Në Shkodër përfundoi edicioni i 59-të i Festivalit Mbarëkombëtar të këngës për fëmijë. Fituese u shpall Marina Daka me këngën “Princesha e babit”.
Me tekst dhe muzikë të Eriona Rushitit dhe orkestrim të Enis Mullaj, vajza nga Fieri rrëmbeu votat e jurisë dhe arriti suksesin në pjesëmarrjen e saj të parë në festivalin e Shkodrës.
Plot ngjyra dhe ritëm erdhën në këtë natë finale 18 interpretimet e fëmijeve nga të gjitha trojet shqipfolëse që kurorëzuan një tjetër edicion të suksesshëm të kësaj feste muzikore.
Një traditë e cila rrënjët i ka këtu e 59-të vite më parë. Por përse pikërisht Shkodra?
Nuk ishte rastësi që festivali i këngës për fëmijë lindi në Shkodër.
Edhe para lufte Shkodra kishte një jetë artistike muzikore edhe për fëmijë.
Bashkë me krijimet e para, kompozitori At Martin Gjoka që njihet si babai i muzikës shqiptare, në fillimet e viteve 20-të shkroi edhe këngë për fëmijë.
Edhe mësuesi i ri Prenkë Jakova që më pas u bë një prej emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare, shkroi këngët e para për fëmijë.
Madje edhe në folklorin e Shkodrës e të krahinave përreth, kënga për fëmijë ishte e pranishme.
Në botimin folklorik të vitit 1911, me titull “Kangë popullore gegnishte”, kemi të dokumentuara edhe 35 këngë posaçërisht për fëmijë, secila me melodinë e vet, që këndoheshin edhe për të shoqëruar lojërat e fëmijëve në rrugicat e oborret e Shkodrës.
Por, Shkodra kishte krijuar orkestrën simfonike, kishte vënë skenë operën “Mrika” të kompozitorit Prenkë Jakova, ndaj dhe organizimi i një festivali për fëmijë ishte plotësisht i mundur.
Festivali ishte iniciative e muzikantit Tonin Daija dhe kujdesi i veçantë i Prenkë Jakovës, që u kujdes deri në “hollësitë” e përgatitjes së tij. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër me 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Festivali i parë kishte “rrënjët” dhe pikësynimin për t’u bërë kombëtar.
Në fakt kështu ndodhi. Tradita vijon, dhe ky festival mban kurorën e tij që pritet te kulmoje me 60 vjetorin e krijimit vitin e ardhshëm. Pas viteve 90 mbi supe peshën e madhe për të sjelle gjithmonë e më të kuruar interpretimet e mban dirigjenti Kujtim Alija.
Ndër vite festivali i fëmijëve ishte edhe një aktivitet shumë masiv. Përveç fëmijëve të një qyteti aty vinte i gjithë rrethi dhe fëmijët e të gjitha shkollave.
Është dhënë një kontribut i madh në modelin e formimit të këngës për fëmijë, duke filluar që nga teksti letrar dhe nga struktura e melodive që mori pak a shumë modelin e krijimit të këngëve për fëmijë.
Mbas festivalit të parë dhe të dytë apo i treti u diskutua që ky festival të kalonte qytet më qytet. Pra. të gjithë qytetet kryesore krijuan festivalet e tyre model dhe ruajtën ecurinë në vite duke mos prishur renditjen.
Një vit më parë pandemia sikurse çdo gjë tjeter ndryshoi edhe rrjedhen e frestivalit e cila për herë të parë u zhvillua online. Por, këtë vit riktheu shkëlqimin e munguar, jo vetëm fëmijeve por edhe qytetit.
Për dy netë radhazi 18 interpretime të fëmijëve mbushën me gjallëri qytetin.
Spektatorët ishin të shumtë jo vetëm në karriget e menduara por edhe në sheshin përpara Bashkisë Shkodër aty ku u mbajt edicioni i 59-të.
Bashkia Shkodër dhe Ministria e Kulturës herë pas herë kanë kontribuuar e në jo pak raste kanë treguar indiferencën e tyre. Megjithatë tradita ka vijuar falë edhe insistimit të muzikantit Kujtim Alia.
Në Shkodër këngët kanë kaluar në disa filtra. Së pari ishin përzgjedhjet e bëra në shkolla nga vetë mësuesit.
Më pas ishin profesorët e shkollës së muzikës dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Shkodër të cilët kaluan në sitë prurjet e këtij viti.
Festivalit siç ka ndodhur prej tri dekadash iu bashkuan jo vetëm qytete të tjera të Shqipërisë por edhe fëmijët shqiptarë të Kosovës, Mali të zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Festivali nuk kishte për qëllim vetëm interpretimin e këngëve, por edhe përçimin e mesazheve të rëndësishme për fëmijët.
Gazetari Gentian Minga, u ngjit në skenë në natën finale teksa bëri me dije se ka risjellë përrallën “Kush e solli Doruntinën”.
Por, me disa ndryshime, në përrallë Doruntina vjen vetë, pasi mbështetja e vajzave kërkon një rifreskim të miteve. Vajzat nuk kanë nevojë t’i sjellë askush, sepse janë të afta të japin besë dhe t’a mbajnë atë.
Qendra Kulturore e Durrësit përshëndeti të pranishmit me një interpretim të valles popullore, e sjellë me kostume dhe skenografi që mori duartrokitjet e publikut për minuta të tëra.
Festivali erdhi nën drejtimin e dirigjentit Kujtim Alia, udhëheqës artistik Roland Guli, redaktor muzike Ermir Zoga dhe Bardhyl Hysa.
Skenografi Adnan Kastrati, redaktor letrar Alfred Çapaliku, regjisor Bledar Laço, koordinatore dhe skenariste Manjola Lloja, ndërsa moderimi u bë nga këngëtarja Kamela Islamaj.
Në natën finale dhuroi emocione rikthimi pas 30 vitesh i këngës së vetme të kompozuar në festivalin e fëmijëve prej muzikantit Kujtim Alia, i cili pak ditë më parë festoi 60-vjetorin e lindjes.
Dirigjenti dhe muzikanti Kujtim Alia ndër të tjera e cilëson si një rrugë e cila po bëhët bashkë me stafin e tij dhe shumë dashamirës të artit dhe muzikës.
“Ruajtja e traditës është e vështirë, por unë fatmirësisht punoj me një ekip mbështetës të cilëve u detyrohem shumë. Të gjitha trevave ku flitet shqip i treguam se kemi ende talentet dhe këngë të mira.
Të tilla ishin edhe 18 interpretimet e këtij festivali. Ne po përgatitemi për vitin e ardhshëm, një vit jubilar i 60-vjetorit të festivalit mbarëkombëtar për fëmijë dhe urojmë të kurorëzojmë me sukses këtë rrugëtim të artë”, shprehet ai.
Fëmijët u inkurajuan së pari me çmimet e interpretimit të marra nga Sajer Cani, Dea Amoniku dhe Françeska Kaça. Ndërsa Vendi i tretë shkoi për këngën “Fal dashuri” kompozuar dhe orekestruar nga Petrit Terkuçi, teksti Mimoza Tola, kënduar nga Sibora Teqja.
Vendi i dytë për këngën “Vetminë askush s’e duron” muzika e orkestrimi Roland Guli, teksti Meri Guli, kënduar nga Uarda Dibra.
Triumfuese e vendit të parë ishte kënga “Princesha e babit”, muzika e teksti Eriona Rushiti, orkestroi Enis Mullaj, kënduar nga Marina Daka.
Jo vetëm të vegjlit por i gjithë qyteti përjetoi dy netë ritmike nën tingujt dhe ngjyrat e këngës së Festivalit të fëmijëve./CNA.al