MELANKOLIA

0

 

Nga :(Edvard Munch)

Pregaditi:  Zija Vukaj

Si në shumë raste të tjera, piktura u realizua në variante të ndryshme, që merrnin shtysë nga rrethanat autobiografike. Munch ishte i vetmi për të nxjerrë frymëzime nga emocionet personale, që i projektoheshin mbi natyrën rrethuese, duke e shndërruar në peizazh të brendshëm. Një shënim i ditarëve të tij i referohet pikërisht “Melankolisë”. “Po ecja bregut të detit… shkëmbinjtë ngriheshin mbi ujë si qenie mistike detare… Deti blu i errët e vjollcë ngrihej e ulej… uji dëneste dhe i lëpinte gurët përreth. Re të gjata gri vijëzonin horizontin. Dukej sikur gjithçka kishte vdekur- si në një botë tjetër. Një peizazh vdekjeje.” Edhe tri figurat që duken në largësi dhe varka në liman zënë fill nga realiteti. Munch tregonte se si gruaja e kishte bërë të mendohej për një lidhje të tij tashmë të mbyllur dhe kishte qenë ky mall që kishte ndikuar vegimin.
Në pikturë ndijimi i është besuar përkimit kromatik dhe linjave të valëzuara të peizazhit, por më shumë akoma, qëndrimit të djalit të paraqitur në plan të parë, i kthyer nga pjesa e jashtme e skenës. Nuk ka gjurmë të Munch, edhe pse e lidhur me një eksperiencë personale, në fakt piktura bëhet simboli universal i melankolisë, kuptuar si emocion i përbashkët i të gjitha qenieve njerëzore. Në variantin e parë të pikturimit njeriu, i kuadruar me gjysmë trup, zinte gati gjysmën e djathtë të sipërfaqes. Zgjidhja e re- që përmban vetëm fytyrën e tij me sytë e ulur dhe dorën e mbështetur në faqe- e rrit fuqinë e paraqitjes dhe peizazhi që zgjerohet në supet e tij duket sikur i materializon mendimet, krijon një vegim krejtësisht të brendshëm. Gjuha artistike e Munch tashmë ishte shkëputur nga natyralizmi dhe nga impresionizmi i fillimeve, duke u bërë sintetike dhe esenciale, aq sa Krohg e kishte përcaktuar “Melankolinë“, në variantin e vitit 1891 si vepra e parë simboliste e pikturës norvegjeze.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.