Pas inkursioneve të para osmane në Arbëri, rrugët e ekzilit të popullatës arbërore shtriheshin pothuajse në çdo cep të bregdetit Adriatik. Numerikisht ngulitja më e madhe e tyre është bërë në trevat e Republikës së Venedikut dhe Mbretërisë së Napolit.
Shkolla Arbërore ose Scuola degli Albanesi e themeluar në tetor 1442 në famullinë San Severo, në pjesën lindore të zonës së qytetit Castello kjo shkollë në fillimet e saj ishte kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë (Madona del Buon Consliglio, e quajtur edhe Nostra Signora di Scutari), si dhe Shën Galit. Shkolla në fjalë ishte një lloj qendre nacionale për arte, artizanë dhe zejtarë. Është konsideruar gjithashtu për qendër të parë fetare ku mbaheshin shërbesat në gjuhë arbërore.
Shkolla frekuentohej nga fëmijët e familjeve shqiptare të mërguara dhe të vendosura në Venedik dhe në Istria. Si tekste mësimi janë përdorur edhe veprat e dy humanistëve shqiptarë Marin Beçikemi dhe Marin Barleti. I pari ka qenë dhe mësues në këtë shkollë. Kjo shkollë e shqiptarëve, me vlera historike në fushën e artit, u ndërtua me kontributet e bashkëvëllazërisë të të mërguarve shqiptarë të Venedikut, e cila ishte mjaft e organizuar në atë kohë. Përveç humanistëve që përmendëm më lart, në këtë bashkëvëllazëri bënin pjesë edhe humanistë të tjerë si Viktor Karpaçi (1455-1525), Mark Bazaiti (1460-1530) dhe Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531).
Shkolla e shqiptarëve e cila u ngrit për nevojat të mërgimtarëve tanë në Republikën e Venedikut, gjatë kohës së veprimtarisë së vet prej vitit 1442 deri në fund të shekullit XVIII, jo vetëm që luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e kuadrove nga më të ndryshmet, por ajo është shquar edhe nga vlerat artistike që zotëronte godina e saj.
Merita të mëdha në këtë aspekt ka pasur Viktor Karpaçi, një piktor shqiptar nga rrethi i Korçës, i cili pa dyshim ishte njëri ndër artistët më të shquar të Rilindjes Evropiane, Viktor Karpaçi punoi si arkitekt dhe skulptor i ndërtesës së Shkollës së Shqiptarëve. Ai stolisi fasadat e saj me basorilieve që paraqesin aspekte të luftës së popullit shqiptar për liri, ku një ndër to që shihet edhe sot, është edhe rrethimi i Shkodrës.
Shkolla Arbërore ishte aktive deri në 1780.