Nnga Bukra Hysenukaj Kastrati
Thuajse çdo mëngjes jemi të njëjtët klientë në kafenenë tonë. Dy tavolinat e para jemi unë dhe një grup zonjash, mjeke të institucionit shëndetësor komshi. Ndërsa mua nuk më ka ardhur ende orari i punës, atyre mund t’iu kalojë deri në 40 minuta dhe s’e vrasin fare mendjen që pacientët i presin të dyndur në radhë. Dukeqenëse jam vetëm, dëgjoj dashur pa dashur bisedat e tyre. Sot po flisnin për kafshët. Nga 6 që ishin në tavolinë, vetëm njëra i donte dhe teksa shprehu dëshirën për të marrë një mace në shtëpi, koleget sa s’e kryqëzuan…..dhe filluan njëra mbas tjetrës duke dhënë argumente pse nuk i donin dhe nuk i duronin kafshët. Njëra i kish fobi, tjetra neveri, tjetra siklet apo alergji e plot arsye të tjera që hodhën radhë e pa radhë. Mund të jem e gabuar por unë e kam bindje se, ai që nuk i don kafshët, nuk di të dojë njeriun. Teksa i dëgjoja, uroja të mos bie një ditë në dorë të tyre.