Trajnimi dyditor në kuadër të projektit “Green Lands” (“Ishujt e gjelbër”), për nëpunësit dhe aktivistët e përfshirë në mbrojtjen e mjedisit nga Mali i Zi dhe Shqipëria u zhvillua në datat 21-22 shkurt në Hotel Berane. Projekti “Green Lands” synon përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve në zonat e synuara, reduktimin e ndotjes dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve publike për grumbullimin e duhur të mbetjeve në bashkitë e Beranes dhe Malësisë së Madhe. “Një nga aktivitetet e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të projektit është edhe zhvillimi i këtij trajnimi, dhe me këtë rast kemi mbledhur përfaqësuesit e institucioneve nga Mali i Zi dhe Shqipëria, përfaqësues të bashkisë, sektorët e shërbimeve publike dhe të policisë bashkiake, si dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar që kanë për qëllim në veprimtarinë e tyre mbrojtjen e mjedisit. Fokus i trajnimit është çështja e menaxhimit të mbetjeve në zonën ndërkufitare, dhe janë pjesëmarrës rreth 50 përfaqësues të këtyre institucioneve dhe sektorit joqeveritar” – vuri në dukje Maja Pesic – Menaxhere e projektit. Ky është trajnimi i dytë, i cili pason të parin që u mbajt në Shkodër në dhjetor të vitit të kaluar. Në kuadër të këtij projekti do të blihen pajisje për shërbimet publike dhe policinë bashkiake, do të instalohen 16 ishuj të gjelbër në zonën target (8 në secilën Bashki të përfshirë në projekt), do të pajisen 1000 familje me dy kosha për ndarjen e mbetjeve të njoma dhe të thata dhe do të zhvillohen aktivitete të edukimit mjedisor me nxënësit e shkollave 9-vjecare dhe të mesme, por edhe me komunitetin, mbi grumbullimin e ndarë të mbetjeve, dobitë që sjellë riciklimi dhe rëndësinë e mbrojtjes mjedisore.
Ky projekt zbatohet nga Bashkia e Berane në bashkëpunim me partnerët: Bashkia Malësi e Madhe dhe Shoqata VIS Albania në Shqipëri dhe Caritas në Mal të Zi. Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të thirrjeve IPA për Bashkëpunim Ndërkufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë 2014-2020. Vlera e projektit është rreth gjysmë milioni euro, dhe parashikohet të zgjasë 30 muaj.