Xhahid Bushati
Duke hulumtuar për rrugëtimin e teatrit të Kukullave në Shkodër, më rezulton se ai u bë profesionist nga fundi i vitit 1951, dhe kjo detyrë iu besua Andrea Skanjetit. Sipas Andreas: “Për fëmijët, një ndër artet më të përzemërta, është ai i teatrit, veçanërisht i kukullave, i cili është me shumë efekt, sepse i përshtatet moshës së tyre”. Këtë mision dhe guxim krijues, Andrea-s ia dha edhe e shoqja, Njomi, e cila u angazhua dhe e ndihmoi në bërjen e kukullave. Delikatesa dhe arti në qëndisje, mjeshtria në rrobaqepësi, shpirti human, etj., – ishin disa nga cilësitë e saj që i shfaqi orëve të ditës e të natës, aty, në kuzhinën që ishte kthyer në atelje, ku merrnin formë fytyrat njerëzore e të kafshëve në kallëpe plastike që më vonë do të visheshin me butafori, si dhe me pëlhura dhe lëkura të ndryshme. Pra, kuzhina-atelje u kthye në një skenë njerëzore e përrallore, ku lëviznin personazhe: nëna, gjyshi, Liljana e vogël, Kreshniku me shpatë, keci, dhelpra, ujku, lepuri, ariu, zogu, milingona, etj., etj.; një galeri e tërë që rrinin në pritje të merrnin “frymë” e të “flisnin” ashtu të veshura në duart e aktorëve.
Duke vazhduar në vite, Teatri i Kukullave mori emër. Krahas aktorëve dhe aktoreve të talentuar që aktruan me nivel e dinjitet në shumë pjesë që u vunë në skenë, meritë që ndoqën rrugën e Andrea Skanjetit, ishin dhe regjisorët: Jonuz Dini, Eda Gera, Kolë Kaftalli, Ikbal Çefa, Merita Smaja, Drande Xhaj, etj.
Duke vazhduar, përsëri, në vite, veçanërisht pas viteve ’90, Teatri i Kukullave më lavdinë dhe historinë e tij dalëngadalë u harrua… S’u kujtua kush dhe askush! Erdhi një moment që dikush u kujtua. Teatri i Kukullave në mënyrë modeste e me përkushtimin maksimal të aktorëve dhe regjisorëve që morën përsëri ta ringjallnin, dhanë shfaqje në hollin e tij. Ishte për të ardhur keq, sepse dukej si “xhep i vogël” i teatrit dhe si një lëmoshë ndaj spektatorëve të saj të vegjël, që nuk bënin mungesa në shfaqjet e dhëna. Nuk kishte karriga bosh.
Vërtet, pas viteve ’90 e deri tani që po flasim s’u kujtua askush të mendonte për një teatër të ri Kukullash, pasi Shkodra e kishte në traditën e saj. Mbase Bashkia e re do ta ketë në planet e saj të edukimit të gjeneratës më të re, të cilët kur të rriten do ta kujtojnë fëmijërinë e tyre se u rrit edhe me teatër.
Teatri i Kukullave, aktualisht sot, edhe pse në dukje “i vogël” është dinjitoz e me identitet, me histori dhe me shumësi vlerash. Kukullat-personazhe nuk kanë pse të shqetësojnë dikë. Ato i japin vlerë Teatrit dhe të gjithëve u kujtojnë fëmijërinë edhe vetë Teatrit. Nuk duhet t’i mungojë fëmijëria teatrit. E fëmijëria fillon nga kukulla, nga magjia dhe bota e saj kukllore. Pra, sot duhet urgjent të mendohet për një ndërtesë të bukur dhe etike, për një investim më të madh aktual për të dhënë shfaqje të bukura, që ‘kukullat-personazhe të zëvendësojnë celularët që fëmijët mbajnë gjithë ditën e natën nëpër duar’.
Teatri i Kukullave duhet të respektohet e të nderohet nga të gjithë. Ai është në shtëpinë e tij, për derisa nuk ka ende shtëpi. Edhe kur të bëhet me shtëpi të re, “tapinë” e ka në arkivin e teatrit “Migjeni”.
Dua ta mbyll shkrimin, përsëri me një kujtim të regjisorit Andrea Skanjeti, i cili thoshte: “Jam shumë i kënaqur, që gjatë ushtrimit të profesionit tim si regjisor, krijova teatrin e kukllave dhe dhashë për të pa kursim të gjitha mundësitë e mia mendore e fizike. Jam i lumtur se puna ime modeste ka shërbyer sadopak në edukimin e masës së re që po rritej e lumtur e plot shëndet… Njëzet e tre premierat e realizuara më krijuan mundësi që të qëndroja për shumë kohë pranë buzëqeshjes së sinqertë të fëmijëve, në dëfrimin e gëzimin e tyre, në gazin e harenë që mbushte sallën para shfaqjes dhe kënaqësinë që provonin ato pas saj. Edhe sot më bëhet sikur e dëgjoj atë ushtrimë hareje si zgjoj bletësh, edhe sot do të përtrihesha me një punë të tillë plot kënaqësi.”
Shkodër, më, 21.01.2024 ( )