresionuar tha zonja Tabaku nga puna e shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Në mërgatë na bashkon shqiptaria, tha ndër të tjera deputetja Jorida Tabaku. Nënkryetari i Partisë Demokratike z.Gazmend Bardhi deklaroi se: “Jemi këtu për të ngritur zërin tuaj sidomos për të mbështetur shkollat shqipe dhe punën e mësuesve për të ruajtur gjuhën e kulturën kombëtare në diasporë”. Gjatë takimit diskutuan aktivistët e komunitetit shqiptar në New York z.Luigj Rakaj, z.Mehdi Hoxha dhe zonja Firzileta Gjika rreth situatës politike në Shqipëri, procesin e regjistrimit të diasporës dhe kauza të ndryshme kombëtare që shqetësojnë shqiptarët në Shqipëri dhe diasporë.

